Shkurt.ch

Aeroplani kthehet dy herë prej nga është nisur

Durimit të disa udhëtarëve i kishte ardhur fundi. Ata nuk "rrezikuan" të niseshin edhe për të tretën herë për në Palma de Mallorca

Një aeroplani të Kompanisë Ajrore të Zvicrës Swiss, i është dashur që të nisej dhe të kthehej dy herë nga rruga për në Mallocrca, duke i trishtuar kështu 63 pasagjerët që mbante në bord. Kjo ka ndodhur të dielën.

Kur Airbus 320 kishte bërë rreth një orë nga shkëputja prej aeroportit të Klotenit të Cyrihut, piloti kishte vënë re se frenat nuk funksiononin. Duke qenë se në Palma, për ku ishte nisur aeroplani, nuk kishte mekanikë dhe as pjesë rezervë, ai vendosi të kthehej në Kloten.

Pasi që mekanikët e kontrolluan aeroplanin dhe e rregulluan defektin – pasagjerët gjatë gjithë kohës qëndronin në aeroplan – piloti e nisi sërish aeroplanin drejt lartësive. Por, problemi u paraqit sërish. Dhe, përsëri ai u detyrua të aterronte në Kloten, duke shkaktuar panik te udhëtarët. Mekanikët kësaj here konstatuan se nuk ishin problem frenat por treguesit në ekran nuk funksiononin mirë.

Atëherë u vendos që udhëtimi të bëhej me një aeroplan tjetër të tipit të njëjtë… por durimit të disa udhëtarëve i kishte ardhur fundi. Ata nuk “rrezikuan” të niseshin edhe për të tretën herë për në Palma de Mallorca. Udhëtarët tjerë mbërritën në destinim me gjashtë orë vonesë.