Lajme

Në aeroportin e Cyrihut, 55 % më shumë pasagjerë se një vit më parë

Numri i pasagjerëve nuk ka arritur nivelin para pandemisë. Ka pasur rreth 20% më pak pasagjerë krahasuar me gushtin e vitit 2019

Aeroporti i Cyrihut, gjatë muajit gusht 2022 ka vazhduar të “shërohet” nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, transmeton albinfo.ch. Numri i pasagjerëve është në rritje, por ende nuk ka arritur nivelet e para krizës, gjegjësisht ato të vitit 2019.

Në gusht, 2.47 milionë pasagjerë kanë fluturuar përmes aeroportit të Cyrihut, ka njoftuar operatori i aeroportit të hënën në mbrëmje, shkruan srf.ch. Kjo ishte rreth 55 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Megjithatë, numri i pasagjerëve nuk ka arritur ende nivelin para pandemisë. Në muajin e kaluar, përmes Aeroportit të Cyrihut kanë udhëtuar rreth një e pesta më pak pasagjerë krahasuar me gushtin e vitit 2019, që merret si viti më i afërm referues para pandemisë së koronës.