Tematike

A do ta votojnë zviceranët “dëbimin e të huajve kriminelë”?

Krahas saj sot do të votohet edhe për tri iniciativa tjera në nivel nacional. Bëhet fjalë për Iniciativën mbi sanimin e tunelit të Gothardit, Iniciativën “kundër Dënimit martesor”, dhe atë kundër spekulimit me artikujt ushqimorë

Dita e sotme, e diela e 28 shkurtit, është ditë votimesh në Zvicër. Do të votohet për katër iniciativa në nivel nacional ndërkohë që në nivele kantonesh dhe komunash do të zhvillohen edhe një numër i madh referendumesh dhe votimesh për asambletë komunale e kantonale.

Ndër katër inciativat për të cilat votohet sot, njëra, ajo e SVP/UDC-së për “Zbatimin e dëbimit të të huajve kriminelë”, ka ngritur më së shumti pluhur, njofton albinfo.ch. Për të flitet, debatohet, polarizohet dhe zhvillohen polemika të ashpra së paku prej disa muajsh në të gjitha ambientet ngado në Zvicër.

Por, krahas saj janë dhe tri iniciativa që do të votohen në nivel nacional. Bëhet fjalë për Iniciativën mbi sanimin e tunelit të Gothardit, Iniciativën “kundër Dënimit martesor”, dhe atë kundër spekulimit me artikujt ushqimorë.

Për vetë temën e nxehtë që prek, qëndrimin e shtetit ndaj të huajve, dhe për polarizimin e pozicioneve të palëve kundërshtare që ka shkaktuar, “Inicativa për zbatim…” jep me së shumti material për pritjen me ethe të rezultatit.

Sondazhet e realizuara kohëve të fundit u japin më shumë gjasa kundërshtarëve të kësaj iniciative edhe pse deri vonë ne përparësi kanë qenë bartësit e saj, gjegjësisht SVP/UDC-ja. Por kjo epërsi e kundërshtarëve është realizuar me vështirësi, gjegjësisht me mobilizimin e madh të të gjitha partive tjera (veç SVP-së)  dhe me sensibilizimin edhe të shtresave shoqërore që zakonisht u rrijnë larg kutive të votimit, shkruan albinfo.ch. Por edhe me gjithë këtë, sipas sondazheve, epërsia e kundërshtarëve të iniciativës mbetet mjaft e ngushtë!

Mediet thonë se aktvizimi përmes rrjeteve sociale ka arritur kësaj here t`i “ngjallë” edhe votuesit pasivë, kategori ku hyjnë kryesisht të rinjtë, duke siguruar kështu avantazhin relativ të atyre që kundërshtojnë iniciativën.

Iniciativa në fjalë, siç ka shkruar tashmë shumë herë edhe albinfo.ch, bën një ashpërsim të madh të qasjes ndaj të huajve që kanë kryer delikte. Ajo bën një katalog veprash penale i cili mundëson dëbimin e të gjithë atyre të huajve që kanë bërë delikte të lehta dhe nuk u jep aspak hapësirë veprimi gjyqtarëve për të vendosur ndryshe.

Krahas votimeve në nivel nacional, sot në 13 kantone do të vendoset për iniciativa të ndryshme kantonale dhe komunale. Kështu, në Kantonin e Lucernit do të votohet për ashpërsimin e politikës së azilit ndërsa në ate të Lucernit për mbrojtjen nga vërshimet e në kantonin e Tesinës qytetaret me votën e tyre do të vendosin për zgjatjen e orareve të shitoreve. Në Kantonin e Cyrihut sot do të votohet për iniciativën e sindikatës Unia e cila kërkon që dumpingu në ndërtimtari të luftohet me efektivisht, etj.

Siç dihet nga praktika zvicerane, pjesa dërmuese e atyre që kanë të drejtë vote, kanë votuar me kohë përmes postës. Ndërsa paraditja e sotme është shansi i fundit për ata që ende nuk kanë votuar që të hedhin votën e tyre drejtpërdejt në kutitë e votimit.

albinfo.ch do të mbajë të informuar lexuesit e saj lidhur me zhvillimet e ditës së sotme gjatë gjithë kohës.