Feja

A do ta marrin islamistët së shpejti pushtetin në Zvicër?

Artikulli i botuar më 2 nëntor në Tagesanzeiger.ch u bë top storje e ditës: më shumë se 31.000 lexime brenda 8 orësh, 358 komente, 629 preferenca në Facebook. Për çka bëhej fjalë? Një nxënës dymbëdhjetëvjeçar mysliman i një shkolle fillore në Winterthur ishte përpjekur ta kthejë në islam një shok të tij zviceran të klasës. Pasi që nxënësi zviceran e kishte refuzuar këtë, kolegët e tij myslimanë të klasës i kishin rënë aq shumë në qafë sa që prindërve të tij nuk u kishte mbetur tjetër rrugëdalje veçse ta nxjerrin fëmijën nga shkolla dhe ta çojnë në një shkollë tjetër. Ali dhe Peter i pagëzoi artikullshkruesi protagonistët e shkrimit të tij. Ali Baba kundër dhiarit Peter. Një pamje e bukur.

Britma e lexuesve të TA-së ishte e madhe dhe groteske. “A jemi ende të aftë dhe a kemi forcë për t’i mbrojtur vlerat tona”, pyeste një lexues i zemëruar. “Njerëz, zgjohuni më në fund! Islamizmi është në marsh të plotë”, tërhiqte vërejtjen një grua. Një tjetër lexuese e sheh Zvicrën duke shkuar në gjendjen të bërë tashmë normale të Gjermanisë. Atje ndodhin “ngacmimet seksuale si dhe dhunimet e nxënësve jobesimtarë nga ana e nxënësve myslimanë”. Si rrjedhim, edhe përfundimi i një lexuesi tjetër: “Më ka ardhur në majë të hundës me një formë të tillë anormale të jetës”.

Po të lexohen këto komente ke përshtypjen se myslimanët janë duke e marrë tashmë pushtetin në Zvicër. “Ata po vijnë për xhihad”, thekson një lexuese. “Ata synojnë sundimin e botës dhe dominimin mbi jobesimtarët”, mërmërin një tjetër. Së shpejti do të kemi një shumicë myslimane në parlament, është i bindur një komentues tjetër. Një tjetër është edhe më i qartë: “Ky do të jetë fundi i demokracisë në Zvicër, fundi i Konfederatës!”

Sikur ta dinte Aliu i vogël se çka ka shkaktuar?! Ai e ka prekur pjesën më të ndieshme të shpirtit zviceran – frikën e kahershme të besëlidhësve të zhdukjes nga një forcë e jashtme, qofshin ata gjermanët agresivë, ndjekësit pedantë amerikanë të tatimfshehësve, azilkërkuesit parazitë apo edhe luftëtarët e shenjtë myslimanë. Frika e të qenit të kërcënuar, e privimit nga standardi dhe nga liria jonë, duket të jetë një ndjenjë kolektive identitetnxitëse e shoqërisë sonë.

Por t’i kthehemi përpjekjes konvertuese në Winterthur, në “Köln-in e Zvicres”, siç e quan një lexues. A do të shkruante për këtë ngjarje ndonjë gazetar sikur viktima të quhej Rodrigo apo Ivan? A do të interesohej kush për ndonjë rast mobingu në ndonjë shkollë fillore, sikur që aktorët të mos e përjashtonin shokun e tyre për shkak të mosnjohjes së Allahut, por për shkak se ka mbajtur një fanellë tjetër futbolli, apo pse ata e perceptonin si shumë të trashë?

Fëmijët shpesh dinë të jenë vërtet të marrë. Ata e kërkojnë më të dobtin në klasë dhe i bien në qafë për çfarëdo qoftë preteksti. Kjo ndodh çdo ditë me mijëra herë. Në 99 për qind të rasteve nuk është në pyetje religjioni. Mësuesit dhe drejtoritë shkollore duhet të jenë vigjilentë dhe në raste të rënda të ndërhyjnë menjëherë. Ndoshta në këtë rast kemi të bëjmë me një lënie pasdore. Kjo është për keqardhje dhe për të voglin Peter më vjen vërtet keq.

Por është shokuese që një konflikt i vetëm në mes të fëmijëve të shkaktojë një valë të tillë armiqësore islamike. Komentet e tilla të lexuesve nuk bëjnë pjesë ende në mesin e më racisteve, sepse të tillat as që publikohen. Dhe as nuk janë mendime të veçuara, sepse shumica e komentuesve i bien së njëjtës daulle.

Askush nuk e vë në diskutim se në mesin e migrantëve nga vendet myslimane ka probleme. Pikërisht në shkollë mund të vijë te përplasja e pikëpamjeve dhe e normave vështirë të pajtueshme të sjelljes. Se të ardhurit duhet t’iu përshtaten vendësve dhe jo anasjelltas është po ashtu e qartë. Por, të akuzohen të gjithë banorët e Zvicrës, të deklaruar si myslimanë, se kanë ardhur këtu për ta futur sheriatin dhe për të sunduar është një histeri që nuk mund të merret me mend.

A kemi ne në Zvicër probleme serioze me nxënësit myslimanë të shkollës fillore që përpiqen t’i indoktrinojnë shokët e tyre të klasës? Jo, nuk kemi. Autoriteteve shkollore në Cyrih nuk u janë të njohura raste të tjera të ngjashme. Prandaj do të ishte me vend të tregohej më shumë gjakftohtësi. A mund të zgjidhen problemet duke biseduar për skenarë të tmerrshëm, në vend se t’iu qasemi me racionalitet?