Lajme

A e dëmton imazhin e Joe Biden tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani?

Mediat ndërkombëtare dhe qytetarët kanë kritikuar menaxhimin që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bëri për situatën në Afganistan.

CNN thotë se Biden nuk mund të justifikohet duke thënë se nuk është si Donald Trump pas 7 muajsh drejtim.

Sipas CNN, presidenti Biden ishte zotuar herë pas here se tërheqja e trupave të SHBA-së nga Afganistani do të ishte e rregullt, e qëllimshme, e sigurt dhe nuk do të kishte mundësi që Afganistani të binte sërish në duart e talebanëve.

Në intervistën në ABC News, Biden e ndryshoi këtë deklaratë dhe tha se nuk kishte asnjë mënyrë që SHBA të largohej pa kaos. Sipas tij, në vendimin për të tërhequr trupat përfshihej dhe kjo situatë e krijuar.

  • Organizimi i dobët i përpjekjes për evakuim
  • Dështimi për të përpunuar shpejt vizat e afganëve
  • Mundësia e humbur për të nxjerrë qytetarët amerikanë më herët

Këto janë disa nga pikat që sipas CNN presin përgjigje nga Biden. Për pikën e fundit Biden tha se forcat amerikane mund të qëndrojnë përtej afatit të 31 gushtit në mënyrë që të evakuohen gjithë amerikanët.

Fareed Zakaria, një analist politik, gjykoi se situata e krijuar në Afganistan është një njollë në politikën e jashtme të Biden.

CBS raporton se  ligjvënësit demokratë janë zotuar të hetojnë se çfarë shkoi keq me inteligjencën amerikane dhe vendimmarrjen që çoi rënien e shpejte te vendit ne duart e talebanëve.

Politico/Morning Consult realizoi një sondazh ku tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani u mbështet, ndërsa më shumë njerëz e kundërshtuan këtë mbështetje.

49%- dakord me largimin e trupave amerikane nga Afganistani

37%- kundër largimit të trupave amerikane nga Afganistani

51%- kundër mënyrës si po e trajton Biden situatën

25%- procesi i evakuimit po shkon mirë

Ndërsa sondazhi i kryer nga 16 deri në 18 gusht, zbuloi se ka një rënie te mbështetjes nga një muaj më parë.

Pavarësisht luhatjes së besimit në këto momente nuk pritet që ajo çfarë po ndodh në Afganistan të penalizojë shumë demokratët dhe presidentin Biden pasi politika e jashtme zakonisht nuk rëndon shumë në mendjet e votuesve. Pas 20 vitesh në Afganistan dhe luftës jopopullore në Irak, amerikanët janë skeptikë për ndërhyrjen ushtarake në vendet e huaja./euronews