Opinione
Deri kur ma?*
“Për shkak të dhunës së vazhdueshme, m’u desht me i marrë fmitë e me ikë prej shpisë. Shkova e mora një shpi të keqe e të vjetër me qira, se nuk kishim ku me shku. E lajmrova rastin në polici, e gjyqtari i tha burrit tem mos me m’u afru ma, as mu e as fmive. Nuk shkoj gat, midis natës, taman ramë me flejtë, u nijke dikush tu’ bërtitë te dera, ish ardh burri jem. Kajke e bërtitke, dikur ja nisi me sha e kërcënu, thojsha ka me hi me na vra krejtve. Prej tutës e thirra policinë, po ata nuk erdhën” – ky është rrëfimi tronditës i njërës nga shumë gra të cilat janë viktima të dhunës në familje, e që kërkojnë ndihmë nga institucionet e drejtësisë, në mënyrë që atyre dhe fëmijëve vetëm t’ua sigurojnë të drejtën e jetës, asgjë më shumë.
Në momentin kur katër fëmijët e saj po flinin në dhomën tjetër të shtëpisë, para pak ditësh në Suharekë, u vra nga burri i saj, në mënyrën më mizore të mundshme Zejnepe Bytyqi. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga policia për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti. Rasti i tillë sikurse i Zejnepes është edhe ai i Diana Kastratit, e cila u vra pa mëshirë po nga bashkëshorti i saj, e organet e drejtësisë nuk ishin aty për ta mbrojtur edhe pse ajo kërkoi vazhdimisht ndihmë.
Në aspektin ligjor e në rastet e praktikës gjyqësore, kur kemi të bëjmë me dhunë në familje, shpeshherë nga gjykata caktohet një masë e butë ndaj kryesit, siç mund të jetë ndalimi për t’iu afruar personit të caktuar. Masa e tillë në rastet e dhunës në familje, caktohet kryesisht në rastet kur ekzison rreziku i përsëritjes së veprës penale, ose rreziku se personi do të përfundojë veprën penale të tentuar ose do të kryejë veprën penale për të cilën është kanosur. Në rast se një masë e tillë, e caktuar nga gjykata, nuk respektohet nga personi i cili është nën këtë masë, duhet të njoftohet menjëherë policia e më pas edhe gjykata, e cila si pasojë, masën e tillë do ta zëvendësojë menjëherë me paraburgim – deri në momentin kur kjo masë nuk është e nevojshme, ose deri në marrjen e një vendimi meriton nga gjykata për rastin në fjalë.
Në rastin e Zejnepes e shumë grave të tjera, të cilat ishin, janë ose do të jenë viktima të dhunës në familje, shtrohen shqetësimet se: ku do të lajmërojnë rastin e tyre ato, kur nuk marrin përgjigje me kohë? Ku do të kërkojnë ndihmë, kur ajo nuk i ofrohet atyre? Kujt të i drejtohen, kur organet e thirrura për t’ju ofruar siguri, nuk janë askund?
Përveç mungesës së gatishmërisë së institucioneve përgjegjëse, çfarë paraqet shqetësim edhe më të madh, është fakti që gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje, në momentin që vendosin të paraqesin rastin në organet e drejtësisë, ato dekurajohen së pari nga familja e tyre, e pastaj edhe nga vetë shoqëria.
Gratë e tilla gjithmonë apostrofohen si amorale, se “ajo e ka lyp dajakun”, se “ka ba diçka pse burri e ka rreh”, ose i thonë “trus qaty se burri qështu asht” ose “duhesh me duru se ke dashtë burrë” apo në rastin më të keq “duro se s’ki ku me shku, se qëtu s’ki vend”.
Familja, shoqëria, organet e drejtësisë e mbi të gjitha shteti, duhet të japin mesazh të qartë se dhuna nuk do të lejohet, se në rast se ajo kryhet do të dënohet, se gruaja është qenie njerëzore, e barabartë me burrin dhe se ajo i gëzon të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Ligje e Konventa Ndërkombëtare.
Ndërkaq organeve të drejtësisë, i duhet të formojnë urgjentisht një grup të veçantë në përbërje të policisë, prokurorisë e gjykatës, të cilët do t’i kenë prioritet rastet e tilla dhe se do të reagojnë me kohë, para se të vijë viktima e radhës.
E mbi të gjitha – prindër e mësimdhënës, edukoni fëmijët tuaj, nxënësit tuaj, se gratë janë të barabarta me burrat, se dhuna është e papranueshme dhe se jeta e secilit është më e vlefshme se çdo gjë tjetër.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha