Zhvillim

Favoret e Kosovës për punën jashtëkontraktuese me vendet e perëndimit

Shembulli i kompanisë „Arizona Partners“, me seli në Prishtinë, është një dritë e qartë në tunel, se kosovarët mund dhe duhet ta ndërtojnë vendin e vet pikërisht duke shitur shërbime nga Kosova

 

 

Interesimi i kosovarëve për të emigruar jashtë vendit është përditë e më i madh. Çfarë do të ndodhte me Kosovën, për të cilën u derdh aq shumë gjak e dha aq shumë mund ndër gjenerata, sikur të gjithë të rinjtë fatin e tyre ta kërkojnë jashtë vendit? Kosova ka nevojë për rininë e vet. Rinia e Kosovës të ardhmen e saj duhet kërkuar në vetë Kosovën. Bile, mençuria e të rinjve tanë është që biznesin e vet ta bëjnë pa dalë fare nga Kosova.

Dren Selimi, zyrtar i Helvetas-it për zhvillimin e sektorit privat, thotë se ka një strategji në bazë të së cilës promovohet eksporti i shërbimeve që mundësohet nga Teknologjia Informative, dhe kjo tashmë po bëhet përmes projektit EYE (Rritja e punësimit të të rinjve)  i cili financohet nga SDC (DEZA) dhe implementohet nga Helvetas dhe partneri lokal MDA.

Shembulli i kompanisë „Arizona Partners“, me seli në Prishtinë, është një dritë e qartë në tunel, se kosovarët mund dhe duhet ta ndërtojnë vendin e vet pikërisht duke shitur shërbime nga Kosova.

Me këtë rast, Helvetas ka mbështetur investimet e kompanisë „Arizona Partners“ në zgjerim të biznesit, duke i mundësuar rritjen dhe përforcimin e kapaciteteve njerëzore, fizike dhe teknologjike.

Ky lloj i shërbimeve është në rritje e sipër në Kosovë, prej nga kompanitë kosovare po shesin shërbime të ndryshme në shtetet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër dhe Austri) me tendencë zhvillimi edhe jashtë atlantikut, në SHBA e gjetiu.

Në këtë drejtim, kompanitë kosovare si: „Baruti GmbH“, „MIK Agency“, „Arizona Partners“ e të tjera kanë arritur që t’i shfrytëzojnë praktikat më të reja të të bërit biznes virtual, duke e përqendruar stafin në Kosovë dhe shitjen e produkteve jashtë vendit, trimëron të rinjtë kosovarë z. Dren Selimi nga organizata zvicerane Helvetas.

Se vërtet një gjë e tillë është e realizueshme, albinfo.ch zhvilloi një bisedë me drejtuesin e kompanisë „Arizona Partners“ (në tekstin vijues AP), z. Arben Avdiu, i cila paraqiti një tablo të kompanisë.

„Duke qenë bursistë të USAID-it, unë bashkë me 4 studentë tjerë, kemi përfunduar studimet Master për kontabilitet në Arizonë. Pra ideja për themelimin e kompanisë „Arizona Partners“ ka lindur gjatë qëndrimit tonë në Arizonë“, shprehet me optimizëm i riu Arben Avdiu.

„Praktikisht, kompania është themeluar në Prishtinë, në vitin 2010, dhe vizioni i AP-së ka qenë ofrimi i shërbimeve të kontabilitetit, shërbimeve të tatimeve dhe të konsulencës në biznes për individë dhe për organizata të ndryshme anembanë botës. Me klientin e parë kemi filluar kah fundi i vitit 2010, përkatësisht në fillim të vitit 2011. Duke i rritur klientët kemi shtuar edhe fuqinë punëtore, duke u zhvilluar fillimisht në tregun e Kosovës, gjithmonë të orientuar në kryerjen e shërbimeve të kontabilitetit, tatimeve dhe të konsulencës. Sot, në AP punojmë 28 punëtorë dhe kemi klientë në Kosovë për të cilët kryejmë po të njëjtat shërbime si dhe kemi edhe një grup klientësh që faktikisht përbëjnë mbi 70% të të hyrave të kompanisë e që janë me bazë në Amerikë. Pra, AP kryen shërbime të jashtëkontraktueshme (outsorce), shërbime për procese të ndryshme të biznesit, por fokusi ynë është në shërbime të kontabilitetit. Pra, fokusi ynë është zhvillimi i tregut në Amerikë dhe vende të tjera jashtë Kosovës ku jashtëkontra

ktimi i këtyre shërbimeve, me një vend siç është Kosova, ka një arsyeshmëri më të madhe, sepse ato vende marrin cilësi të njëjtë me një çmim shumë më të ulët nga ai që do ta merrnin në vendet e tyre“, thotë z. Avdiu.

Albinfo.ch: Mund të jepni ndonjë shembull?

Arben Avdiu: „P.sh. nëse një pagë minimale në Amerikë, po flasim për një vend pune si arkatar në Mc Donald’s, që tash është 20 dollarë për orë, në Kosovë paga minimale është 1.70 € për orë. Për punë më të sofistikuar siç është shërbimi i kontabilitetit, në Amerikë pagat shkojnë prej 50.000-60.000 dollarë në vjet deri tek ato më të avancuarat që janë kontabilistët e certifikuar e që mund të shkojnë mbi 150 mijë dollarë në vjet. Ndërsa në Kosovë një pagë prej 15 mijë eurosh në vjet cilësohet një pagë mbi mesataren, kështu që kur ia shton të gjitha kostot tjera të operimit, si zyrën, kompjuterët, trajnimet shtesë etj. del minimum 50% më lirë sesa ky shërbim të bëhej brenda kompanisë. Prandaj, kur një punë e tillë jashtëkontraktohet në një vend siç është Kosova, atëherë del plus 50% më lirë se sa e njëjta punë të jashtëkontraktohej me një kompani të njëjtë në Amerikë ose në Zvicër, Gjermani e gjetiu. Dhe, natyrisht kursimet për ata individë ose kompani janë enorme.

Çfarë rekomandojnë të huajt për jashtëkontraktim?

„Fillimisht rekomandohet që shërbimet e tilla, bizneset e ndryshme, siç është blerja e mallrave, që tani bëhet kryesisht online, kontabiliteti, regjistrimi i transakcioneve kontabel, qendra të thirrjeve (shitje), shërbimet ligjore, që kanë të bëjnë me përpilimin e kontratave dhe me njoftimin e furnitorëve ose palëve tjera të ndërlidhura; këto rekomadohen në biznes gjithsesi të jashtëkontraktohen te një kompani që është e specializuar për këso shërbime dhe që është jashtë shtetit të tyre. Dhe, Kosova është atraktive në këtë aspekt sepse atje kursejnë, ndërsa falë teknologjisë informative këto shërbime mund të kryhen pa vështirësi nga jashtë. Në këtë drejtim Kosova ka një avantazh, ngase, sipas studimeve të fundit, penetrimi (depërtimi) i internetit në Kosovë është 80% dhe kosovarët janë shumë shfrytëzues të teknologjisë informative si dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes dhe të gjermanishtes“.

Çfarë janë arritjet e deritashme në përfitimin e klientëve?

„Fillimisht, strategjia e AP-së ka qenë ngritja e një ndërmarrjeje të qëndrueshme me synim, zhvillimin afatgjatë. I tërë sistemi i AP-së është i bazuar në sektorin privat, pra ne kemi punuar vetëm me klientë të sektorit privat. Sot janë disa arritje që janë bërë e që për ne themelusit është kënaqësi. P.sh. sot kemi 28 persona të punësuar në AP që kryesisht janë të moshës 22-26 vjeçare, pra sapo të diplomuar nga universitetet në Kosovë. Në këtë strukturë mbi 60% janë femra dhe atmosfera që bëhet në hapësirat e AP-së është një prej arritjeve më të mëdha, sepse në misionin tonë, përveç krijimit të fitimeve si biznes privat, ne synojmë t’i shtojmë vlerë edhe krejt shoqërisë, duke punësuar njerëz, duke integruar potencialin dhe vlerat e shoqërisë sonë, por edhe për të eksportuar shërbime“.

A ka shteti i Kosovës përfitime prej AP-së?

„Fitimet janë të shumta, ndonëse shpeshherë është vështirë të vlerësohen, por ato janë tatimi që ne i paguajmë shtetit si dhe tatimi që punëtorët tanë ia paguajnë shtetit. Pastaj është krejt një zinxhir që lidhet në atë vlerë të shtuar që është i paprekshëm, kisha për të thënë, sepse p.sh. njerëzit kur punojnë e kanë edhe një jetë sociale më të mirë, dhe duke e pasuar një jetë sociale më të mirë ata ndikojnë edhe në rrethin e vet që edhe ata ta kenë një jetë sociale më të mirë, kështu që, me fjalë të tjera, ata merren me sende të mençme, punojnë dhe fitojnë, dhe nuk mendojnë se si të emigrojnë ose të bëjnë veprime të paligjshme. Pra ne i stimulojmë që ata të rriten e të zhvillohen profesionalisht dhe personalisht. Në këtë aspekt përfitimet janë të mëdha. Një përfitim tjetër që vendi ynë duhet ta fuqizojë është krijimi i një emri të shtetit të Kosovës për eksportim të shërbimeve, sepse potenciali ynë më i madh është rinia që Kosova e ka. Kjo rini për mua është e shëndoshë dhe mjaft inteligjente, por duhet shumë të punohet në edukim“.

Dhe, kjo do të jetë transparente në raport me shtetet tjera, pra do të dihet se këto punë i kryejnë kosovarët. A do të ndikojë kjo në imazhin e Kosovës dhe si?

„Fillimisht është vështirë të fitohet besimi, por kjo me kohë po tejkalohet. Nëse një kompani në Kosovë e kryen shërbimin njëjtë me kosto më të ulët; për klientët është me rëndësi që puna të kryhet në

mënyrë të ndershme dhe profesionalisht, kështu që kjo nuk paraqet problem pse ne ndodhemi në Kosovë për t’i jashtëkontraktuar shërbimet te ne, dhe natyrisht, gjithçka është shumë transparente“.

Si komunikoni me Amerikën?

„Ne këtu i kemi numrat e telefonit të Amerikës që janë të instaluar, që komunikojmë përmes internetit. Komunikimi ynë është si me klientët tanë, si me punëtorët e klientëve tanë, si me furnitorët e klientëve tanë, si me klientët e klientëve tanë, do të thotë vazhdimisht ka komunikim edhe në të shkruar edhe në të folur, dhe si gjithkund biseda fillon me komunikim të rëndomtë, përkundrazi ekspozimi jonë ndaj një grupi më të madh të kompanive, duke komunikuar me ta përmes klientëve tanë, vetëm sa na rritë potencialin për të pasur sa më shumë punë “.

Kush është konkurrenca juaj këtu në Kosovë?

„Shërbimi i kontabilitetit dhe tatimeve është një sektor mjaft i zhvilluar dhe ka konkurrencë të madhe, mirëpo kryesisht janë individë ata që kryejnë shërbime të tilla dhe më pak janë të përqendruar që të krijojnë kompani që ofrojnë shërbime të tilla. AP qysh në fillim e ka zgjedhur strategjinë që të ketë një zhvillim afatgjatë, por të qëndrueshëm. Ne, klientëve tanë u ofrojmë zgjidhje e jo vetëm një shërbim, pra zgjidhje që i adreson nevoja për biznes. Ka kompani të mjaftueshme të kontabilitetit, të cilat kryesisht kryejnë edhe punë të auditimit, ndërsa puna e AP-së nuk është e përqendruar në auditim të pasqyrave financiare, por thjesht në shërbim të kontabilitetit. Sa i përket tregut në Amerikë dhe jashtë Kosovës nuk ka kompani nga Kosova e cila ofron shërbime të kontabilitetit jashtë Kosovës“.

Keni eksport të shërbimeve edhe në Evropë si: në Zvicër, Gjermani e gjetiu?

„Besoj që diaspora e Kosovës, ashtu siç e ka mbajtur Kosovën që nga viti 1990 dhe e cila ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, qoftë në vendet evropiane, qoftë në Amerikë, pra kemi një diasporë e cila është e fuqishme në biznes dhe kanë arritje të mëdha, dhe unë besoj që ajo kish me qenë tregu kryesor i Kosovës për t’iu ofruar shërbime këtyre bizneseve të diasporës.

Pra, do theksuar që AP në këtë segment është e para që eksporton shërbime, ndërsa ka kompani të shumta që ofrojnë shërbime tjera si: marketing online, zhvillim të ueb faqeve, dizajn grafik, zhvillim dhe mirëmbajtje të softuerëve, mirëmbajtje të rrjeteve dhe të infrastrukturës së teknologjisë informative. Pra, ka një numër të madh të shërbimeve që mund t’i ofrohen diasporës tonë nga Kosova, dhe përfitimi është i dyanshëm“.

Cili është përfitimi konkret?

„Pra përfitimi është vlera e shtuar, dhe se vendi ynë kishte për të pasur një shoqëri më aktive dhe më të shëndoshë në këtë aspekt, ndërsa për bizneset nga jashtë kishte për të qenë ekonomikisht shumë më i arsyeshëm jashtëkontraktimi i shërbimeve në Kosovë.

Në Kosovë tashmë janë ndërmarrë disa nisma e të cilat janë përkrahur nga organizata zvicerane Helvetas për krijimin e një grupi të kompanive të reja, të cilat ofrojnë shërbime jashtë Kosovës dhe të cilat e kanë potencialin për të ofruar shërbime anembanë botës, si për tregun e Zvicrës, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Kanadasë, SHBA-së, dmth. tregjeve që janë të zhvilluara.

Në Amerikë puna e jashtëkontraktimit me firma jashtë Amerikës është goxha e zhvilluar në krahasim me Evropën. Kështu për vendet evropiane është shumë më i logjikshëm jashtëkontraktimi i shërbimeve me Kosovën sesa me një vend siç janë: Filipinet, India ose ndonjë vend tjetër në Azi, ngase nuk ka distancë kohore, kështu që puna mund të kryhet në kohë reale; për shkak të çmimit më të ulët kompanitë kosovare mund të ofrojnë resurse më të shumta humane“.

Sa bashkëpunoni me institucionet e Kosovës?

„Unë mendoj që shteti duhet të ofrojë kushte të barabarta për një ambient të mirëfilltë për të bërit biznes, dhe këtu unë e kisha ndërprerë bashkëpunimin e shtetit me biznesin. Biznesi duhet të funksionojë në treg të lirë; gjyqësori duhet të jetë efikas në raste të zgjidhjes së kontesteve të ndryshme; të funksionojë infrastruktura, siç është energjia elektrike; të ketë kushte të favorshme të blerjes së teknologjisë informative që tashmë është duke u zbatuar; të ketë një sistem të mirëfilltë të edukimit; një mirëqenie më të madhe, dhe kështu sektori privat është ai që e shtyn zhvillimin e shtetit e jo e kundërta. Fatkeqësisht ne jemi ende ekonomi e bazuar në sektorin publik. Punëdhënësi më i madh te ne ende vazhdon me qenë sektori publik, e kjo nuk është e mirë për asnjë biznes, sepse nuk ka zhvillim ekonomik, ose zhvillimi ekonomik nuk është aq i mjaftueshëm sa për të pasur konsum më të lartë. Pastaj një problem më vete është lëvizja e lirë. Ne ende kemi probleme të udhëtimit jashtë vendit e kjo na plason në një disavantazh të madh. Mirëpo, përkundër krejt kësaj ne po arrijmë të eksportojmë shërbime jashtë Kosovës. Në saje të gjendjes reale ne duhet të jemi prijës në rajon për eksportimin e shërbimeve jashtëkontraktuese. Ndërsa bashkëpunimi me institucionet shtetërore duhet të jetë pjesë e vazhdueshme e strategjive dhe prioriteteve qeveritare“.

Çfarë janë ambiciet tuaja në të ardhmen?

„Synim imi është që gjatë pesëvjeçarit të ardhshëm AP të ketë rreth 300 të punësuar që kryejnë shërbime për klientë jashtë Kosovës. Në këtë drejtim ne kemi cikle të praktikës; ta zëmë ne marrim nga 10 vetë në praktikë për gjashtë muaj dhe pas trajnimeve përkatëse dhe punës që bëjnë ata, synojmë që sa më shumë prej tyre t’i mbajmë në punë të përhershme. Kjo varet edhe prej zhvillimit të biznesit, pra punojmë në dy fronte: në zhvillimin e tregut dhe në krijimin e resurseve“.

Cila është platforma për qasjen në klientelë?

„Ende nuk kemi bërë ndonjë platformë. Deri tani klientët i kemi gjetur përmes lidhjeve që i kemi, ndonëse në janar të këtij viti (2015), falë ndihmës së Helvetasit, kemi prezantuar në një Forum për Kosovën, të organizuar nga Shoqata Gjakova-Basel, mbajtur në Basel. Natyrisht, në këtë kontekst Qeveria e Kosovës, Ministria e Diasporës mund të kontribuojnë shumë, për faktin se ata e kanë regjistrin e bizneseve të Diasporës, i kanë të dhënat e kompanive që punojnë këtu dhe vetëm duhet të ndërmjetësojnë në ndërlidhje“, përfundon drejtuesi i kompanisë „Arizona Partners“, z. Arben Avdiu.

Ndërkaq, Dren Selimi nga Helvetasi pohon se në këtë aspekt EYE gjithashtu është në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me disa komuna të tjera për krijimin e qendrave të biznesit, që do t’u shërbejnë pikërisht këtyre profileve të bizneseve që përdorin internetin për eksport të produkteve. Qëllimi është që të ofrohen kushte dhe shërbime të volitshme për zhvillim më të hovshëm të bizneseve të reja.

Dren Selimi, zyrtar i Helvetas-it për zhvillimin e sektorit privat, thotë se ka një strategji në bazë të së cilës promovohet eksporti i shërbimeve që mundësohet nga Teknologjia Informative, dhe kjo tashmë po bëhet përmes projektit EYE (Rritja e punësimit të të rinjve) i cili financohet nga SDC dhe implementohet nga Helvetas dhe partneri lokal MDA.