Kosova

A duhet të punohet në rrugë gjatë kohës së pushimeve?

Aktualisht po zhvillohen punime në rrugë edhe në lagjen Veternik në Prishtinë, ku qarkullimi është më i madh, dhe si pasojë janë shkaktuar edhe kolona të gjata

Mërgimtarët mezi presin verën për të ardhur në Kosovë dhe kursejnë gjatë 11 muajve të vitit që një muaj ta kalojnë në atdhe. Por, me të ardhur në Kosovë, ata thonë se përballen me pritje të gjata në komunikacion.

Stina e verës, pos si “sezoni i mërgimtarëve”, njihet edhe si sezoni i ndërtimeve, ku përfshihen edhe punimet nëpër rrugë. Dhe këta dy faktorë konsiderohet se po e ngarkojnë komunikacionin nëpër komuna të ndryshme në Kosovë.

Aktualisht po zhvillohen punime në rrugë edhe në lagjen Veternik në Prishtinë, ku qarkullimi është më i madh, dhe si pasojë janë shkaktuar edhe kolona të gjata. Në adresë të albinfo.ch kanë ardhur ankesa nga mërgimtarët, sipas të cilëve punimet në rrugë po shkaktojnë kolona të gjata, dhe si rrjedhojë po ua vështirësojnë qarkullimin.

Veternik, © Albinfo.ch

Për këtë ‘dukuri’ në Kosovë, është ankuar edhe Nerxhivane Sejdiu Ferati, e cila jeton në Gjenevë, ku punon si mësuese dhe përkthyese. Sa herë që vjen në pushime verës, ajo ka thënë se një pjesë e kohës i shkon duke pritur mes kolonave të gjata.

“Ka punime nëpër rrugë, devijme të rrugës, pikërisht kur vinë mërgimtarët, dhe bëhet tollovi… Nëse do të shkosh diku për drekë me familjen apo ta vizitosh dikë, më shumë harxhon kohë rrugës se sa që qëndron për vizitë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ka edhe mërgimtarë që nuk ankohen, sepse, siç thonë ata, “mjafton që Kosova të ecë përpara”. Shani Pnishi, poet dhe veprimtar kosovar në Kanada, ka thënë për albinfo.ch se punimet nëpër rrugë në stinën e verës janë të zakonshme kudo dhe se mërgimtarët duhet të tregojnë mirëkuptim.

© Albinfo.ch

“Po e jap një shembull. Po i ra puna kujt ta kalojë Toronton, qyetin më të madh kanadez, ku jetojnë edhe më së shumti shqiptarë prej të gjitha qyteteve në Kanada, do ta vërejë se më lehtë shkon nga Prishtina në Tiranë se sa kalohet qyteti skaj më skaj, sepse gjithmonë ka trafik, me apo pa ndërtime. Asnjëherë në autostradën “Ibrahim Rugova” nuk më ka rastisur të ketë  kolona në trafik”, ka thënë Pnishi. “Magjistralet, madje nuk i bën “busy” ndërtimi, sa i bën kolona e dasmave jashtë çdo norme”.

Lidhur me këtë çështje, albinfo.ch ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës, nga e cila ka marrë përgjigjen  se punimet po zhvillohen në këtë kohë për shkak të motit më të përshtatshëm.

Veternik, © Albinfo.ch

“Këto ditë janë duke u zhvilluar punime në tërë Kosovën meqë jemi në sezonin ndërtimor, i cili fillon zyrtarisht në muajin prill. Jemi në vlugun e punëve ngase pozicionet të cilat kryhen në këtë periudhë, kërkojnë detyrimisht mot të mirë (gërmime, mbushje, hapje traseje, në përgjithësi punë të nën bazës)”, ka thënë Fillojeta Konjuhi, zyrtare e lartë për media në kabinetin e ministrit Pal Lekaj.

Albinfo.ch ka pyetur edhe Departamentin e Inspektoratit në këtë ministri, se çfarë zgjidhjesh kanë ndërmarrë apo kanë paraparë për këtë çështje. Mirëpo, ata nuk kanë dhënë përgjigje për këtë pyetje, ani pse redaksia i kontaktuar vazhdimisht qysh prej javës së kaluar.

Ndërkaq, sipas asaj që përshkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, thuhet se ky department “Jep propozime për zgjidhjen e problemeve të hasura në terren sa i përket sigurisë rrugore dhe transportit rrugor”.

© Albinfo.ch

Për ngarkesën në komunikacion është e vetëdijshme edhe Policia e Kosovës, zyrtarë të së cilës kanë thënë se i kanë shtuar masat përgjatë muajve qershor, korrik, gusht dhe shtator.

“Dihet se sezoni veror në Kosovë ka disa karakteristika të veçanta të cilat kërkojnë aktivitete proaktive shtesë nga Policia e Republikës së Kosovës duke filluar prej rritjes së numrit të patrullave policore në rrugë, me qëllim të menaxhimit, kontrollit dhe rregullimit të trafikut rrugor, sipas nevojës edhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për lehtësimin e lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në trafik. Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës disa herë ka apeluar përmes komunikatave dhe njoftimeve tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor”, kanë thënë nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Veternik, © Albinfo.ch

Po ashtu, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin për siguri në trafikun rrugor, sivjet ka lansuar fushatën “10 Rregullat e Arta të Sigurisë Rrugore”, e cila ka qëllim vetëdijesues dhe mëtohet të ngrihet niveli i sigurisë rrugore, përcjell albinfo.ch.