Bota

Aeroporti me më shumë udhëtarë në Evropë

Pavarësisht renditjes në vendin e parë, numri i pasagjerëve ishte ende 15% më i ulët se nivelet para fillimit të pandemisë

Heathrow ka rifituar vendin e parë si aeroporti me trafikun më të lartë në Evropë, sipas të dhënave më të fundit për numrin e pasagjerëve.

Aeroporti që ndodhet në perëndim të Londrës deklaroi se ka pritur plot 5.8 milionë pasagjerë në periudhën midis korrikut dhe shtatorit, më shumë se rivalët e tij në qytete si Parisi, Frankfurti dhe Amsterdami.

Një vit më parë, ai u rendit si aeroporti i 10-të për sa i përket trafikut ajror në Evropë, diçka që erdhi si pasojë e rregullave të udhëtimit nga pandemia Covid, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht renditjes në vendin e parë, numri i pasagjerëve ishte ende 15% më i ulët se nivelet para fillimit të pandemisë, shtoi aeroporti.

Shefi ekzekutiv, John Holland-Kaye, tha se numri i pasagjerëve ishte rritur më shumë në 12 muajt e fundit se në çdo aeroport tjetër të Evropës.

Por, aeroporti pranon se perspektiva për kërkesën në të ardhmen “mbetet e pasigurt”, për shkak të “faktorëve që ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike, valës së re të Covid dhe situatës në përshkallëzim në Ukrainë”.

Udhëtimet për Krishtlindje

Aeroporti shtoi: “Megjithatë, ne presim që ditët e pikut gjatë Krishtlindjeve të kenë një numër shumë të lartë pasagjerësh.” Holland-Kaye tha se “shumica dërrmuese” e pasagjerëve që udhëtonin nëpër aeroport këtë verë “kishin pasur një përvojë shumë të mirë”. Kjo është arritur pavarësisht mungesave në staf, të cilat detyruan aeroportin të kufizojë numrin e pasagjerëve që nisen nga ai në vetëm 100,000 në ditë, gjatë muajit korrik.

Masa erdhi si pasojë e radhëve të gjata dhe problemeve me trajtimin e bagazheve gjatë verës. Ky kufizim pritet të përfundojë më 29 tetor.

Pas kësaj, Heathrow thotë se po punon me partnerët e linjave ajrore për të zhvilluar një mekanizëm më të targetuar, i cili “mbron shërbimin e pasagjerëve gjatë periudhave të pikut”.

Heathrow ka deklaruar se “fokusi” i tij përgjatë 12 muajve të ardhshëm është që të kthejë kapacitetin, nivelet e shërbimit dhe qëndrueshmërinë e tij në nivelet ku ndodheshin përpara pandemisë.