Shqipëria

A do ta marrë Shqipëria lajmin për hapjen e negociatave?

Shqipëria pritët që gjatë ditës të marrë lajmin nëse Bashkimi Evropian do t’i japë a po jo dritën e gjelbër për hapjen e negociatave.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Punëve të Përgjithshme do të diskutohet për mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian dhe për kërkesën e Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, përcjell albinfo.ch.

Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, para takimit i bëri thirrje bllokut që të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e dhënies së një “sinjali pozitiv” për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Mendoj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të japim një sinjal pozitiv në rajon”, tha komisari Hahn. Para nisjes së takimit, Shqipëria ka marrë një lajm të mirë edhe nga Sllovakia, ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti ka konfirmuar votën për. Deri tash kundër hapjes së negociatave është thënë se janë Holanda e Franca.