Koronavirusi: çast pas çasti
A është momenti për lehtësim të masave të izolimit?
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë ndonjë datë se kur mund të fillohet me lehtësimin e masave të izolimit kundër COVID-19.
Qeveria e Kosovës më 13 mars, me konfirmimin e rasteve të para me koronavirus të ri, filloi të merrte masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Masat për frenimin e virusit kanë përfshirë edhe mbylljen e shkollave e deri te ndërprerja e punës në shumë aktivitete ekonomike si dhe kufizimin e lëvizjes që qytetarëve në 90 minuta në ditë.
Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke shikuar se si do të veprohet pas datës 4 maj.
4 maji është data deri kur, sipas një vendimi të Qeverisë në detyrë të Kosovës, vlejnë masat të cilat kanë hyrë të fuqi më 15 prill.
“Masat aktuale janë në fuqi deri më 4 maj. Ministria e Shëndetësisë me ministritë dhe agjencitë e tjera në nivele ekspertësh po punojnë për secilin variant që do të zbatohet pas kësaj date, varësisht prej situatës epidemiologjike me COVID-19 dhe rekomandimeve që do të dalin nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës (ISHPK)”, thotë Hoti.
Disa vende në botë të prekura nga koronavirusi kanë njoftuar tanimë për lehtësime të kufizimeve, të vendosura për shkak të pandemisë.
Italia ka njoftuar se do të lehtësojë masat e izolimit. Ky vend do të rihapë disa biznese të vogla dhe ato prodhuese gjatë kësaj jave.
Por, autoritetet paralajmëruan se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave të fytyrës do të mbesin në fuqi.
Raka: Lehtësimi i masave, i domosdoshëm
Mikrobiologu nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Lul Raka, thotë për Radion Evropa e Lirë se lehtësimi i masave është i domosdoshëm.
“As Kosova e asnjë shtet në botë nuk mund t’u përballojë këtyre masave deri në zbulimin e vaksinës, atëherë kur do të fitonim përfundimisht luftën kundër koronavirusit. Prandaj, është i domosdoshëm lirimi gradual i masave restriktive”, thotë Raka.
Për të ndodhur lehtësimi i masave, Raka thotë se janë disa kritere përcaktuese si kriteret epidemiologjike, që tregojnë se përhapja e sëmundjes është zvogëluar dhe stabilizuar në mënyrë të konsiderueshme për një periudhë të qëndrueshme kohore si dhe kritere të tjera.
Çka duhet të plotësojë Kosova për lehtësim të masave kufizuese?
Lul Raka:
Përhapja e sëmundjes deri më 4 maj është e kontrolluar nga autoritetet përgjegjëse.
Ka kapacitete për zbulim, testim, izolim dhe trajtim të çdo rasti me COVID-19 dhe gjurmohet çdo kontakt.
Rreziku i shpërthimit menaxhohet në institucione shëndetësore dhe në shtëpi të të moshuarve.
Në vendet e posahapura të punës ka masa parandaluese (distancë, maska, mbulesa të fytyrës, dorëza, dezinfektim sipërfaqesh).
Rreziku i importimit të infeksioneve është i menaxhueshëm.
Popullata është plotësisht e përfshirë në zbatimin e normave të reja të sjelljes.
Komuniteti i biznesit kërkon rihapjen e disa sektorëve
Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar që duke filluar nga java e fundit e muajit prill të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike.
Nga vendimet e para që duhet marrë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, është që Prishtina të largohet nga karantina, e cila nga 11 prilli është shpallur si zonë karantinë, duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se në disa sektorë, siç është ndërtimtaria, duhet të lejohet puna.
Komuniteti i biznesit në Kosovë ka propozuar që gjatë muajit maj të mundësohet të fillohet puna në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë.
“Propozimi ynë është që kjo të lejohet në objektet deri në 800 metra katrorë dhe kjo të jetë nga java e parë e majit. Pastaj, nga java e tretë e muajit maj të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të hartohet një plan operacional për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restoranteve dhe kafiterive si dhe transportit të udhëtarëve”, ka thënë Rukiqi.
Lehtësimi i masave dhe rikthimi i veprimtarisë ekonomike, sipas mikrobiologut Lul Raka, duhet të bëhet në faza, duke u siguruar që autoritetet shtetërore dhe bizneset ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të sigurt.
Krasniqi: Të analizohet situata epidemiologjike
Kosova deri më datën 28 prill ka të regjistruar 780 raste me koronavirusin e ri, 22 persona të vdekur, ndërsa 201 të shëruar.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shënuar më 13 mars.
Më 12 prill, Kosova kishte regjistruar 79 raste me koronavirus, numrin më të madh të rasteve brenda një dite deri më tani, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet bërë një analizë nga autoritetet në përgjithësi të vendit, para se të fillohet me lehtësim të masave.
“Unë mendoj që Ministria e Shëndetësisë me bizneset dhe me kryetarët e komunave dhe ekspertët duhet të analizojnë dhe të bisedojnë këtë çështje seriozisht. Unë po habitem se si nuk po ulen dhe të bëjnë një analizë të hollësishme, ta shohim se ku jemi, sa teste janë bërë, a janë bërë target grupet, a janë bërë ato të kontakti, sa në raport me testet e bëra kanë dalë pozitiv sa mund të jenë potencialisht numri i të infektuarve në nivel vendi, që ne nuk e dimë sa mund të jetë rreziku, e shumë analiza të tjera”, thotë Krasniqi.
Sipas IKSHPK-së, nga data 8 shkurt deri më 27 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 6,705 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 780 raste, përcjell Albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Koronavirusi: çast pas çasti
E-Diaspora
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë Kjo ngjarje e veçantë kulturore u kushtohej figurave madhore Shën Jeronimit dhe Shën Nënë Terezës, dy...
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë Stacioni i trenit Cornavin në Gjenevë është i mbyllur deri të dielën në orën 15:00 për...
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?