Lajme

Edhe 10 mijë të zhdukur nga luftërat në ish-Jugosllavi

Kosova dhe Mal i Zi nënshkruan sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Nga konfliktet e viteve ’90-ta kanë mbetur edhe 10 mijë të zhdukur

Më shumë se 10 mijë qytetarë të republikave të ish-Jugosllavisë akoma konsiderohen të zhdukur që nga luftërat e viteve’90-ta. Vetëm në Kosovë kjo shifër shkon në 1600 qytetarë, prandaj për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ish republikat tani po bëjnë marrëveshje ndërshtetërore njëra me tjetrën.

Sot në Prishtinë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Ky është një hap i parë drejt bashkëpunimit rajonal, në bashkëpunimin për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Ne do të jemi të interesuar edhe me shtetet tjera që kanë qenë në luftë në periudhën e viteve të 90’ta, të shekullit të kaluar të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi”, tha Prenkë Gjetaj, Kryesuesi  i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës.

Ai tha se kontaktet e para i kanë bërë me Kroacinë dhe do të interesohemi me të gjitha shtetet të cilat janë të involvuara në mënyrë direkte apo indirekte në këtë proces ku ka persona të zhdukur.

“Në nivel të ish-Jugosllavisë sipas informacioneve që kemi janë mbi 10 mijë persona të zhdukur, vetëm Kosova i ka të evidentuar edhe më shumë se 1650 persona të zhdukur, si pasojë e luftës”, deklaroi Gjetaj, sipas të cilit, ky bashkëpunim do të ndihmoj që të ketë qasje institucionale në shkëmbimin e informacioneve, evidentimin e personave të zhdukur.

Gjetaj më tej vlerësoi gatishmërinë e Komisionit homolog nga Mali i Zi, në kuadër të bashkëpunimit rajonal që sipas tij, “ky hap do të ndikojë pozitivisht në ofrimin e bashkëpunimit edhe me vendet tjera, madje edhe me Serbinë do të jemi të interesuar të kemi një marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetëror për çështjen e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq, ka vlerësuar se marrëveshja do të ndikoj që me bashkëpunim rajonal të bëhet zgjidhja e kësaj çështjeje.

“Me Komisionin e Qeverisë së Republikë së Kosovës, kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, dhe mund të them në emër të Komisionit të Qeverisë së Republikës së Malit të Zi se në këtë mënyrë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, dhe të gjithë do t’i përkushtohemi qëllimit përfundimtar dhe human”, tha ai.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, tha se kjo është çështje shumë e ndjeshme politike, zbardhja e fatit të personave të zhdukur në hapësirat e tërë ish-Jugosllavisë ku ka pasur konflikte të armatosura.

Të dy vlerësuan se numri i të zhdukurve në tërë rajonin është mbi 10 mijë persona, andaj Komisionet do të bëjnë përpjekje për nxjerrjen e një liste të përbashkët në nivel rajonal. Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe konferencës për media, të dy kryesuesit e Komisioneve vendosen kurora lulesh te “ Përmendorja për Personat e Zhdukur”.