Integrimi
A do të nxjerrin zgjedhjet e sotme një deputet me prejardhje shqiptare?
Rreth 30 shqiptarozviceranë sot ia kanë mësyrë Parlamentit të Zvicrës. A do ta kalojnë rrugën me pengesa ndonjëri/ndonjëra prej tyre?
Sikur asnjëherë deri më tash, zgjedhjet për Parlamentin Nacional të Zvicrës që po mbahen sot, janë bërë pjesë e “agjendës” së komunitetit shqiptar në Zvicër, nëse ai ka një agjendë.
Me një traditë tashmë solide qëndrimi në Zvicër, pjesëmarrja e komunitetit tonë në jetën e këtushme politike nuk do të duhej të ishte diçka e pazakonshme, përkundrazi. Por, një sërë faktorësh kanë bërë që kjo pjesëmarrje ende të mos konsolidohet në masën që pritet nga një komunitet kaq i madh. Megjithatë, kjo është temë për një trajtim tjetër. Ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet që mbahen sot, është bërë temë preokupuese edhe për opinionin zviceran. Ajo po trajtohet si një dukuri interesante me përmasa të reja.
Janë rreth 30 shqiptarozviceranë që sot ia kanë mësyrë Parlamentit të Zvicrës. Dhe ata janë pjesë e pothuaj të gjithë spektrit politik të këtushëm. Kaq për kuantitetin. Por në zgjedhjet aktuale kemi edhe dallim kualitativ sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve. Janë dy risi në artikulimin e ambicieve të tyre politike. E para është përfshirja në listën e CVP/PDC-së e kandidatëve nga LDK dhe PSHDK. Përmes këtij kanali, në zgjedhje po marrin pjesë së paku 15 shqiptarë. Duke qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje, këta kandidatë sigurisht që kanë një mbështetje infrastrukturore që në start nga partitë e përmendura.
Risia e dytë është fushata e fuqishme që është zhvilluar për një kandidat nga një shtab zgjedhor me përbërje shqiptare. Fjala është për grupin mbështetës të kandidatit të SP-së nga St.Galleni, Arbër Bullakaj. Është një grup personash me përkatësi të ndryshme politike, të cilët i ka bashkuar synimi për ta katapultuar Bullakajn në Parlamentin e Zvicrës. Aty janë bërë bashkë eksponentë të ish LPK-së dhe të LDK-së, duke lënë anash kundërshtitë që kanë këto subjekte mes vete. Edhe nëse Bullakaj nuk arrin të zgjidhet, ky bashkim forcash tashmë ka krijuar një precedent interesant që ia vlen të ndiqet.
Për shanset e kandidatëve me rrënjë shqiptare për zgedhjet që mbahen sot Sigurisht, është e pamundur të jepet një përgjigje përfundimtare, pasi që bëhet fjalë për një garë dhe gara ka gjithmonë elementin e të papriturës brenda vetes.
Megjithatë, marrë parasysh përvojën dhe rrjetin e tyre në qarqet politike të kantoneve prej nga vijnë, nuk gabojmë shumë nëse themi se Ylfete Fanaj nga SP/PS e Kantonit të Lucernit dhe Arbër Bullakaj nga po kjo parti, (kantoni St. Gallen) janë në pozicion për të mbledhur më shumë vota nga votuesit e partisë së tyre në kantonet përkatëse. Po kjo mund të thuhet edhe sa u përket votave “shqiptare”, që do t`u vijnë atyre, pavarësisht nga preferencat politike. Kjo natyrisht pastaj relativizohet kundruall epërsisë që kanë partitë tjera ndaj SP-së në këto kantone. Kështu, në Kantonin Lucern, partia e Ylfete Fanajt tradicionalisht nuk nxjerrë më shumë se një deputet nacional dhe si e tillë është shumë inferiore ndaj, ta zëmë CVP-së. Fakti se Fanaj është kryetare e Grupit Parlamentar të partisë së saj në kanton mund ta ndihmojnë deri në një masë ambicien e saj por kufizimet janë ato që u përmendën më lart.
E ngjashme është situata edhe për Arbër Bullakajn në St. Gallen. Ndoshta ajo është për një nuancë më e lehtë pasi që SP-ja e kantonit të tij zakonisht dërgon dy deputetë në Bernë. Mundësia që Arbri të jetë njëri nga këta dy është vështirë e realizueshme. Por një klauzolë parasheh që ajo parti e cila ka ngritje në këto zgjedhje, siguron edhe një kandidat më shumë. Për SP-në i bie që t`i dërgojë 3 deputetë në Bernë. Në një rast të tillë, besojnë në shtabin e tij, Berna nuk duket e paarritshme për Arbrin.
Po kandidatët tjerë me rrënjë shqiptare? Shumica e tyre garojnë për CVP-në (rreth 15) dhe SP-në (rreth 10)- Një numër më i vogël për FDP dhe raste të izoluara edhe për GLP-në etj. Te rasti i CVP-së, sigurisht se mbështetja logjistike e saj dhe vota shqiptare do të kenë rolin e tyre në grumbullimin e votave. Por duhet theksuar se pothuaj të gjithë kandidatët shqiptarë të kësaj partie, përballjen e tyre të parë politike po e përjetojnë në këto zgjedhje. Kjo domethënë se u mungon përvoja politike. Por pjesëmarrja në këto zgjedhje mund të trasojë rrugën e tyre për zgjedhjet e ardhshme. Kjo fundja është edhe esenca e angazhimit politik: trasimi i rrugës së suksesit, i cili zakonisht vjen si rezultat i vrapimit në shtigje të gjata…
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve