Tematike

Afera “Winfrey” me “çantën raciste” nga Cyrihu

Winfrey thotë të ketë kërkuar për të shikuar një çantë nga lëkura e krokodilit, që kushtonte 35 mijë franga dhe që shitësja t`i ketë thënë të shikonte çantat tjera sepse ajo “kushtonte shumë shtrenjtë dhe edhe ashtu nuk mund ta paguante"

Moderatorja e famshme afroamerikane Oprah Winfrey është bërë objekt bisedash, akuzash e kundërakuzash për racizmin në Zvicër. Deri sa ishte duke qëndruar në Cyrih tri javë më parë, si e ftuar në dasmën e këngëtares Tina Turner, Winfrey ka vizituar një butik të shtrenjtë në Bahnhofstrassen e njohur të Cyrihut. Sipas deklarimeve që ajo ka bërë pastaj në emisionin «Entertainment Tonight» në një televizion amerikan, del se shitësja në këtë butik e ka fyer atë në bazë race.

Winfrey thotë të ketë kërkuar për të shikuar një çantë nga lëkura e krokodilit, që kushtonte 35 mijë franga dhe që shitësja t`i ketë thënë të shikonte çantat tjera sepse ajo “kushtonte shumë shtrenjtë dhe edhe ashtu nuk mund ta paguante”. Moderatorja me ngjyrë, e cila tashmë konsiderohet miliardere dhe më e pasura në mesin e kolegëve, me këtë rast thotë se është ndjerë e fyer në baza race.

Akuza që ajo ka bërë në drejtim të shitëses anonime të Cyrihut ndërkohë ka bërë jehonë të madhe, duke i shkaktuar dëmtim imazhi jo vetëm butikut në fjalë por edhe Cyrihut dhe Zvicrës. Një numër i madh artikujsh në mediet botërore po merren këto ditë vere me atë që po e quajnë “skandali Winfrey”. Dhe ky skandal ka koinciduar me aferën tjetër, atë të ndalesës së pishinave për azilkërkuesit, e cila qe vendosur në një komunë afër Cyrihut (Bremgarten). Të marra së bashku, këto dy momente janë bërë shkak për të sjellë “racizmin” e Zvicrës në kryelajmet e medieve evropiane e amerikane.

Ndërkohë edhe shitësja e bërë “e famshme” pa dëshirë, ka dhënë variantin e saj të ngjarjes. Sipas saj, ylli i televizionit amerikan  nuk është trajtuar aspak keq nga ajo. Krejt çfarë ka ndodhur ka qenë se derisa shitësja i ka dhënë asaj një çantë për ta shikuar, Winfrey ia ka vënë syrin një çante tjetër, nga lëkura e krokodilit, e cila ishte e varur shumë lartë. Por shitësja, në mënyrë të kulturuar i ka thënë asaj se bëhej fjalë për të njëjtën çantë me atë që e kishte në dorë dhe se dallonte vetëm çmimi…

Pronarja e butikut ndërkaq i ka dalë në mbrojtje shitëses së saj, duke thënë se ajo nuk e ka ditur se kush është Oprah Winfrey dhe se të gjithë klientët trajtohen njësoj.

Ndërkohë afera ka fituar edhe një segment tjetër, të papritur. Një organizatë që mbron kafshët ka dalë me kritika ndaj moderatores amerikane për faktin se ajo ka kërkuar të shikojë pikërisht një çantë të punuar nga lëkura e krokodilit…, duke e bërë kështu edhe më komplekse gjithë këtë aferë.