Kosova
A është në rrezik Kosova të hyjë në krizë buxhetore?
Në të kundërtën, thekson ajo, rrezikohen pagat e punëtorëve në sektorin publik, por edhe shpenzimet nga organizatat buxhetore
Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të miratojë brenda afateve kohore Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, i cili pas miratimit në parim më 21 dhjetor, ka mbetur ende pa u shqyrtuar dhe votuar për miratimin përfundimtar.
Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës është duke neglizhuar shqyrtimin e Projektligjit për buxhetin për vitin 2019.
Sipas saj, Kuvendi ka dy muaj afat të rregullt kohor në dispozicion që t’i japë miratimin final këtij projektligji që nga data kur Qeveria e ka proceduar atë në Kuvend. Në të kundërtën, thekson ajo, rrezikohen pagat e punëtorëve në sektorin publik, por edhe shpenzimet nga organizatat buxhetore, përcjell albinfo.ch.
Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore, nëse buxheti nuk është miratuar, Kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Viti fiskal, do të thotë periudha prej 1 janarit të një viti deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit.
“Mungesa e një vendimi të tillë nga ana e Kuvendit, e bën të kundërligjshme çdo pagesë dhe shpenzim nga çdo organizatë buxhetore gjatë muajit janar, bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike”, thotë ajo.
Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se mbi bazën ligjore, çdo organizatë buxhetore për muajin janar dhe muajin shkurt do të marrë 1/12 e mjeteve të tërësishme që i ka pasur buxheti i vitit të kaluar.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këto mjete do të bëhet pagesa e të ardhurave edhe për punëtorët e sektorit publik, si dhe një pjesë e shpenzimeve të ndryshme materiale për nevojat e organizatave buxhetore.
Probleme më të theksuara, sipas tij, mund të paraqiten në muajin mars, nëse deri në atë periudhë nuk miratohet buxheti i vitit, pasi nuk mund të bëhet ekzekutimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera pa një vendim të Kuvendit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për buxhetin më 31 tetor të vitit 2018, mirëpo projektligji ka arritur që të miratohet në parim me datë 21 dhjetor 2018.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar që më 31 janar ky projektligj të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, në shumë raste kanë përsëritur qëndrimet e tyre se nuk do ta votojnë për miratim projektligjin për vitin 2019.
Kurse, subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate, e ka kushtëzuar votën me plotësimin e pesë kërkesave që i ka vënë Qeverisë së Kosovës. Ndër tjera ka kërkuar që krahas Projektbuxhetit, të miratohet edhe Ligji për pagat dhe të shkarkohet nga detyra ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Haki Shatri shpreson se deri në periudhën e caktuar do të plotësohen kërkesat e Partisë Socialdemokrate që nënkupton edhe miratim të buxhetit për këtë vit.
Kosova ka filluar vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi. Nga 2.3 miliardë euro sa parashihet buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual, shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 616 milionë euro, kurse rreth 770 milionë euro për investime kapitale.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha