Lajme

A po përjeton Zvicra një rilindje të tramvajit?

Dikur thuajse çdo qytet i madh zviceran kishte rrjetin e tij të tramvajeve: Winterthuri, Lucerni, Schaffhauseni, Montreux, Freiburg, St. Moritz dhe Locarno — të gjitha me rrjete të zhvilluara deri në mesin e shekullit të kaluar. Por modernizimi i shpejtë dhe shtimi i trafikut motorizuar bënë që shinat të hiqeshin, për t’u lënë vendin makinave dhe autobusëve. Nga një rrjet kombëtar i dendur, mbetën vetëm pesë qytete me tramvaj: Cyrihu, Bazeli, Berna, Neuchâtel dhe Gjeneva. Edhe në Gjenevë, tramvaji u reduktua për një kohë vetëm në një linjë.

Por duket se tramvaji po kthehet sërish në skenë. Në qendër të vëmendjes sot janë Lozana dhe Lugano, të cilat po ndërmarrin hapa konkretë për të rikthyer këtë mjet transporti publik — më të qëndrueshëm, më të shpejtë dhe më efikas.

Lozanë: Tramvaji kthehet pas 60 vitesh

Rrjeti i tramvajit në Lozanë dikur shtrihej në afro 70 kilometra, por u shfuqizua në vitin 1964. Sot, pas gjashtë dekadash, qyteti po ndërton një linjë të re moderne, e cila do të lidhë Lozanën me Renens. Në fazën e dytë, rrjeti do të zgjerohet deri në St. Croix.

“Tramvaji do të zëvendësojë tre linja autobusi dhe do të rrisë kapacitetin e transportit publik,” konfirmon kompania e transportit publik të qytetit. Duke pasur korsinë e tij të dedikuar, tramvaji do të garantojë orare më të qëndrueshme dhe lëvizje të pandikuara nga trafiku i dendur. Tramvaji pritet të rikthehet në rrugët e Lozanës në vitin 2026, transmeton albinfo.ch.

Lugano: Projekti gati, nis ndërtimi në 2027

Edhe në Ticino, tramvaji është në horizont. Projekti për zgjatjen e linjës ekzistuese hekurudhore nga Ponte Tresa deri në qendër të Luganos tashmë është përfunduar, ndërsa financimi federal është miratuar. Pjesa më ambicioze e këtij projekti është ndërtimi i një tuneli nën kodrën ku ndodhet stacioni i trenit të qytetit, me një stacion të ri nëntokësor. Udhëtimi nga Bioggio drejt qendrës pritet të shkurtohet me 15 minuta.

Sipas kompanisë “Rete Tram-Treno del Luganese”, ndërtimi parashikohet të fillojë në vitin 2027, ndërsa tramvaji i parë modern pritet të dalë në qarkullim në vitin 2035 — plot 75 vjet pas tramvajit të fundit në këtë rajon.

Një trend që mund të përhapet në gjithë vendin

Rilindja e tramvajit nuk ndalet me kaq. St. Gallen është një tjetër qytet ku debati për rikthimin e tramvajit po bëhet gjithnjë e më i zëshëm. Sipas raportimeve të Radios Zvicerane SRF, ideja po fiton terren. Edhe në Winterthur, një projekt për tramvajin është futur në axhendën e diskutimeve, sipas të përditshmes Landbote. Një studim i vitit 2021 vuri në dukje gjithashtu se tramvajet do të ishin një zgjidhje e përshtatshme për të lidhur qytetin e Freiburgut me zonën e tij metropolitane. I vetmi përjashtim mbetet qyteti Biel, ku një projekt i ngjashëm u pezullua në vitin 2015.

Rikthimi i tramvajit: mjeti i transportit të së ardhmes urbane?

Nga një simbol i së kaluarës urbane, tramvaji po kthehet sot si një zgjidhje moderne, e gjelbër dhe praktike për qytetet zvicerane që kërkojnë të përballen me sfidat e trafikut, ndotjes dhe rritjes së popullsisë. Lozana dhe Lugano mund të jenë vetëm fillimi i një rilindjeje që do të shtrihet në të gjithë vendin.