Tematike

A janë të përndjekur politikë azilkërkuesit nga Eritrea?

"Ne pranojmë në mënyrë masive njerëz që nuk janë refugjatë por migrantë ekonomikë të cilët në parajsën e azilit, në Zvicër, kërkojnë një jetë më të mirë", ka thënë deputeti i SVP-së Hans Fehr

Statistikat e publikuara dje nga Berna zyrtare që tregojnë për një rritje të numrit të azilkërkuesve kanë marrë shumë shpejt përgjigjen nga kundërshtarët e “hapjes së dyerve pa kriter”. Sidomos shtimi i madh i numrit të refugjatëve nga Eritrea ka ngjallur reagime të ashpra në mesin e SVP/UDC-së. Nga afër 8000 azilkërkues të ardhur gjatë gjashtë muajve të fundit, rreth 3300 janë nga Eritrea.

Deputeti nacional nga kjo parti, Hans Fehr ka thënë se “me dëshpërim e ka marrë lajmin e publikuar të hënën nga Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM). Ai nuk e kupton përse kjo rritje para së gjithash ka të bëjë me refugjatët nga Eritrea, shkruan 20minuten.ch. “Është një shtim eksploziv. Ne pranojmë në mënyrë masive njerëz që nuk janë refugjatë por migrantë ekonomikë të cilët në parajsën e azilit, në Zvicër, kërkojnë një jetë më të mirë”, ka thënë Fehr dhe ka tërhequr vërejtjen se kjo shkon në dëm të refugjateve të vërtetë.

“Zonja Sommaruga duhet të ndalojë politikën e saj të dyerve të hapura dhe të dërgojë këtë mesazh në botë: `Askush nuk mund të qëndrojë në Zvicër nëse nuk i rrezikohet jeta`”, ka thënë Fehr. Ai ka shtuar se autoritetet daneze, norvegjeze dhe madje edhe ato zvicerane së fundi e kanë vlerësuar situatën e të drejtave të njeriut në Eritre si dukshëm më të mirë se që ishte më parë. Për këtë arsye ai, pak kohë më parë pati bëre një mocion parlamentar me kërkesën “Nuk ka azil për migrantët nga Eritrea”.

Në të vërtetë migrantët eritreanë, kryesisht meshkuj nga mosha 15 deri 30 vjeçare janë ose dezertorë nga ushtria ose të tillë që nuk kanë dashur të kryejnë shërbimin ushtarak, transmetin albinfo.ch. Në rast kthimi ata i presin dënime të larta dhe arbitrare prandaj atyre, sipas SEM u njihet azili në Zvicër.

Ndryshe nga SVP, partia tjetër e madhe SP/PS është kundër ndryshimit të qasjes ndaj refugjatëve eritreanë. “Sa kohë që të gjitha shtetet tjera të Evropës Perëndimore ua njohin azilin pothuaj të gjithë personave nga Eritrea, këtë duhet ta bëjë edhe Zvicra. Nuk ka alternativë, si nga ana humanitare ashtu dhe nga detyrimet ndërkombëtare që ka Zvicra, përcjell albinfo.ch raportimet e medieve zvicerane. Rreziku për të kthyer mbrapsht një person të ikur nga Eritrea është tepër i madh.

Edhe njohësit e situatës në Eritrea si Martin Zimmermann, punëtor humanitar, e pohojnë se nuk janë të ndjekur politikë të gjithë refugjatët e ardhur nga ky vend. Ka mjaft prej tyre që kanë ardhur ne Zvicër për një jetë më të mirë. Por, ka thënë ai, ata që kanë marrë rrezik kaq të madh mbi vete duke ikur nga vendi duhet të pranihen dhe të marrin ndihmën humanitare”.