CH-Ballkani
Erëra të hutimit*
Fushatat zgjedhore janë gjëra të çuditshme në Maqedoni; në momentin që lajmërohen, të gjithë duket sikur i marrin frymë, i mishërojnë dhe i diskutojnë vazhdimisht (por ndoshta jo gjithmonë në mënyrë kritike). Partitë politike nisin punën e tyre shpejtë, duke themeluar ekipe të fushatës dhe organe elektorale; ata fillojnë të bëjnë premtime për të ardhme më të mirë.
Maqedonia shpeshherë ka mbajtur zgjedhje të parakohshme; në fakt prej vitit 2006, ende nuk ka mbajtur zgjedhje në datë të planifikuar. Megjithatë, zgjedhjet e prillit të vitit 2016, që premtuan të gjejnë zgjidhje për krizën politike, e kanë vëmendjën e të gjithëve. Partitë politike janë të etura që ta kalojnë njëra tjetrën, qytetarët po mobilizohen, ndërsa komuniteti ndërkombëtar me shumë qëllim po i shikon këto zhvillime. Në mes të kësaj gare, mbizotëron hutia.
Demokracia ka Vdekur, Rroftë Demokracia!
Ky vit ishte mjaft interesant në Maqedoni. Vizituesit në Shkup gjatë verës u pritën me shumë tenda hutuese në mes të qytetit, të cilat krijonin atmosferë sureale në kryeqytet. Kampistët të gjithë ishin protestues politik, por ishin të ndarë sipas besnikërive të tyre. Kampet jashtë zyrës së qeverisë përmbanin protestues në kundërshtim të qeverisë, të cilët kërkonin dorëheqjen e tyre pas skandalit të përgjimit. Ndërkohë, jashtë kuvendit, mbështetësit pro-qeveritar u mblodhën në tenda, duke qëndruar fuqishëm dhe me devotshmëri.
Mbështetja për qeverinë pas skandalit mund të duket befasuese por shumë i panë përgjimet si shfaqje me qëllime hutuese, dhe i krahasuan ato me ‘drama televizive turke’ e i injoruan implikimet serioze që i kishin bisedat e kapura nga këto përgjime. Demokracia ka vdekur!
Megjithatë, hutia thuhet se u zgjidh me Marrëveshjen e Perzhinos të ndërmjetësuar nga BE në mes të liderëve të katër partive kryesore politike. Marrëveshja përfshiu kushtin që zgjedhjet e ardhshme të mbahen më herët se që ishte planifikuar, në prill 2016. Kjo do të siguronte reformat e ndryshme që qeveria dhe opozita do të duhej t’i zbatonin. Rendi do të kthehej përsëri. Rroftë demokracia!
Disa Gunga në Rrugë
Në shtator, gjërat u duk sikur filluan mirë. Opozita u kthye në Parlament për herë të parë prej zgjedhjeve të fundit të vendit në 2014. Klasat politike filluan përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, BE ndërmjetësoi bisedimet në mes të partive kryesore politike të Maqedonisë dhe pastaj ngadalë u ndal krejtësisht.
Çështjet e pazgjidhura ishin të shumta; përgjegjësitë dhe fuqitë e zëvendës ministrave të ri, ndryshimi i ministrave që drejtojnë Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, dhe emërimi i ekipit që do të punojë përkrah prokurorit special të ri. Problemet vazhdojnë të jenë të pranishme, por një pjesë e ngërçit u zgjidh kohëve të fundit, kur një marrëveshje për ministrat dhe zëvendës ministrat e ri u arrit më në fund të premtën, me 6 nëntor.
Megjithatë këto emërime nuk është se sjellin më shumë siguri. Lufta për fuqi veç se ka nisur dhe nuk do të jetë i qetë tranzicioni prej ministrave të ri të SDSM dhe ministrave të VMRO-DPMNE që po largohen. Qeveria aktuale ka dëshmuar shumë herë se nuk ka për qëllim të lehtësojë procesin e zgjedhjeve të hershme, dhe se nuk do të largohen me qetësi, nëse lagohen fare.
Pavarësisht kësaj paqartësie, të gjitha partitë politike janë përgatitur për zgjedhje, dhe e kanë marrë shumë seriozisht. VMRO-DPMNE udhëheqëse (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedone – Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas) e ka rritur numrin e projekteve infrastrukturore dhe ka bërë premtime për mundësi të reja të punës nëpërmjet projektit “Maqedonia Punëson”; që synon punësimin e “grupeve të prekshme” nëpërmjet heqjes së obligimit të punëdhënësve për të paguar përfitime sociale dhe taksa personale për punonjësit e këti grupi.
Ndërkohë partneri i tyre në koalicion, BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), sapo mbajti takimin e parë të kongresit (shtabit) zgjedhor. Partia më e madhe opozitare, SDSM (Unioni Social-Demokratik i Maqedonisë), veç se ka filluar fushatën dhe po mban takime në stil të bashkisë së qytetit, nëpër komuna të ndryshme. Ndërsa PDSH (Partia Demokratike e Shqiptarëve) ka qenë mjaft joaktive, kohë pas kohe duke trazuar me kritika ndaj situatës aktuale politike. Çfarë do të ofrojnë saktësisht partitë këtë herë?
Fytyrat e Njejta, Premtimet e Njejta?
Katër partitë e mëdha politike duket se kanë mbetur pa ide. Aluzionet e slloganeve të fushatave për zgjedhjet e reja lënë shumë për t’u dëshiruar. Dy partitë qeverisëse kanë zgjedhur sllogane shumë enigmatike.
VMRO-DPMNE shpeshherë e kanë përdorur moton “Maqedonia e FUQISHME” në muajt e fundit. Ishte sllogani i përdorur në Kongresin e fundit të partisë dhe thirrja grumbulluese për protestat e 18 majit. Mbetet të shihet nëse do të ruhet edhe për zgjedhje. Në anën tjetër, partnerët qeveritar të tyre, BDI, kanë zgjedhur slloganin “Fillojmë”, që me krenari u shfaq në takimet e tyre të kongresit zgjedhor.
Të dy janë zgjedhje të çuditshme nga partitë qeverisëse. Skandali i përgjimit dhe zbulimet e korrupsionit të pafund që u zbuluan prej tij e kanë bërë Maqedoninë gjithçka tjetër përpos të fuqishme, dhe fakti që BDI ka qenë në fuqi prej vitit 2008, e sllogani nënkupton përpjekje të re dhe të freskët, mund të mos jetë shumë inkurajues për votuesin.
Megjithatë, të dy partitë ende kanë bazë të fuqishme të anëtarësisë. Sipas një deklarate të dhënë nga lideri i tyre Ali Ahmeti në Kongresin e fundit, DUI ka 15,000 aktivistë të regjistruar në këtë fushë, dhe ekip të fushatës zgjedhore të përbërë prej 1,000 anëtarëve; shifra mbresëlënëse për një parti e cila tradicionalisht është e treta në Maqedoni.
Kufijtë në mes të shtetit dhe partive që e përbëjnë qeverinë, afërsia e të cilëve u kritikua nga BE kohëve të fundit në një raport nga Grupi i Ekspertëve të Lartë, vazhdojnë të jenë mjaft të turbullt. VMRO-DPMNE përdor projekte shtetërore të infrastrukturës për të përparuar fushatën e tyre zgjedhore, ndërsa udhëheqësi i Marrëdhënieve me Publik i Ministrisë së Brendshme është bërë zëdhënësi dhe drejtori i komunikimit në parti, gjë që sugjeron fushatë të vazhdueshme dhe të pafund. Kryetari i fushatës (shtabit) zgjedhore të BDI është gjithashtu ministër aktual.
LSDSM duket se ka zgjedhur sllogan më optimist, “Vizioni për Maqedoninë”, që nënkupton fushatë përparimtare që adreson çështje të reja. Megjithatë, uebfaqja e fushatës së tyre ende paraqet Programin për zgjedhjet 2014-2018 që kishte moton “Të kthejmë klasën e mesme”.
Me të vërtetë të gjitha partitë politike ende shfaqin Program Zgjedhor të zgjedhjeve 2014-2018, dhe kjo ndoshta është për shkak të paqartësisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Megjithatë, në forumet e saja publike, SDMS ka filluar të konturojë çfarë duken si shtylla të fushatës së tyre të ardhshme. Diskutimet e tyre janë fokusuar në integrim evropian, shoqëri më të hapur, reforma në arsim, mjedis të shëndoshë për jetë të shëndoshë, rroga të favorshme, punë të denjë, dhe projekte infrastrukturore.
PDSH ka qenë mjaft pasive sa i përket planifikimit para-zgjedhor. Sfida e re e BDI për vota shqiptare mund të vjen me gjasë prej tri partive të reja që nuk ekzistuan në zgjedhjet e kaluara: BESA, Lëvizja për reforma në PDSH, dhe UNITETI. Kjo e fundit është parti politike që u formua nga ish-anëtarë të BDI, dhe që u krijua për shkak të pakënaqësisë me BDI dhe me mënyrën se si ka reaguar, ose ka dështuar të reagojë, ndaj krizës politike. Kjo sipas themeluesit të saj, ish-gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gëzim Ostreni.
Lëvizja për reforma është degë e pakënaqur e ish-deputetëve të PDSH që po kërkojnë reforma brenda vet partisë, e udhëhequr nga kryetari i Strugës. Ndonëse BESA u themelua më herët, prap se prap është e kufizuar në disa komuna. Asnjëra prej këtyre partive nuk ka mbajtur Kongres, gjë që shkakton dyshime për aftësinë e tyre për të mbledhur bazë të anëtarësisë, që do t’i rriste mundësitë e tyre për të fituar ulëse në zgjedhjet e ardhshme.
Ende ka huti për votuesit, në mes të këtyre shpërthimeve informative zgjedhore. Në zgjedhjet e ardhshme në prill, alternativat nuk duken aq ndryshe prej atyre që u paraqitën në zgjedhjet e vitit 2014, pavarësisht krizës politike. SDSM do të duhet t’ia dëshmojë elektoratit se do të jetë ndryshe nga VMRO, e për saktësisht si do të jetë ndryshe ende nuk janë dhënë hollësi.
Prej zgjedhjeve të vitit 2014, SDSM është fokusuar gati vetëm në fushatën e gjatë për ta diskredituar qeverinë nëpërmjet lansimit të përgjimeve. Kjo i ka lënë ata të preokupuar dhe të mbyllur nga komunikimi me elektoratin. Deri më tani i vetmi premtim që populli e ka dëgjuar prej tyre është ai i të qenit demokratik dhe jo të korruptuar. Shumë njerëz nuk janë bindur.
Edhe forumet publike të mbajtura nga partia ende duket se janë të kufizuar; të vegjël në masë dhe të mbajtur gati ekskluzivisht në seli të partisë në Shkup. Deri tani, është shprehur tendenca për të përfshirë fytyrat e njejta që priten të marrin pjesë në ngjarje të këtij lloji. Partia ka nevojë të zgjerohet përtej kryeqytetit, pasi që gjithmonë ka pasur kritika se kanë tendenca elitiste që bien në kundërshtim me ideologjinë e tyre majtiste.
Në këto zgjedhje post krizës, më së shumti mungon një fuqi e re politike. Edhe partitë e sapoformuara politike janë mbeturina të të vjetrave, dhe nuk japin shumë shpresë për ndryshim. Shumë të rinj që dolën për të protestuar ditë pas dite në ora 6 shpresuan për një periudhë të ndryshimit, megjithatë duket se do të ketë vetëm periudhë të hutimit.
* Opinioni është publikuar në Kosovo 2.0 Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës