Kosova

Adrion Pajaziti lojtari më i mirë i Premier Leagues 2

Mesfushori kosovar i Fulhamit, Adrion Pajaziti, është shpallur lojtari më i mirë në Premier Leagues 2 për muajin mars duke u bërë futbollisti i dytë i kësaj skuadre që fiton këtë çmim.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Është rezultat i punës së madhe që kam bërë dhe paraqitjeve të mira që kam pasur në kohët e fundit”, ka thënë Pajaziti për faqen zyrtare të klubit.

“Jam shumë i lumtur me rikthimin tim dhe më gëzon fakti që i kemi fituar tri nga po aq ndeshje të luajtura. Ekipi ka luajtur mirë muajin e fundit, ka shënuar shumë gola dhe jam krenar që jam përfshirë në shumë gola të cilat i kemi realizuar”, ka theksuar 21-vjeçari që ka përfaqësuar U19 dhe U20 të Shqipërisë fillimisht, e më pas U21 të Kosovës. Tani është pjesë e Shqipërisë së kësaj grupmoshe.

Pajaziti ka kontribuuar në 10-të nga 15-të golat e shënuar nga Fulhami në muajin mars.

Ai ka realizuar pesë herë dhe ka regjistruar po aq asistime në tri ndeshjet e Premier Leagues 2 në këtë muaj.

Forma e mirë e Pajazitit vazhdoi me një tjetër gol e dy asistime kundër West Ham Unitedit, ndërsa një gol e një asistim e pati kundër Leeds Unitedit./Koha.net