Lajme
A është Gjykata Kushtetuese e Kosovës shkelëse e ligjit?
Opinion nga Orhan Spahiu, jurist
- Dërgimi i ligjeve nga deputetët në Gjykatën Kushtetuese, vendimet e Gjykatës dhe kohëzgjatja
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është marrë në vitet e fundit intensivisht me çështje të ligjeve të dërguara nga 10 deputetë e më shumë për miratimet e tyre në Kuvend. Këtë të drejtë deputetëve ua jep paragrafi 5 i nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës.
Çka thotë paragrafi 5 i nenit 113 i Kushtetutës?
Neni 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga
pala e autorizuar (paragrafi 1). Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Kjo ka ndodhur p.sh. me ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme (ligji për Byronë), ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës (ligji për Fondin), ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg (ligji për çmimet tavan) etj.
Pra deputetët i dërguan ligjet e lartëcekura bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës në Gjykatën Kushtetuese. Deri këtu, së paku ligjërisht gjithçka është në rregull.
Vendimet dhe kohëzgjatja
Kërkesa për ligjin për Byronë u dërgua me datë 20.02.2013 në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata mori vendim me 20.06.2024, pra 1 vit e 4 muaj më vonë dhe e rrëzoi ligjin. Kërkesa për ligjin për KPK-në u dërgua në Gjykatën Kushtetuese me 01.07.2022. Gjykata mori vendim me 24.03.2023, pra gati 9 muaj më vonë, dhe e rrezoi ligjin. Kërkesa për ligjin e Fondit u dërgua me 22.12.2023 nga deputetët e LDK-së dhe me 26.12.2023 nga deputetët e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese akoma nuk ka marrë vendim, pra as pas 1 viti nga dorëzimi i kërkesës. Kërkesa për ligjin për çmimet tavan u dërgua me 16.11.2022 nga deputetët e LDK-së. Gjykata Kushtetuese mori vendim me 8.11.2023 dhe e rrëzoi ligjin.
Pra, te këto ligje që u morën si shembuj, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë vetës kohë më shumë se 1 vit për Ligjin për Byronë dhe Fondin Sovran dhe gati 9 muaj për KPK-në dhe mbi 11 muaj për Ligjin për çmimet tavan.
- Afati ligjor për marrjen e vendimeve
Ligji për Gjykatën Kushtetuese
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim të rregullimit të mëtejshëm të organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Kuvendi ka miratuar ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Neni 1 i ketij ligji thotë:
Ky ligj rregullon më tej organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave pranë Gjykatës Kushtetuese, kushtet dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kualifikimet tjera përkatëse për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, parimet dhe rregullat themelore procedurale dhe çështje tjera organizative.
Pra, Gjykata Kushtetuese gjatë punës së saj duhet t’i përmbahet këtij ligji.
Çka thotë paragrafi 3 i nenit 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese?
Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Pra, kohëzgjatja për marrje të vendimit në këto raste është qartë e kufizuar me 60 ditë nga dorëzimi i kërkesës. Kjo nuk lë vend për interpretim tjetër dhe relativim të ketij afati kohor. Këtij afati duhet t’i përmbahet Gjykata Kushtetuese.
Një krahasim:
Paragrafi 9 i nenit 113 të Kushtetutës i jep të drejtë kryetarit të Kuvendit të Kosovës të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës. Kurse neni 54 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese thotë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas mundësisë, duhet të merret brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve pas pranimit të kërkesës.
Pra në këtë rast afati i marrjes së vendimit është 60 ditë, por, sipas «mundësisë». Këtu afati është i relativuar me ligj.
Edhe ky rast flet për moslejimin e relativimit të afatit 60 ditor të paragrafit 3 të nenit 43 te Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Përndryshe edhe të paragrafi 3 i nenit 43 të Ligjit për Gjykatën do të shkruante «sipas mundësisë». Por, këtë nuk e parasheh paragrafi 3 i nenit 43.
- A është Gjykata Kushtetuese shkelëse e ligjit?
Siç tregohet në pikat më lart, paragrafi 3 i nenit 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është i qartë me afatin prej 60 ditëve. Nuk kam dëgjuar ose lexuar deri tani argumente juridike bindëse për tejkalimin/relativimin e afatit prej 60 ditëve nga Gjykata Kushtetuese kur bëhet kërkesa sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
T’i shikojmë disa raste të mëhershme, si p.sh.: vendimi për Ligjin për Gjykatën Speciale të dërguar njëherë nga kryesia e Kuvendit (pastaj sipas pagarafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës nga deputetët e opozitës së atëhershme), vendimi për Ligjin për fashtin Hoçë e Madhe dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, vendimi për Ligjin për Demarakcionin me Malin e Zi. Për këto kërkesa Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime brenda 60 ditëve, pra brenda afateve ligjore. Kjo flet për aftësinë e Gjykatës për të marrë vendimet brenda atij afatit. Pse në këto rastet e viteve të fundit nuk është e mundur, duhet të tregojë Gjykata. Nëse nuk e paska këtë aftësi tani, atëherë duhet të adresohet kjo çështje dhe ndoshta të ndryshohet ligji dhe të bëhet 90 apo 120 ditë, por jo t’i shtohet një «spias mundësisë» sikur te neni 54 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata i jep të drejtë vetvetës për tejkalim të këtyre 60 ditëve, atëherë ku është kufiri? Kjo do t’i jepte mundësi Gjykatës Kushtetuese të bllokojë ligje të qeverive për vitet të tëra dhe kështu të bllokoj teoritikisht reforma e ligje shumë të rëndësishme (p.sh. të ngjajshme me ato të cekurat në fillim të këtij shkrimi apo më vonë reforma tjera) dhe në fund edhe vetë punën e qeverisë, pra ekzekutivit. Për këtë arsye nuk do të ishte mirë që afati prej 60 ditëve i rregulluar me paragrafin 3 të nenit 43 të Ligjit për Gjykatën të ndryshohet dhe të relativohet pa e caktuar përsëri një afat të caktuar kjartë, sikur që është me ligjin aktual.
Gjykata duhet të ketë aftësi për të marrë vendim brenda afatit 60 ditor. Nëse nuk është aktualisht e aftë, atëherë ndoshta është një mundësi të bëhet ndryshimi ligjor që të krijohet enkas një grup brenda Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të merret kryesisht me çështjet e kërkesave sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës. Pasi që në të kaluarën Gjykata Kushtetuese ka pasur mundësi të marrë vendime brenda afatit, ndoshta edhe ky ndryshim është i panevojshëm. Por, një gjë duhet të jetë e qartë: Gjykata Kushtetuese nuk mund të vazhdoj me mosperfilljen e afatit prej 60 ditëve në rastet kur kërkesat dërgohen bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Borë, shi, ftohtë dhe erëra të stuhishme Ditët e fundit kanë sjellë mot ekstrem në Zvicër. Ajo që filloi me rikthimin e borës...
-
Dy të vdekur në pistat e skive në Zvicër në fundjavë
-
Si do të ndikojë tek shoferët plani për të shkurtuar më shumë hapësira parkimi në qytetet zvicerane?
-
“House of Kosova” në Forumin Ekonomik Botëror 2025 në Davos
-
Pse mund të ndodhë t’u kontrollohen çantat në një supermarket zviceran?