Jeta në Zvicër

Ada Marra zgjidhet nënkryetare e PS

Këshilltarja kombëtare e Kantonit Vaud, Ada Marra, të dielën është zgjedhur si zëvendësuese e Géraldine Savary, e cila njoftoi tërheqjen e saj

Këshilltarja kombëtare e Kantonit Vaud, Ada Marra, të dielën është zgjedhur për nënkryetare të Partisë Socialiste, në ditën e dytë të Kongresit PS në Windisch (AG), shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Ajo zëvendëson këshilltaren shtetërore Géraldine Savary, e cila njoftoi dorëheqjen e saj më 6 nëntor.

E vetme në garën për të zëvendësuar Géraldine Savary, Ada Marra u zgjodh unanimisht. Edhe politikani nga Valisi, Mathias Reynard, kishte preferuar të heqë dorë nga kandidatura. Ai nuk donte që dikush ta fajësonte se ka dashur t`ia marr pozitën një gruaje.

E diplomuar në shkencat politike, Ada Marra iu bashkua me Këshillit Kombëtar në vitin 2007. Më parë, shtetasja e dyfishtë italiane-zvicerane, e moshës 45-vjeçare, u zgjodh në Odën e Lartë të Kantonit Vaud. Ajo është shumë e përkushtuar ndaj çështjeve të migracionit dhe të rinjve dhe kryeson Fondacionin “Mère Sofia” dhe është anëtare e Komitetit drejtues të Caritas – Zvicër.

Géraldine Savary njoftoi tërheqjen e saj si nënkryetare e PS-së, më 6 nëntor, pas gjashtë vitesh në këtë pozitë. E sulmuar për lidhjet e saj me miliarderin Frederik Paulsen, 50-vjeçarja vendosi të ndalet, duke deklaruar se ajo kishte probleme me shëndetin e saj, njofton Albinfo.ch.

Këshilltare shtetërore që nga viti 2007, ajo nuk do të marr pjesë as në zgjedhjet federale të tetorit 2019, siç përsëriti të dielën.

Pjesa tjetër e kryesisë së PS, mbetet e pandryshuar. Christian Levrat u rizgjodh kryetar i partisë në mënyrë unanime.