Lajme

Përmbytje në Maqedoni e Shqipëri

Reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë një pjesë të Ballkanit Perëndimor, kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa vende, ndërsa Maqedonia edhe kësaj here ka qenë më e goditura nga cikloni që erdhi nga Egjeu. Në Shkup,Tetovë, Ohër, Kërçovë e Gostivar raportohet për vërshime të theksuara.

Institucionet në Shkup u kanë bërë thirrje autoriteteve lokale në komunat e prekura, që të marrin veprimet e duhura për t’i bërë ballë përmbytjeve të mundshme. Në raste kritike, komunave do t’iu dalin në ndihmë edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave si dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Për shkak të reshjeve të dendura, studentët e konviktit “Goce Dellçev” në Shkup qëndruar gjithë natën zgjuar, raporton AlsatM. Sipas njoftimeve, në këtë konvikt uji ka depërtuar nëpër të qarat e pllakës nëpër katet e konviktit.  Imagjinoni t’ju pikojë nëpër dhoma, nga tavani përmes prizave dhe kabllove të rrymës, jo vetëm që është jonjerëzore, por edhe e rrezikshme”, tha Darko Malinovski nga unioni i studentëve.

Edhe banorët e Ohrit i tremben një vale të re reshjesh gjatë natës. Disa prej tyre në mëngjes nxirrnin ujin nga shtëpitë e tyre me pompa speciale.

“Kemi pasoja serioze nga moti në disa lokalitete të qytetit dhe nëpër fshatra. Këtu gjendemi në lagjen “Hekurudhë” ku janë përmbytur një numër i madh shtëpish, menjëherë nën rrugën për shkak të reshjeve të dendura të shiut, pozitës së ulët të truallit dhe për shkak të kapacitetit të vogël të kanalizimit për tërheqjen e ujërave”, tha Nikolla Bakraçeski, kryetar i Ohrit.

Sipas matjeve të Entit Hidrometeorologjik në Pozharan ka rënë 100 litra në metër katrorë, në Krushevë 99, në Ohri gjithashtu 99 litra për metër katror, në Tetovë 82 litra për metër katror, ndërsa në Shkup, 71 litra për metër katrorë.

Ndryshe, reshjet e shiut kanë krijuar vërshime dhe në Shqipëri, ndërsa qindra rrugë në Tiranë e në rrethe janë përmbytur. Autoriteti Rrugor Shqiptar, flet për situatën më të fundit në rrugët e vendit, ndërsa bën të ditur se prej mesnatës po punohet nga Shtabi i Drejtorisë në të gjitha akset rrugore.

“Akset kryesore janë tërësisht në funksion të plotë dhe nuk ka bllokime. Ka patur rrëshqitje dherash në disa zona, por me ndërhyrjen e drejtorive rajonale situata është normalizuar. Segmentet më të vështira për momentin janë: Vlorë-Fushë Dukat, Ersekë-Korçë,Këlcyrë-Ballaban. Aksi Banjë -Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli,” thuhet në njoftimin e ARRSH.