Kosova

Adresa e të gjithë turistëve dhe vizitorëve

Në zemër të qytetit të Pejës gjendet dera e hapur për të gjithë turistët, vizitorët dhe këdo që kërkon më shumë informacion për qytetin me rrethinë. Kushdo që ka pyetje se çka mund të bëjë në Pejë, çfarë mundësish ofrohen për argëtim në qytet dhe në natyrë, ku mund të qëndrojnë një natë dhe të përjetojnë mikpritjen tradicionale apo ku të shijojnë kuzhinën vendase, mjafton të drejtohet në Zyrën për Informacion Turistik të qytetit të Pejës.

Sapo hyn në këtë zyrë, menjëherë rrethohesh nga atmosfera pozitive dhe mikpritëse që e mundësojnë personeli i zyrës, të cilët prej vitesh ofrojnë informata si për destinacionin e Dukagjinit, ashtu edhe janë kontakti i parë i çdo vizitori me këtë qytet.

Albinfo zhvilloi një bisedë me Z. Virtyt Morina, i cili punon këtu që nga hapja e kësaj zyre për informacion në kuadër të Komunës së Pejës në vitin 2009.

Na tregoni shkurt për krijimin dhe historikun e Zyrës për Informacion Turistik të Pejës

Zyra për Informacion Turistik në Pejë është hapur në vitin 2009 dhe është zyra e parë e tillë në Kosovë. Kjo ka ardhur si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë që kemi pasur me qytetin Trento në Itali pasi që Peja është e binjalzuar me këtë qytet e të cilët njihen për zhvillimin e turizmit malor. Për ngritjen e kapaciteteve njerëzore për zhvillimin e projektit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zyrës në të ardhmen kemi patur përkrahje nga ekspertët e turizmit nga Trento, ndërsa investimet tjera në infrastruktur dhe promovim janë realizuar dhe ende realizohen nga Komuna e Pejës – Drejtorati për Zhvillim Ekonomik. Kjo zyre tani menaxhohet nga stafi profesional i komunës dhe është pjesë e Sektorit të Turizmit që vepron në Drejtoratin për Zhvillim Ekonomik.

Menaxhimi i kësaj zyre është i ndarë në dy pjesë: Zyra e Pritjes që ka për detyrë të ofrojë informata për turistët dhe të kërkojë informata për nivelin e kënaqshmërisë së në destinacionin e Pejës si dhe Zyra për Zhvillimin e Projekteve dhe realizimin e programeve turistike. Deri tani, zyra jonë ka zhvilluar projekte të ndryshme që janë financuar nga Komuna e Pejës dhe nga organizatat e huaja që veprojnë në Kosovë. Projektet kanë qenë të shtrira në nivel lokal, rajonal dhe ndërkufitar. Të gjitha këto projekte kanë ndikuar në zhvillmin e turizmit të aventurës dhe turizmit të qëndrueshëm në Pejë. Ndër projektet që mund të krenohemi dhe që e ka futur Pejën në hartat botërore është projekti “Majat e Ballkanit” që në vitin 2013 është kurorëzuar me çmimin e parë për menaxhim të suksesshëm të destinacionit nga WTTC – Këshilli Botëror për Turizmin dhe Udhëtimin.  https://www.youtube.com/watch?v=xAl7B-vrodc&t=5s

Tani, zyra jonë është shembull jo vetëm për Kosovën, por edhe në rajon dhe më gjerë. Këtë e kanë vërtetuar edhe shumë ekspert të turizmit të cilët kanë ardhur në Pejë përmes projekteve të ndryshme dhe kanë dhënë vlerësime shumë të mira.

Cila është esenca e rolit të kësaj zyre?  

Në esencë, roli i Zyrës për Informacion Turistik është informimi i drejtë dhe i saktë i turistëve për mundësitë që ofron destinacioni i Pejës. Kjo nënkupton që turistët, me informatat që marrin nga kjo zyrë, e organizojnë në mënyrë më të lehtë dhe më të mirë qëndrimin e tyre në destinacion e Pejës. Gjithashtu, kjo zyrë me informatat që i ofron turistit mund ta bindë që ai të qëndrojë edhe më gjatë në destinacionin tonë. Pra, roli i zyrës është shumë i rëndësishëm sa i përket zhvillimit të infrastrukturës turistike në destinacionin tonë. Në fakt, Zyra për Informacion Turistik e Pejës ka marrëdhënie direkte me ofertën dhe kërkesën, bën organizimin e destinacionit, bashkëpunon me të gjithë akterët që janë të lidhur direkt me ofertat turistike e gjithashtu edhe me akterët e tjerë që nuk kanë të bëjnë direkt me turizmin, por ndikojnë në menaxhimin sa më të mirë të destinacionit. Pra, kjo zyrë duhet të disponojë informata rreth shërbimeve që një turist mund t’i kërkojë, si për shembull transportin për qarkullim, guidat apo ciceronët, vendet për akomodime, informatat për atraksionet, infomatat për mundësitë rekreative në natyrë, informata për Kosovën dhe rajonin etj. Gjithashtu, kjo zyrë e ka për detyrë që të kontaktojë direkt me turistët ku nga ata marrin informata direkte apo përmes pyetësorve se çka kërkojnë më tepër apo rreth kënaqshmërisë së tyre me shërbimet në destinacion dhe ato informata i përpunojnë pastaj me akterët e tjerë, që destinacioni të organizohet sa më mirë.

Kjo zyre është aktive edhe në pjesën digjitale ku shumë turistë kërkojn infomacione direkt edhe para se të arrijnë në destinacionin tonë me qëllim të organizimit sa më të mirë të udhëtimit.

Adresat e zyrës janë

Uebfaqe: www.pejatourism.org

Media Sociale:

Twitter: Peja Tourism / Facebook: Peja Tourist Information / Instagram: visitpeja / LinkedIn: Peja Tourist Information Center

Që nga hapja e kësaj zyre deri më sot, sa turistë të huaj dhe vizitorë kanë marrë shërbime informimi prej jush?

Ne si Zyrë e Informacionit Turistik funksionojmë që nga viti 2009. Jemi zyra e parë që është hapur në Kosovë dhe kemi një staf të ngritur profesionalisht të cilët janë shumë miqësorë me turistët dhe njohin edhe gjuhët e huaja. Kryesisht gjatë një viti kemi deri në 5,000 turistë të huaj që kërkojnë informata të ndryshme në zyrën tonë e në përgjithësi që nga hapja kemi mbi 50,000 turistë të huaj që kanë kërkuar infomata të llojeve më të ndryshme (normal jo në vitin 2020 sepse ka qenë pandemia).

Cilat jane pyetjet qe me se shpejti merrni?

Kryesisht kërkojn informata se çka mund të bëjnë në Pejë, cilat vende mund ti vizitojn, organizimin e transportit apo mënyrën për të arritur deri te vendi, guidat apo ciceron kulturor, vendet për akomodim, vendet tradicionale për të shijuar ushqimin, materjalet promovuese, hartat e shtegut kulturor dhe hartën e shtigjeve malore, shërbimet tjera si transport, bankat, posten, kalimin e kufijve, ka kërkesa edhe për shërbimet shëndetësore, ka të tillë që kërkojn të bashkëbisedojm me ta për historin, kulturën, traditat etj., pra ka pyetje të ndryshme që na bëjnë.

Si e shihni zhvillimin e turizmit në Peje dhe rajonin përreth gjatë viteve që punoni për Zyrën e Informacionit Turistik?

Peja edhe më herët ka qenë e njohur sa i përket zhvillimit të turizmit, e sidomos turizmit tranzit ku shumë vizitorë kanë kaluar përmes Pejës dhe kanë qëndruar një natë. Problemet të cilat janë zhvilluar gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë ndikuar në një shkatërrim total të sektorit të turizmit në përgjithësi. Pas viteve 2000 kanë filluar sërish nismat për zhvillimin e këtij sektori në Pejë. Peja ka avancuar mjaft sa i përket zhvillimit të turizmit dhe është komuna më e suksesshme në Kosovë në drejtimin e turizmit. Gjithashtu në ”Planin zhvillimor komunal 2020-2028” të Pejës, turizmi është vendosur si shtylla kryesore për zhvillim, andaj edhe projektet janë të orientuara në drejtimin që t’i ndihmojnë zhvillimit të turizmit. Pra, Peja sot ka një infrastrukturë mjaft të ngritur, është duke punuar së bashku me sektorin privat për t’i ngritur kapacitetet e akomodimit sa më shumë dhe me një cilësi sa më të mirë, është duke punuar me organizata të ndryshme si ato ndërkombëtare e po ashtu vendore në zhvillimin e aktiviteteve rekreative e sidomos ato malore, është duke punuar gjithashtu në qasjen dhe organizimin e qasjes sa më të lehtë tek atraksionet natyrore dhe kulturore, trajtimin e trashëgimisë kulturore dhe prezantimin e saj tek turistët etj. Pra, duke i parë të gjitha këto potenciale për zhvillimin e turizmit dhe duke vlerësuar rrjedhat botërore të turizmit, Peja është e orientuar në zhvillimin e turizmit që nga njëra anë do ta mbrojë trashëgimin e saj, e nga ana tjetër do t’i stimulojë banorët vendas të zhvillojnë bizneset e tyre dhe të krijojnë vetëpunësim nga sektori i turizmit. Pra, Peja është e orientuar në zhvillimin e turizmit të aventurës, turizmit malor, turizmit rural, turizmit të qëndrushëm etj.

Cilat janë atraksionet më të pëlqyera nga turistët?

Nga atraksionet natyrore më të pëlqyerat janë Gryka e Rugovës, pasi që me të vërtetë është një bukuri e papërshkruar, Liqeni i Liqenatit dhe ai i Drelajve, Shtegu i Ujvarës, Ujëvara e Drinit të Bardhë, Shpella e Radavcit dhe trashëgimia kulturore në Pejë, ndërsa nga ativitetet rekreative të cilat zhvillohen më të pëlqyerat janë Via Ferrata, ecja malore, vizita shpellave dhe biçiklizmi malor.

Cilat janë planet e mëtejshme për zhvillimin e ofertës turistike të Pejës?

Edhe në të ardhmen, Komuna e Pejës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e ofertës turistike të cilën e ka të shtrirë në nivel lokal, rajonal dhe ndërkufitar. Kryesisht do të investohet në ofertën e turizmit të aventurës si një lloj i turizmit i cili është duke u ngritur mjaft shpejt në botë dhe është një lloj turizmi i cili nuk kërkon shumë investime ndërsa kthimi i të hyrave shpërndahet direkt tek banorët vendas.

Në nivel lokal do të investojë në zhvillimin e shtigjeve malore lokale në bjeshkët e Rugovës, zgjerimin e shtigjeve Via Ferrata, hapjen e vijave për ngjitje në shkëmbinj, ofertën e speleologjisë, fluturimin me paraglide, ski dhe snoëshoes, oferta familjare dhe oferta edukative ekskursionesh, ngritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve dhe akomodimit me sektorin privat si dhe oferta tjera të cilat do të ndikojnë në zhvillimin e destinacionit të Pejës si vend atraktiv.

Në nivel rajonal, bashkë me komunat tjera do të investojë në ofertën që do të zgjas deri në 1 javë ku do të lidhen komunat e Rrafshit të Dukagjinit përmes shtigjeve malore për ecje dhe biçiklizëm, shtigjeve të trashëgimisë kulturore etj. Në nivel ndërkufitar do të jetë e lidhur Malin e Zi dhe Shqipërinë me ofertat për ecje malore si Peaks of the Balkans, Via Dinarica pastaj ofertat kulturore etj.