E-Diaspora

Festa e 28 Nëntorit kremtohet me manifestime të shumta në Austri

Shoqata kulturore artistike “17Shkurti” në Baden të Austrisë, në drejtimin e z. Tahir Turkajt, edhe këtë herë kishte organizuar program të pasur kulturor dhe artistik. Udhëheqja e programit si çdo vit tjetër i ishte besuar Kaltrina Durmishit. “Ne i falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët që edhe këtë vit besuan në organizimin tonë dhe erdhën në numër aq të madh të njerëzve”, thotë për albinfo.ch prezantuesja e këtij manifestimi, Kaltrina Durmishi.

“Edhe këtë vit ka pasur këngë, valle shqiptare dhe recitime të poezisë. E veçantë ishte pjesa e fëmijëve të mësimit plotësues, të cilët kanë recituar disa poezi në gjuhën shqipe dhe vërtet kanë mahnitur publikun. Po ashtu, edhe disa këngë të kënduara nga fëmijët janë pëlqyer aq shumë sa që publiku ka kërkuar të përsëriten. Pikë të tjera interesante kanë qenë vallëzimet e ndryshme, në veçanti vallja “Kreshnikët e Lirisë” që është origjinal i Bekim Zekthit”, tregon ajo për eventin e mbajtur më 21 nëntor.

Në fund të programit disa fëmijë nga fundi i sallës të veshur me fanella të kombëtares kanë dalë me tupanë duke interpretuar këngën  “Kuq e Zi” nga Flori dhe Elvana Gjata. Pjesëmarrës në këtë mbrëmje ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë Roland Bimo si dhe zyrtarë komunalë të Baden-it. Mysafirë special për të argëtuar të pranishmit ishte këngëtari, Bajram Gigollli.

Një manifestim tjetër shqiptar është organizuar edhe nga shoqata “12 Qershori”, e cila udhëhiqet nga Rolanda Limani. Edhe në këtë manifestim nuk kanë munguar ruajtja e vlerave dhe traditave shqiptare në diasporë.


Studentët kremtuan me “Shije nga historia”

Ndërkohë, më ndryshe festa e 28 Nëntorit është organizuar nga Asociacioni i Studentëve dhe i të Rinjve Shqiptarë në Vjenë të Austrisë. Ata  kremtimin festës së 28 Nëntorit e kishin emëruar “Shije nga historia”.  Argjent Kokalla, kryetar i Asociacionit, na tregon detaje të organizimit.

“Programi ka filluar me himnin kombëtar të kënduar nga Arta Selimi, ndërsa u prezantua nga Ariana Sulemani dhe Endrit Xhelili. Pas fjalës sime përshëndetëse, me fjalë rasti për festën e 28 Nëntorit kanë folur Arten Hanku, sekretar në Ambasadën e Shqipërisë, Faruk Ajeti, sekretar nga Ambasada e Kosovës si dhe Egin Ceka, studiues dhe diplomat në Vjenë. Po ashtu, programi  ka vazhduar me këngën “Hajredin Pasha” kënduar nga Visar Kasa dhe Pëllumb Molaku, kurse këngën çame “Tumankuqe” e këndoi Arta Selimi, e përcjell me violinë nga studentja Sara Lalaj. Një recitim mbresëlënës ishte edhe nga Jeta Jashari me vargjet poetike “Jam shqiptar”. Programi përfundoi me koktej rasti nga gatimet tradicionale të kuzhinës shqiptare”.

Kryetari Kokalla thotë se në organizimin e tyre nuk kishte vetëm shfaqje muzikore dhe vallëzim, por me anë të z. Egin Ceka rikujtuan historinë e ditëve pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu ata iu mundësuan anëtarëve të Asociacionit të tregojnë talentet e tyre në fusha të ndryshme. “Kemi shumë artistë të mirë, të cilët bëjnë muzikë në nivel shumë të lartë, dhe në këtë event shfrytëzuam që t’i prezantojmë këto vlera nga studentët tanë”, thotë Kokalla përalbinfo.ch.

Gjatë kremtimit të festës së 28 Nëntorit, kryetari Kokalla kishte edhe një mesazh drejtuar studentëve. “Ju tregova studentëve edhe një herë që ne jemi një shoqatë joqeveritare, e pavarur dhe thjesht gjithmonë kemi për qëllim kryesor të rrjetëzojmë, të mbështesim dhe të integrojmë studentët dhe të rinjtë në shoqërinë austriake.

Projektet tona të njëpasnjëshme dhe atmosfera që është në mesin tonë po bën që çdo ditë e më shumë të na bashkohen studentë të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e këtij asociacioni”.

Kremtime dhe organizime të ndryshme janë mbajtur edhe në qytete të ndryshme të Austrisë.

Arben Gjinaj