Tematike

A mund të jetojë mirë një familje në Zvicër me një pagë mesatare?

Zvicra është një vend i shtrenjtë, më shumë në disa rajone sesa në të tjera. Sa mirë mund të jetojë me të ardhura mesatare një familje me dy fëmijë?

Së pari, ekziston kjo deklaratë nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), bazuar në studimin e saj të shpërndarjes së të ardhurave:

“Pavarësisht niveleve të larta të çmimeve në Zvicër, gjendja financiare e popullatës, pas zbritjes së shpenzimeve të detyrueshme, është më komode se ajo e vendeve fqinje dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, shkruan TheLocal.

Kjo bazohet në të dhënat e vitit 2021, kështu që situata mund të ketë ndryshuar pak pasi inflacioni goditi një vit më vonë, por pohimi se, në përgjithësi, banorët e Zvicrës janë më mirë se homologët e tyre evropianë, mbetet i vërtetë, përcjell albinfo.ch.

Të ardhurat mesatare në Zvicër janë 6,665 franga në muaj, supozohet se kjo shumë është neto, që do të thotë se gjysma e popullsisë fiton më shumë dhe gjysma tjetër më pak.

Nëse je një person i vetëm që e bën këtë pagë, atëherë pa dyshim që mund të jetosh rehat – edhe pse jo në mënyrë ekstravagante – edhe në qytete me kosto të lartë si Cyrihu dhe Gjeneva.

Në shumë raste, të dy prindërit do të punësohen dhe të ardhurat e tyre kolektive do të tejkalojnë të ardhurat mesatare.

Nëse, megjithatë, 6665 franga në muaj është gjithçka që ka në dispozicion një familje me katër persona, atëherë të përballosh bukën e gojës mund të jetë mjaft sfidë.

Shumë varet, natyrisht, se ku jeton në Zvicër, pasi disa zona janë më të shtrenjta se të tjerat.

Por ky vështrim vlen për qytetin/rajonin me koston më të lartë të jetesës – Cyrihun.

Kjo zonë analizohet sepse këtu vendosen shumë shtetas të huaj, për shkak të mundësive ekonomike të rajonit.

Të ardhurat prej 6665 frangash nuk do ta çojnë familjen shumë larg.

Një familje që ka të ardhura mesatare ose të ulëta nuk do të jetojë në qendër të qytetit, por më tepër në periferi, ku një qira tipike për një apartament me tri dhoma (madhësia minimale për një familje me dy fëmijë) është të paktën 2000 franga.

Pra, pas pagesës së qirasë, të ardhurat e mbetura të disponueshme tkurren në 4665 franga. Nga kjo, ata do të duhet të paguajnë primet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për të gjithë anëtarët e familjes.

Duke supozuar se të rriturit kanë marrë një politikë me zbritjen më të lartë të bashkëpagesës (dhe për rrjedhojë më të lirë në përgjithësi), kostoja do të jetë ende të paktën 300 franga në muaj, duke u shtuar, minimalisht, në 600 franga për prindërit.

Sigurimi për fëmijët e mitur është më i lirë, rreth 90 franga në muaj, që shkon deri në 180 franga; gjithsej, sigurimi shëndetësor për këtë familje kushton rreth 780 franga në muaj.

Tani të ardhurat e saj të disponueshme bien në 3,885 franga.

Shtoni të gjitha shërbimet komunale (rreth 290 në muaj), internetin dhe telefonat celularë me plane të pakufizuara (100 franga) dhe transportin publik – 240 franga për të rritur dhe 175 për fëmijë për një leje mujore që mbulon të gjitha zonat – dhe tani keni 2685 franga mbetur nga paga juaj mesatare prej 6,665.

Nëse familja zotëron një automjet, kostot shtesë do të “kapin” gjithashtu një pjesë të të ardhurave.

Kjo shumë, pra 2685, mund të duket si shumë para për ata që jetojnë në eurozonë, por mbani mend se kjo familje nuk ka blerë ende asnjë send ushqimor.

Në minimum, dhe vetëm nëse blejnë me kursim, ata do të shpenzojnë afërsisht 1000 franga në muaj për nevojat shtëpiake, si ushqime, pije, materiale pastrimi, tualetin dhe gjëra të tjera të ndryshme. Kështu që tani u kanë mbetur 1685 franga.

Nëse janë të kursyer, familja do të shpenzojë 1000 franga për ushqime dhe gjëra të tjera të domosdoshme.

Megjithatë, një pjesë e këtyre parave do të duhet të shpenzohen për veshje dhe mallra dhe shërbime të tjera të ndryshme, kështu që në fund të muajit kjo familje do të mbetet me shumë pak – ose aspak.

Ndërkaq, Zvicra ka një sistem të shtesave familjare të destinuara për të kompensuar pjesërisht kostot e rritjes së fëmijëve.

Kushdo që është i punësuar ose i vetëpunësuar dhe fiton të paktën 592 franga në muaj, mund të kërkojë ndihmë familjare.

Të paktën 200 franga në muaj paguhen për çdo fëmijë deri në 16 vjeç. Kjo do të thotë që familja me të ardhura mesatare do të marrë 400 franga shtesë në muaj.

Për më tepër, duke qenë se 780 frangat që kjo familje paguan çdo muaj për sigurimin shëndetësor tejkalojnë 8 për qind të të ardhurave të tyre, ata kualifikohen për subvencione nga qeveria.

Shuma e saktë e ndihmës financiare do të varet nga kantonet e vendbanimit, pasi këto tarifa ndryshojnë.

Pra, kjo është situata e përgjithshme e një familjeje prej katër anëtarësh që jeton në Cyrih dhe fiton një pagë mesatare.

Është e vetëkuptueshme që në zonat më të lira, për shembull në Jura, paga mesatare shkon shumë më larg se në Cyrih.

Për shembull, një apartament, 100 metra katrorë në kanton jepet me qira për 1200 franga në muaj, ose edhe më pak, në varësi të qytetit.

Kostot e tjera të jetesës janë gjithashtu më të lira, që do të thotë se 6665 franga është një pagë e mirë në atë kanton.

Vlen të përmendet se të gjitha shifrat e kostove dhe çmimeve në këtë artikull janë të përafërta dhe të bazuara në të dhënat e disponueshme, të cilat mund të jenë pak a shumë të përditësuara për të pasqyruar situatën aktuale.

Gjithashtu, zakonet e shpenzimeve të familjeve mund të ndryshojnë, gjë që do t’i zhvendoste këto shifra gjithashtu lart ose poshtë.