Maqedonia
A po fillon një epokë e re politike në Maqedoninë e Veriut ?
Bashkimi i tri formacioneve politike shqiptare, respektivisht Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, është një ndryshim politik i ri dhe domethënës në rrjedhat politike të Maqedonisë së Veriut
Krijimi i një blloku politik brendashqiptar, respektivisht i Lidhjes Evropiane për Ndryshim, përbën një lajm të ri për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët, që prej 23 vjetësh rresht udhëhiqen dhe kontrollohen nga sistemi politik i Ali Ahmetit, ose “Parti Sistem”. Bashkimi i tri formacioneve politike shqiptare, respektivisht Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, është një ndryshim politik i ri dhe domethënës në rrjedhat politike të atij vendi.
Sa Lidhja Evropiane për Ndryshim do të arrijë të ngrihet dhe të fuqizohet në skenën politike në Maqedoni si një opozitë e mirëfilltë brendashqiptare? A do të ndodhë ndryshimi politik shqiptar i shumëpritur në Maqedoninë e Veriut ? Cilët janë faktorët kyç që do të ndikojnë që një ndryshim i tillë të bëhet realitet karshi kreut të Bashkimit Demokratik Shqiptar, i cili është aq gjatë në pushtet ?
Që nga Marrëveshja e Ohrit, e vitit 2001, BDI ka qenë kuazi-vazhdimisht pjesë e pushtetit. Kjo strukturë ka arritur t`i neutralizojë (lexo t’i përçajë dhe t’i kontrollojë) forcat politike shqiptare që fillimisht janë profiluar si parti politike shqiptare opozitare, por që kanë përfunduar duke u përçarë në shumë degë, apo duke iu bashkangjitur koalicioneve të prira nga BDI-ja. Siç dihet në historinë e shqiptarëve në Maqedoni, copëtimi i nyjës shqiptare në rrafshin e organizimit politik ka qenë formulë e ndjekur nga politikat nacionaliste maqedonase, por edhe nga Ali Ahmeti dhe rrethi i tij. Ky i fundit edhe ka ndjekur strategjinë e ushqimit të klientelizmit të liderëve të partive politike shqiptare, duke iu ofruar insentive (lexo poste ministrore apo poste drejtorive kyçe) për t’u bërë pjesë e pushtetit dhe duke ua mbajtur kështu derën me bisht.
Po këtë konfiguracion dhe mjet presioni e kanë praktikuar partitë e ndryshme maqedonase në pushtet me vetë BDI-në, duke obliguar rreshtimin e kësaj të fundit me vendimet e tyre politike, që shpesh kanë qenë në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar. Kështu zaten ndodhi edhe me Aleancën Shqiptare, gjë që edhe shpjegon përse ajo nuk i është bashkuar këtij blloku të ri opozitar shqiptar. Ky fakt habit shumë observatorë! Në realitet, futja në pushtet nënkupton qasje në resurse për individë apo struktura politike. Kjo parti sistem, de fakto oligarki politiko-ekonomike, duhet të ndryshojë, sikurse për shoqërinë mbarë, por edhe vetë formacionin politik në fjalë, fati i të cilit lidhet ngushtë me një figurë autoritative politike, gjë që asgjëson debatin demokratik dhe raportin e forcave brendapartiake.
Pyetja që shtrohet është sa ky ndryshim i paraqitur si i tillë nga tri, respektivisht katër formacionet politike të sipërpërmendura, që kanë vetëm 6 ulëse në Parlament, do të mund të bëhet realitet? Cilat janë gjasat e tyre për t’u imponuar në zgjedhjet e majit si strukturë e re politike shqiptare për ta gëzuar mbështetjen e shumicës së votës shqiptare?
Disa faktorë me peshë do të ndikojnë në ngritjen dhe fuqizimin, apo dështimin e tyre.
I pari faktor është rreziku i mbrojtjes së interesave partiake, lexo lidershipin e partive, në vend të atyre të një strukture të vetme të mirëfilltë, sidomos në momentin e zgjedhjeve dhe fitimit të ulëseve në Kuvend. Prandaj, për të evituar shiizma të mundshëm në momente kritike, apo edhe relacione klienteliste të pjesëtarëve të tyre me partinë në pushtet (të cilët do të joshen përmes ofertave materiale apo premtimeve me poste), do të duhej që të gjitha të shkrihen në një subjekt të vetëm politik? Kjo do ta konsolidonte dhe unifikonte nivelin e kuadrove, do të zgjeronte edhe bazën militante në terren, sepse do të ngjallte simpati dhe shpresë te populli, i cili që me vite pret ndryshim. Suksesi apo jo i implementimit të tyre në teren varet nga mesazhi i unitetit të tyre, ngase BDI posedon kapacitete kontrolli të dëshmuara në nivel lokal (duke gëzuar resurse edhe si parti, edhe si shtet).
Faktor me peshë është edhe programi i tyre politik dhe vizioni shoqëror dhe historik që ata ofrojnë, veçanërisht në relacion me nevojat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe në Ballkan në përgjithësi ? Thënë ndryshe, cila është oferta e tyre, sidomos në plan ekonomik dhe zhvillimor? Nuk mjafton të thonë “ne do ta luftojmë korrupsionin”, por edhe ta sqarojnë se cili është projekti i tyre shoqëror dhe rruga që do e ndjekin për të çrrënjosur praktikat gangrenike endemike thellë të ngulitura, nepotizmit dhe arbitraritetit të partisë sistem? Sa kanë kapacitete kuadrosh për të përpiluar programe moderne dhe realiste, si dhe planveprime për implementimin e tyre? Si pozicionohen me vlerat evropiane, apo motoja „evropiane“ është një retorike e zbrazët ? Çfarë vendi kanë liritë individuale dhe barazia gjinore, kurse tani për tani gratë janë dekor në tribunat e tyre dhe jo aktore politike që marrin fjalë dhe vendime? Cilat janë konkretisht vlerat që mbron ky koalicion? Si mendojnë të krijojnë kondita evropiane të një hapësire që është me dekada larg dinamikave evropiane, respektivisht pre e konservatizmit?
Faktor i tretë me rëndësi është se sa liderët e formacioneve politike në fjalë janë transparentë në raport me të kaluarën e tyre politike në ushtrimin e pozicioneve të pushtetit, qoftë në nivel lokal apo qendror? A kanë të kaluara me afera korruptive që mund të shpërthejnë në moment kritike të zgjedhjeve, sepse kjo mund të kushtojë shumë? Sa ata janë vërtet të pavarur dhe të pakushtëzuar? Si do të bindet populli nëse tashmë në mesin e tyre ka politikanë që kanë qenë të përfshirë në praktika sistemike të korrupsionit apo ryshfetit ? Sa do të arrijë të imponohen në opinion publik, me strategji komunikimi të mirëfilltë, mu për këto çështje? Dhe, si do të gjenerojnë resurse për luftën politike karshi një partie, e cila gëzon mjete financiare konsekuente.
Një tjetër faktor me peshë se sa do gëzojnë mbështetje nga faktorët relevantë perëndimorë në Maqedoninë e Veriut, të cilët nganjëherë i kanë mbyllur sytë në menaxhimin e vendit, për hir të stabilitetit të rajonit si dhe interesave më të gjera gjeopolitikë? Mbështetja perëndimore do të pasojë po ashtu edhe me përmbajtjen e ofertës politike dhe vizionin që ky koalicion do ta ofrojë, si dhe nevojën e krijimit të një opozite të mirëfilltë demokratike, edhe shqiptare, (pra jo vetëm maqedonase) për të kontrolluar pushtetin (check and balance) dhe t`u japë fund “Partive Sistem”, që kontrollojnë absolutisht çdo gjë në vend. Faktorit ndërkombëtar do të jetë legjitim t`i kërkohet që vota e shqiptarëve të mbrohet, respektivisht të mos lejohet të vidhet apo të manipulohet, sepse dihet se praktika të tilla janë specialitet i militantëve politikë që dinë me mjeshtri të mbushin kutitë e votimeve apo të blejnë vota me fise.
Së fundit, si do t`i sigurohet mundësia diasporës shqiptare me numër të madh në Evropë apo SHBA – e cila është e etur për ndryshim dhe progres në vendin e prejardhjes – ta votojë ndryshimin? Sa pjesëtarët e Maqedonisë së Veriut do ta gëzojnë këtë të drejtë, dhe sa do të mbrohet vota e tyre, kur dihet se çfarë ndodhi me procesin e regjistrimit jashtë vendit, i cili në fakt dështoi, dhe për të cilin arsyeja kryesore – respektivisht pesha demografike shqiptare jashtë vendit – është tashmë sekret publik.
Dështimi i implementimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, sidomos në rrafshin e të drejtave politike dhe gjuhësore kolektive shqiptare, është pasuar me regres të mbarë shoqëror e zhvillimor, qoftë në planin politik (qytetarë të dorës së dytë), ekonomik, social, mediokritet edukativ e arsimor, varfëri preokupuese të krijimtarisë kulturore dhe civilizuese. Pjesa shqiptare e kryeqytetit, Shkupit, sot më shumë i ngjan një qyteti të Lindjes së Mesme apo të Largët. Ky realitet i fundit është më se brengosës, veçanërisht me humbjen progresive e trajtave shqiptare të hapësirave shqiptare në këtë shtet, dhe rrëshqitjen drejt vlerave dhe normave jashtë evropiane, veçanërisht në aspektin e emancipimit dhe vlerave demokratike, të sundimit të së drejtës, pavarësisë së gjykatave, transparencës së pushtetit, lirive të opinionit dhe atyre individuale, me theks të veçantë të barazisë gjinore, krijimtarisë kulturore dhe artistike, si dhe mirëqenies së përgjithshme të popullit shqiptar në ato hapësira. Mjafton të analizohen indikatorët e zhvillimit njerëzor për të kuptuar se ku ndodhen aktualisht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Për këtë dështim historik, Partia-Sistem mban përgjegjësi të planit të parë.
- Dr. Bashkim Iseni, themelues i platformës Albinfo.ch dhe njohës i historisë politike të Maqedonisë së Veriut
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?