Lajme

AAK-ja zyrtarisht kundër koalicionit me PDK-në

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se kjo parti nuk ka lëvizur nga pozicioni i mëhershëm në raport me koalicionin e mundshëm më PDK-në. Sipas tij, AAK-ja nuk ka hyrë në kurrfarë pazare për ndarjen e pushtetit me PDK-në e Hashim Thaçit në qeverinë e ardhshme.

Sipas Isufit, vizita e një delegacioni të lartë të AAK-së në Hagës, është një vizitë rutinore që zhvillohet sipas procedurave të Tribunalit të Hagës, ku Ramush Haradinajn mund ta vizitojnë të afërmit apo miqtë, kolegët e tij.

“Nuk ka lëvizje nga pozicioni i mëhershëm i AAK-së”, ka thënë Isufi më Zëri, duke ritheksuar se informacionet për përafrimin e AAK-së me PDK-në janë vetëm pjesë e shkrimeve mediale dhe asgjë më tepër.

Edhe zyrtarë të tjerë të AAK-së nuk u besojnë as analizave dhe paralajmërimeve se me koalicionin eventual me PDK-në, kjo parti do t’i humbiste disa nga figurat e saj, si Blerim Kuçi e Burim Ramadani.

Një zyrtar i AAK-së ka thënë për Zëri se një formulë e tillë qeverisëse, e cila nuk është miratuar nga AAK-ja, eventualisht mund të supozohet se mund të lërë jashtë partisë Melihate Tërmkollin, Naim Rrustemin e Driton Talin, të cilët i janë bashkuar vonë AAK-së dhe kanë një lloj “konflikti konceptual” që të përfshihen në koalicion me PDK-në.