Bota

Çdo e treta grua në BE ka përjetuar dhunë

Në prag të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, përfaqësuesit e BE-së, Mogherini, Jourová, Mimica dhe Stylianides kërkojnë ndalje e dhunës ndaj garave

Një nga tri gra e Bashkimin Evropian ka përjetuar ndonjë formë të dhunës me bazë gjinore në jetën e tyre. Këto shifra konsiderohen alarmante prandaj në prag të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, përfaqësuesit e BE-së bëjnë thirrje kundër dhunës ndaj grave.

Në një letër të përbashkët, Federica Mogherini, përfaqësues e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendës-Presidente e Komisionit Evropian, Vera Jourová, komisionere për Drejtësi, konsumatorë dhe barazi gjinore, Neven Mimica, komisioner për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim dhe Kristos Stylianides, komisioner për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhim të Krizave kërkuan që të ndalet dhuna ndaj garve.

“Në prag të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, ne bashkojmë zërat tanë që t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kjo dhunë përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe diskriminim gjinor që dëmton çdo vend në Evropë dhe në mbarë botën. Ne dënojmë fuqishëm të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave”m thuhet në deklaratë.

Shumë vajza, sipas tyre, janë martuar ose gjymtuar në fëmijëri brenda kufijve tanë dhe më gjerë. “Në shumë vende, më shumë se gjysma e grave të vrara janë vrarë nga partneri i tyre intim, nga ndonjë anëtar i afërm i familjes, ose në shtëpitë e tyre. Ato janë gjithashtu shumë të ndjeshme ndaj të gjitha formave të dhunës në zonat e konfliktit dhe gjatë krizave humanitare”m, thuhet në deklaratë.

Këtë vit, sipas tyre, duhet t’i kushtohet vëmendje të veçantë numrit në rritje të grave që kërkojnë strehim apo azil në BE. Disa kanë qenë të përdhunuara, të rrahura apo të shfrytëzuara seksualisht gjatë udhëtimit të tyre, derisa të tjerat, siç thonë ato, i ikin dhunës me bazë gjinore në vendet e tyre.

“Ata po vijnë në Evropë në nevojë për një mbështetje të ndjeshme gjinore, të cilën duhet t’ua ofrojmë”, konsiderojnë Mogherini, Jourová, Mimica dhe Stylianides.

Luftimi i të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave, sipas tyre, mbetet një prioritet kryesor për Komisionin, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të BE-së.

Direktiva e BE-së për të drejtat e viktimave, e cila njeh nevojat specifike të viktimave të dhunës me bazë gjinore, ka hyrë në fuqi më 16 nëntor. “Ne mbështesim pranimin e BE-së në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si një hap më tej për të luftuar në mënyrë efektive dhunën ndaj grave e vajzave në nivel kombëtar dhe evropian”, thuhet më tej.

Një formë tjetër e dhunës që ka si synim veçanërisht gratë dhe vajzat, sipas tyre, është dhuna seksuale në konflikt.

“Ndërsa po e festojmë 15 vjetorin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të eliminuar të gjitha format e tilla të dhunës dhe për të sjellë autorët para drejtësisë”.

Sipas përfaqësuesve të BE-së, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa fuqizimin e gruas dhe kjo nuk mund të arrihet pa eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj të gjitha grave dhe vajzave.
Kjo është arsyeja pse BE-ja, siç thonë Mogherini, Jourová, Mimica dhe Stylianides, ka punuar shumë për të vënë të drejtat e grave në qendër të Objektivave të reja për zhvillim të qëndrueshëm, duke përfshirë këtu edhe objektivat e veçanta për eliminimin e dhunës me bazë gjinore dhe praktika të dëmshme ndaj grave dhe vajzave.

“Që nga janari 2016, do të aplikohet një Plan i ri Veprimi Gjinor 2016-2020 për marrëdhëniet e jashtme të BE-së, i miratuar nga Këshilli. Luftimi i të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave është një nga objektivat prioritare. Në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm kohët e fundit ka shtrirë një informim diplomatik me fokusim në të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave dhe në veçanti për t’i dhënë fund martesave të fëmijëve, të hershme dhe të detyruara  si dhe gjymtimit gjenital femëror”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Këtë vit, Komisioni Evropian ka ndarë rreth 8 milionë € për projekte për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave brenda BE-së dhe 20 milionë € për luftimin e praktikave të dëmshme jashtë vendit. BE-ja vazhdon të financojë projekte humanitare që i përgjigjen dhunës me bazë gjinore në emergjenca dhe kriza.