Lajme

A po i jep fund ëndrrës së BE-së rritja e kontrolleve të kufijve të brendshëm?

Më shumë vende të BE-së po sjellin kontrolle të kufijve të brendshëm, edhe pse Bullgaria dhe Rumania janë të vendosur të bëhen anëtare të plotë të Zonës Shengen.

Në qershor 2025, fshati Shengen në jugperëndim të shtetit të vogël të BE-së të Luksemburgut do të ketë festime të mëdha. Pikërisht në Shengen, më 14 qershor 1985, ministrat nga Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Franca dhe Gjermania nënshkruan marrëveshjen që hapi rrugën për kalimin kufitar midis shteteve të tyre pa kontrolle identiteti.

Kjo ishte bërthama e asaj që është bërë e njohur si Zona Shengen, e cila tani mbulon 25 vende të BE-së, si dhe shtetet joanëtare të BE-së, Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Liria e lëvizjes që gëzojnë shumica e evropianëve sot përmendet shpesh nga Komisioni Evropian si një nga “xhevahiret e kurorës” të integrimit evropian. Sidoqoftë, xhevahiri ka filluar të humbasë një pjesë të shkëlqimit të tij.

Ministri i Brendshëm i Luksemburgut, Leon Gloden, është kritik ndaj atyre vendeve të Shengenit që kanë rifutur kontrollet kufitare në përgjigje të një numri të madh emigrantësh.

“Kjo është e papranueshme për Luksemburgun”, tha Gloden në takimin e ministrave të brendshëm të BE-së më 12 dhjetor 2024. “Shengeni është një nga arritjet më të mëdha të BE-së. Ne nuk mund të lejojmë që kufijtë të rivendosen në mendjet e njerëzve”./DW