Lajme

A ju mbulon sigurimi shëndetësor në Zvicër nëse sëmureni jashtë vendit?

A planifikoni t’i kaloni pushimet jashtë vendit këtë vit, por nuk jeni të sigurt nëse sigurimi shëndetësor me bazë në Zvicër ju mbulon në vendet e huaja?

A do të shkoni jashtë vendit këtë verë? Nëse po, do të ishte shumë e mençur të rishikoni sigurimin tuaj shëndetësor zviceran përpara se të largoheni, në mënyrë që të dini se çfarë do të mbulojë dhe nuk do të mbulojë në rast se ju ose një anëtar i familjes sëmureni jashtë vendit.

Sa për kujtesë – edhe pse pa dyshim që ju tashmë e dini këtë – sigurimi shëndetësor është i detyrueshëm në Zvicër. Pra, nëse jeni banor i ligjshëm këtu, ju keni të paktën mbulimin bazë të kërkuar, LaMal.

Sigurimi juaj zviceran do të paguajë për urgjencat mjekësore jashtë vendit

Nëse sëmureni gjatë pushimeve jashtë vendit, keni një aksident ose keni nevojë për një operacion urgjent, sigurimi zviceran do të paguajë për trajtimin e menjëhershëm urgjent që ju kërkoni, transmeton albinfo.ch.

Pasi gjendja juaj të stabilizohet nga mjekët vendas dhe të jetë e sigurt për ju që të udhëtoni, do të transferoheni përsëri në Zvicër në një spital më të afërt me vendbanimin tuaj.

Mbani në mend, megjithatë, se kur bëhet fjalë për mbulimin e sigurimit, jo të gjitha vendet janë krijuar të barabarta.

Nëse sëmureni në një nga vendet e BE-së ose të EFTA-s (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), Karta Evropiane e Sigurimit Shëndetësor (EHIC) – domethënë karta juaj e rregullt zvicerane e sigurimit – ju jep të drejtën të merrni të njëjtat shërbime me pagesë si dikush që është i siguruar në atë vend. Pra, mbajeni gjithmonë kartën me vete kur udhëtoni në BE ose në një shtet të EFTA-s.

Karta ka gjithashtu një numër telefoni që mund ta telefononi nga jashtë. Fillon me +41, ndërsa numri i kontaktit lokal zakonisht fillon me 08, shkruan thelocal.

Kur të ktheheni në Zvicër, do t’ju duhet t’i dërgoni dokumentet që keni marrë nga një qendër mjekësore e huaj në sigurimin tuaj për rimbursim.

Sigurimi do të rimbursojë deri në maksimum dyfishin e asaj që do të kushtonte i njëjti trajtim në Zvicër.

Kujdes, gjërat bëhen më të komplikuara (dhe shumë më të shtrenjta) nëse udhëtoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kostoja e kujdesit mjekësor në SHBA është jashtëzakonisht e lartë dhe madje edhe trajtimi më i thjeshtë do të kushtojë më shumë se dyfishi i asaj që do të kushtonte në Zvicër. Kjo është arsyeja pse, nëse keni vetëm mbulim bazë (LaMal), politika juaj e sigurimit shëndetësor zviceran nuk do të mjaftojë për të mbuluar çdo kosto që ju bëni. Megjithatë, nëse keni një sigurim privat shtesë, operatori juaj do të mbulojë më shumë kosto.

Ju do të duhet të paguani trajtimin me një kartë krediti, kopjen e së cilës duhet ta dërgoni te sigurimi juaj. Dhe mos harroni t’i kërkoni mjekut ose spitalit që t’ju japë një kopje të detajuar të të gjitha tarifave, si dhe shënimet e trajtimit, sepse në të kundërt sigurimi nuk do t’ju japë rimbursim.

Një këshillë përpara se të shkoni në vende me kosto të lartë si SHBA:

Merrni sigurim shëndetësor shtesë për të mbuluar koston e trajtimit jashtë vendit.

Shumica e siguruesve kryesorë në Zvicër, si TCS, Allianz dhe AXA, ofrojnë mbulim shëndetësor global shtesë që do të paguante për shumicën (nëse jo të gjitha) të kostove të cilat nuk rimbursohen nga sigurimi juaj kryesor.