Kosova

AARC bën thirrje për pezullimin e tarifave për importet nga SHBA

Këshilli i marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane bën thirrje për pezullimin e tarifave për importet nga SHBA dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC) i ka bërë thirrje Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa proaktive duke pezulluar të gjitha tarifat për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht, SHBA-ja ka vendosur një tarifë prej 10 për qind për importet nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa Maqedonia e Veriut përballet me një tarifë më të lartë, prej 33 për qind.

“E përgëzojmë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për lidershipin e saj në propozimin e menjëhershëm për të pezulluar tarifat mbi importet nga SHBA. Kjo nismë është një hap strategjik drejt thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe përafrohet me objektiva më të gjera të politikës së jashtme. Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës të ecë përpara me miratimin dhe zbatimin e kësaj politike pa vonesë”, thuhet në deklaratën e AARC.

Këshilli u ka bërë thirrje gjithashtu qeverive të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që të ndjekin shembullin e Kosovës duke eliminuar tarifat për mallrat amerikane. Sipas AARC, një qasje e përbashkët rajonale do të forconte bashkëpunimin ekonomik dhe do të dërgonte një sinjal të fortë te Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për gatishmërinë e rajonit për bashkëpunim konstruktiv.

Përveç pezullimit të tarifave, Këshilli propozon që katër vendet të përgatitin një propozim të përbashkët gjithëpërfshirës për Shtetet e Bashkuara, që do të synojë krijimin e një mjedisi ekonomik të integruar dhe atraktiv për investitorët amerikanë.

“Me një front të përbashkët, këto vende mund të krijojnë një treg më të madh dhe konkurrues, të cilin e karakterizon rritja ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare afatgjata me SHBA-në”, thuhet në deklaratë.

AARC thekson se një nismë e tillë do të shërbente jo vetëm për përfitime ekonomike, por edhe për të dëshmuar përkushtimin e përbashkët ndaj parimeve të tregtisë së lirë dhe aleancave strategjike, duke fuqizuar më tej pozicionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si partnerë të vlefshëm në komunitetin transatlantik.

AARC shprehet e gatshme të mbështesë çdo iniciativë që nxit stabilitet ekonomik, zhvillim rajonal dhe forcim të marrëdhënieve diplomatike mes rajonit dhe SHBA-së.