Integrimi

A është vera “stina e martesave të dhunshme”

Ligji i ndryshuar parasheh që viktimat e martesave të dhunshme nuk kanë nevojë të durojnë tri vjet në mënyrë që ta gëzojnë qëndrimin në Zvicër

Një temë e cila vazhdimisht aktualizohet sidomos para dhe gjatë pushimeve të verës është ajo e martesave të dhunshme. Nga ana juridike një vepër e tillë është e sanksionuar me ligj ku thuhet se detyrimi për të lidhur martesë është ndërhyrje e rëndë në personalitetin dhe të drejtën e personit për të vetëvendosur, si dhe përbën cenim fizik, prandaj është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.  Ky ligj i cili ishte në fuqi deri tani kishte disa mangësi të cilat janë evituar dhe nga një korriku i këtij viti martesat e dhunshme do të dënohen më ashpër dhe për këtë Ligji Federal parasheh masa të caktuara.

Për tu njohur më për së afërmi me këto ndryshime kontaktuam zonjën Melanie Martin, përgjegjëse për Migracion dhe Projekte kundër martesave të dhunshme, në kuadër të Byrosë profesionale për barazi gjinore të qytetit të Cyrihut.

Pyetjes sonë se pse ekzistojnë martesat e dhunshme ajo i përgjigjet  se ka shumë  faktorë që luajnë rol në realizimin e një martesë e dhunshme. Sipas z. Martin ”fëmijët të cilët mbërrijnë moshën kur duhet të vetëvendosin për jetën e tyre si nga ana profesionale ashtu dhe ajo private, përballen me rrezikun e shpërthimit të ndonjë konflikti në familjet e tyre. Kjo ndodh sepse, për ndryshim prej prindërve të tyre të cilët janë kryesisht me prejardhje emigrante, ata vetë janë rritur në një mjedis me një kulturë perëndimore dhe kanë një parafytyrim krejt ndryshe se si do ta jetojnë jetën e tyre. Dhe, kjo mund të sjellë konflikt gjeneratash. Prindërit të cilët sigurisht ua mendojnë vetëm  të mirën fëmijëve të tyre, shpeshherë e shohin si obligim moral që t`ua gjejnë atyre partnerin apo partneren e jetës, gjë e cila shpesh përfundon me martesë të dhunshme”, thotë Melanie Martin.

Ndërsa, e pyetur se ku është dallimi në mes të martesave të aranzhuara ( me ndërmjetës) dhe atyre të dhunshme ajo shprehet se është vështirë të definohet se çka është një martesë e aranzhuar e çfarë një e dhunshme. Në realitet një kufi si i tillë nuk ekziston.

“Me fjalë të tjera martesë e aranzhuar mund ta quajmë atë martesë kur i riu apo e reja e ka mundësinë edhe ta refuzojë një ofertë të tillë. Këto raste kur ndoshta të rinjtë munden ta refuzojnë ndonjë propozim martese shtrohet pyetja se për sa kohë mund ta bëjnë ata një gjë të tillë? Zakonisht presioni nga ana e familjes shtohet pas çdo refuzimi dhe dikur ata nuk kanë guximin të refuzojnë propozimet që ua bën familja e tyre,një martesënjë martesë të dhunshme vështirë se mund të refuzohet apo nëse po një gjë e tillë mund të zgjatet shumë”, thekson Martin.

Martesat e dhunshme mund të hasen në të gjitha grupet sociale, etnike dhe kulturore, por kur martesat me ndërmjetës janë pjesë e një shoqërie, atëherë kemi të bëjmë me shoqëri ku mbretërojnë sisteme të egra dhe patriarkalizmi. Z. Martin,¨në këtë kuptim thotë se “në këshillimoret e regjionit të Cyrihut këshillojmë kryesisht gra dhe burra të rinj të nacionaliteteve  të ndryshme si tamilë, kosovarë, turq e kurdë, grupe të cilat  kryesisht kërkojnë ndihmë por nuk do të thotë që edhe te grupet tjera nuk ekzistojnë martesat e dhunshme. Me këtë rast nuk mund të flasim as për raste individuale e as për fenomen masiv  dhe ne nuk kemi ndonjë shifër të saktë të këtyre rasteve sepse përveç atyre që regjistrohen dhe kërkojnë ndihmë është një numër i pacaktuar i personave të dëmtuar  të cilët nuk i lajmërojnë rastet”, nënvizon Martin. 

Martesat e dhunshme mund të hasen në të gjitha religjionet pra nuk mund t`i vishet ndonjë religjioni të caktuar, këtu kemi të bëjmë më shumë me traditë dhe mentalitet të një shoqërie. Por nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me një fenomen të ri dhe këtu duhet të cek se në te kaluarën ka pasur edhe te zviceranët martesa të dhunshme.”

Me kodin civil të Zvicrës është e ndaluar që të bëhet martesa në institucione religjioze( kisha, gjamia, tempuj etj) dhe duke e ditur faktin se në shumë shoqëri është traditë që martesa të bëhet para kurorëzimit zyrtar, duhet që patjetër të informohen prindërit se një gjë e tillë këtu në Zvicër nuk tolerohet.

Rreth asaj se çfarë mund të arrihet me ashpërsimin e ligjit kundër martesave të dhunshme, Melanie Martin u shpreh se në të vërtetë një ashpërsim i tillë ka më shumë efekt frikësues se sa eliminim total të martesave të dhunshme.

“Është më se iluzore të besohet se të rinjtë në një rast të tillë do t`i padisin prindërit e tyre me ç`rast mund të rrezikonin edhe dëbimin nga Zvicra. Këtu kemi të bëjmë kryesisht me të rinj të cilët janë si emocionalisht ashtu dhe financiarisht të varur nga familjet e tyre”. Por është lehtësues fakti që ky ligj i ndryshuar parasheh që në të ardhmen viktimat e martesave të dhunshme nuk kanë nevojë të durojnë tri vjet në mënyrë që ta gëzojnë qëndrimin në Zvicër”, tha zonja Martin.

Vjollca Popova

 

Ndryshimet e Ligjit Federal të masave kundër martesave të dhunshme:

E drejta ligjore parasheh:

Një martesë e dhunshme do të ndiqet penalisht edhe atëherë kur ajo realizohet jashtë Zvicrës dhe do të dënohet me pesë vjet burg (deri tani 3 vjet); Martesa e dhunshme konsiderohet si vepër e kundërligjshme; Çdo rast mund të ndiqet edhe pas 15 vitesh. (mos vjetërsimi i lëndës)

E drejta civile parasheh këto masa:

Autoritetet e Gjendjes Civile kanë të drejtë të vërtetojnë nëse ka qenë një martesë e dhunshme. Dhe në rast se dyshohet për një gjë të tillë ai kurorëzim anulohet dhe keto autoritetete janë të obliguara që të informojnë organet hetuese

Dy arsye të anulimit të një martese: Martesa është bërë pa dëshirë si dhe nëse ende nuk është arritur mosha madhore.

Autoritetet përgjegjëse kantonale janë të obliguar që të ngrenë  padi kundër një martese të dhunshme nëse ekziston dyshim i bazuar për një gjë të tillë. Edhe autoritetet tjera zyrtare janë të obliguara që ta lajmërojnë një rast të tillë te organet hetuese.

Autoritetet pergjegjegjëse kantonale si dhe të gjitha organet tjera zyrtare janë të obliguara ta bëjnë anulimin e një martese nëse dyshohet se kjo është bërë me dhunë.

E drejta ndërkombëtare private parasheh:

Një martesë e bërë në Zvicër mund të pranohet  vetëm atëherë kur të dy personat dëshmojnë se janë të moshës madhore. Një gjë të tillë duhet ta dëshmojnë edhe ata persona të cilët vijnë nga shtetet në të cilat lejohet martesa me të mitur.

Një martesë e bërë jashtë Zvicrës mund të zyrtarizohet vetëm atëherë kur të dy dëshmojnë se janë te moshës madhore. Përjashtime mund të bëhen atëherë kur personat janë pak para se të mbushin moshën madhore (18 vjeq) dhe në rastet  kur së shpejti do të ketë fëmijë të përbashkët.

E drejta për të huaj parasheh:

Martesa e dhunshme mund të jetë një arsye e fortë që personave të dëmtuar tu zgjatet qëndrimi në Zvicër.

Nëse ekziston dyshimi  i bazuar se një person me banim në Zvicër ka realizuar jashtë Zvicrës një martesë të dhunshme, ai person nuk mund të bëjë bashkim familjar përderisa nuk vërtetohet e kundërta.

Të gjithë ata që ndjehen të dëmtuar mund të kërkoni ndihmë në adresat e mëposhtme:

http://www.stadtzuerich.ch/content/prd/de/index/gleichstellung/themen/zwangsheirat.html

http://www.gegen-zwangsheirat.ch

www.stiftung-frauenhaus-zh.ch

http://www.zwangsheirat.ch/

http://www.schlupfhuus.ch

http://www.mannebuero.ch

http://www.eff-zett.ch

http://www.frauenberatung.ch

http://sodk.ch

http://www.tikk.ch