Uncategorized

Afrim Ramnabaja, kandidat i PDC-së në Delemont

Me ndihmën e miqve tanë zviceranë do të përpiqem për përmirësimin e pozitës së komunitetit tonë këtu

Në kantonin Jura, gjegjësisht në kryeqytetin e tij, Delemont, më 21 tetor, të dielën që vjen, mbahen zgjedhjet për asamblenë komunale. Ndër kandidatët për tu zgjedhur është edhe bashkatdhetari ynë, Afrim Ramnabaja, i cili është kandiduar nga partia Demokristiane e Zvicrës (PDC-CVP).

Në një intervistë për albinfo.ch, Afrimi sqaron përse ka zgjedhur pikërisht këtë parti, cilat janë përvojat e tij dhe të komunitetit shqiptar të Jura-s me PDC-në, raportet që kjo parti ka krijuar edhe me Kosovën, pastaj për aktivitetin e tij si menaxher i një firme dhe për angazhimin në komunitetin e këtushëm shqiptar.

Albinfo.ch:  Kush është Afrim Ramnabaja?

A.Ramnabaja: Jam një qytetar nga Komuna e Dardanës ose Kamenicës ndërsa prej 17 vitesh jetoj në Zvicer. Jam i martuar dhe kam 3 fëmijë. Kam të kryer shkollën e mesme dhe prej 15 vitesh punoj si menaxher. Ka dy vite që kam hapur një firmë të renovimit. E udhëheq po ashtu klubin ose qendrën e shqiptarëve „Newborn“ në Delemont dhe jam sekretar i komunitetit shqiptar në kantonin Jura.

Albinfo.ch: Ju kanidoni për Partinë Demokristiane, PDC. Sa kohë jeni në këtë parti dhe a keni kandiduar ndonjëherë më parë në zgjedhje?

A.Ramnabaja: Anëtar i PDC-së jam prej pesë vitesh, ndërsa kjo është hera e parë që kandidoj për zgjedhjet komunale.

Albinfo.ch: Përse keni zgjedhur pikërisht këtë parti? Çka ofron ajo më shumë se të tjerat?

A.Ramnabaja: E kam zgjedhur PDC-në sepse është partia që në 5 vitet e fundit ka ndihmuar më së shumti të huajt në këtë kanton. Ajo na mundëson të ulemi bashkë në një tavolinë dhe t`i zgjidhim së bashku problemet e të huajve ashtu si dhe çdo problem tjetër.

Sa për informim, kryetari i Delemontit, Pierre Kohler, që vjen nga kjo parti, është njeriu që ka përkrahur më së shumti shqiptarët. Këtë e ka bërë edhe më parë, si ministër në qeverinë e kantonit po edhe si deputet i Parlamentit të Zvicrës. Ky njeri është ai që ua mundësoi të gjithë shqiptarëve të shprehen për të drejtat e tyre  në kantonin Jura. Të përmendim po ashtu se ai ka vizituar dy herë Kosovën së bashku me ministra dhe me deputetë të kanonit, me ç`rast i kam shoqëruar edhe unë.

Albinfo.ch: Cila do të ishte fusha ku ju do të angazhoheshit nëse zgjidheni deputet?

A.Ramnabaja: Do të angazhohem për integrimin sa më të mirë të të huajve në Kantonin e Juras dhe do t`i shfrytëzoj të gjitha mundësitë për të avancuar pozitën e shqiptarëve këtu.

Albinfo.ch: Cila është oferta juaj që u drejtoni shqiptarëve me të drejtë vote, në mënyrë që ata të votojnë për ju?

A.Ramnabaja: Së bashku me mikun më të madh që kanë shqiptarët në këtë kanton me kryetarin e komunës së Delemontit (Kohler), që sapo është zgjedhur edhe për 5 vite për të dytën herë në këtë post, do të bëj gjithë çka është e mundur për përmirësimin e pozitës së komunitetit tonë këtu.

Ideja jonë është se si të krijojmë mundësitë që të huajtë të investojnë në Kosovë. Po ashtu do të përpiqemi t`u mundësojmë të rinjve nga Kosova që të vijnë në Zvicër për çdo vit duke u siguruar viza. Në këtë mënyrë ata do të kenë mundësi të mësojnë ndonjë zanat etj. Me një fjalë, po punojmë shumë për të arritur sado pak. Unë llogaris në mbështetjen e të gjithëve. Me këtë rast falënderoj edhe ambasadorin Malaj për vizitën që më bëri dhe përkrahjen që ma ofroi. Albinfo.ch: Ju njiheni si aktivist në komunitetin shqiptar. Po në mesin e zviceranëve a ju njohin dhe a shpresoni të merrni vota edhe nga ata?

A.Ramnabaja: Pasi që unë, së bashku me disa aktivistë tjerë shqiptarë në këtë kanton kemi punuar shumë për kumunitetin shqiptar, kam krijuar edhe shumë lidhje e miqësi edhe me qytetarë të këtushëm zviceranë. Kështu, unë kam shumë premtime për përkrahje, si nga ana e partisë ashtu dhe nga shqiptarët në këtë komunë.

Pra, kam përkrahje të gjerë edhe nga ana e disa ministrave dhe politikanëve tjerë të kantonit dhe siç e thashë më parë, edhe nga kryetari i Deelemontit. Gjithsesi, përkrahje pres edhe nga kryetari i Bashkësisë Shqiptare të kantonit Jura. Bashkësia në fjalë përkrah arritjet e një qytetari të Kosovës.

Të përkujtoj se në dy udhëtimet që i kemi bërë në Kosovë me krerët e kantonit, kemi vizituar ministri të ndryshme, qeveri komunale, spitale, investimet e bëra nga Zvicra etj. Po ashtu kemi pasur ftesë zyrtare edhe nga ministri Makolli. Ndërsa kryetari i Delemontit na ka mundësuar po ashtu që shumë kryetarë të komunave të Kosovës të bëjnë vizita zyrtare në Zvicër, gjegjësisht në kantonin Jura.