Tematike
Gross: “Islami nuk mund të jetë problem i zviceranëve”
Me rastin e përshëndetjes së tij nga Parlamenti i Zvicrës, Andreas Gross, politikan me reputacion prej studiuesi dhe ideologu, ka dhënë një intervistë të zgjeruar për gazetën Tages Anzeiger,të cilën me disa shkurtime e boton albinfo.ch
Me rastin e përshëndetjes së tij nga Parlamenti i Zvicrës, pjesë e të cilit ka qenë për plot 24 vite, Andreas Gross, politikan me reputacion prej studiuesi dhe ideologu, shef i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin Evropian, ka dhënë një intervistë të zgjeruar për gazetën Tages Anzeiger. Problemi që preokupon aktualisht njerëzimin dhe në këtë kontekst edhe Zvicrën, islami i politizuar është në fokus të kësaj interviste, e cila trajton edhe shumë probleme tjera që lidhen me demokracinë në Zvicër dhe në botë.
albinfo.ch ka përkthyer me shkurtime këtë intervistë.
Në vitin 1991 Andreas Gross pati hyrë në Parlamentin Nacional si deputet i Partisë Socialdemokrate nga Cyrihu. Nuk ka gjurmë lodhjeje te ai as pas kaq vitesh. Ai kritikon SVP/UDC-në për qasjen e saj ndaj islamit.
Tages Anzeiger: Z. Gross, pas 24 vitesh ju tërhiqeni nga Parlamenti Nacional. A e përfundoni ju kështu angazhimin tuaj politik?
Andreas Gross: Në asnjë mënyrë. Është e vërtetë që po e përmbyll punën në parlament dhe për fat të keq edhe në Këshillin e Evropës. Por, pikërisht ashtu sikurse jam angazhuar në politikë në 20 vitet e mia para se të hyja në parlament, këtë do të vazhdoj ta bëj edhe në të ardhmen, të shpresojmë, deri sa t`i mbush 96 vjet. Krahas kësaj do të shkruaj reportazhe, libra, do të hulumtoj. Unë peshkoj edhe më tutje, jo më në liqenin politik të peshkaqenëve por në Doubs ose në barkën time në bregdetin danez. Ky është një privilegj i madh. Një futbollist del nga forma në moshën akoma 35 vjeçare. Si politikan, as me 63 vjet nuk e ke përfunduar.
Në vitin 1991 jeni zgjedhur në parlament. Si ju ka ndryshuar puna aty nga ajo kohë?
Parlamenti sot është shumë më i polarizuar. Për një politikan të majtë është bërë tepër e vështirë të arrijë shumicën në parlament. Në komisionin për politika shtetërore të cilit unë gjithmonë i përkisja, ishte më së vështiri. Pasi që në këtë komision kemi të bëjmë me çështje të politikës së jashtme, SVP-ja dhe partitë e Qendrës prej një kohe të gjatë i delegojnë aty përfaqësuesit e tyre të linjës më të fortë. Me ta nuk mund të bëje asgjë sa u përket çështjeve të demokracisë politike. SVP-ja madje e ka brutalizuar qasjen me ata që mendojnë ndryshe.
Me cilat pasoja?
Ballafaqimet parimore për çështje konkrete në këtë mënyrë janë bërë dukshëm më të vështira. Nuk kërkohet më gjetja e përbashkët e zgjidhjes më të mirë por mendojnë nga fillimi se këtë zgjidhje tashmë e kanë. Në esencë, unë në Parlament e kam fituar përshtypjen se sot nuk luan më rol se çfarë thuhet aty. Pozicionet tashmë janë përcaktuar në mbledhjet e fraksioneve të partive dhe komisioneve kështu që ato nuk ndryshojnë më.
Ku qëndron problemi?
Numri, intensiteti dhe kompleksiteti i çështjeve politike në shqyrtim po vijnë duke u rritur. Kjo çon te një mbingarkesë pasi që deputetët në Zvicër nuk kanë mundësi t`i kushtohen vetëm politikës. Ata duhet që krahas kësaj pune, të fitojnë para edhe tjetërkund. Kështu, shumë prej tyre pranojnë të angazhohen nga ndonjë koncern energjetik, firmë sigurimesh etj. Në këtë mënyrë ata marrin një pagë shtetërore por nga ana tjetër është po ashtu e qartë se në këmbim, përfaqësojnë interesa të caktuara. Në këtë kuptim ata janë shumë më pak të gatshëm që të kërkojnë të mirën e përbashkët. Numri i atyre që vazhdojnë të jenë “Milizpolitiker” të vërtetë (varianti zviceran i angazhimit të deputetëve me “normë jo të plotë”) dhe që krahas punës në parlament vazhdojnë me punën në një profesion normal është bërë shumë i vogël.
A doni të thoni me këtë se Parlamenti i Zvicrës është më i korruptuar se ai i Italisë?
Jo patjetër. Korruptimi i Parlamentit të Zvicrës korrigjohet vetvetiu nga fragmentimi i fuqisë politike në Zvicër, hapësira e vogël dhe afërsia me qytetarin, këto e pengojnë më të keqen.
Po si mund të forcohet pavarësia e një parlamentari?
Në Gjermani, secili ish deputet merr pas 12 vitesh një pension që është më i lartë se paga e secilit parlamentar aktiv zviceran. Ndërsa kur dikush si unë pas 24 vitesh të kaluara në parlament merr vetëm 1100 franga në muaj nga fondi pensional, është e qartë përse unë detyrohem të punoj deri t`i mbush 90 vjet. Jo çdonjëri është i gatshëm për diçka të tillë. Prandaj disa janë të kënaqur nëse marrin një shtesë të ardhurash dhe nuk brengosen për pavarësinë e tyre të humbur.
E majta ka humbur kohëve të fundit shumë iniciativa: Iniciativa për pushimet e zgjatura, për pagën minimale, ajo 1:12, për fondin unik shëndetësor etj. A është ajo duke përfaqësuar më synimet e duhura?
Patjetër. E majta që nga viti 1918 kur, në përpjekjen e katërt kishte arritur ta kalonte iniciativën “Zgjedhja proporcionale në Parlament”, matematikisht nuk e ka fituar asnjëherë më ndonjë iniciativë tjetër. Por suksesi i një iniciative të majtë nuk matet në mënyrë matematikore. Përcaktues është ndikimi politik i saj. Merreni për shembull të drejtën e votës për gratë. Ajo në vitin 1959 kishte humbur në votimin e popullit ndërsa 12 vite më vonë pati fituar shumicën. Procesi i të mësuarit në Zvicër kalon përmes humbjeve. Por ajo që mua nuk më pëlqen në fakt në iniciativat e përmendura është se të gjitha janë synime materiale. Pikërisht SP-ja do të duhej që sërish të bëjë shumë më tepër iniciativa te orientuara nga vlerat.
Ju e keni filluar karrierën tuaj politike me një utopi, duke lancuar iniciativën për heqjen e ushtrisë dhe po tërhiqeni nga parlamenti sërish me një utopi – iniciativën për pagat e pakushtëzuara. A jeni ju utopisti i fundit?
Jo, ka edhe njerëz të tjerë me utopi. Unë do të vazhdoj edhe më tutje të punoj në realizimin e utopive, siç kam bërë në kohën para se të isha parlamentar. Sepse e gjithë ajo për çka ne sot jemi krenarë, para 100 ose 200 vitesh ka qenë utopi. Është mirë që koha e realizimit të saj zgjat dhe paraprakisht duhet gjetur shumica, deri sa utopia të bëhet realitet. Në këtë mënyrë mund të evitohen shumë gabime. Por nevojiten njerëz të cilët e kryejnë punën përgatitore, në mënyrë që ndoshta pas 40 vitesh një parti sikur CVP-ja të fitojë një referendum dhe të bëhet sikur ajo të ishte nëna e të gjitha shumicave.
A është ndoshta SVP-ja duke prekur më mirë në nervin e njerëzve?
Ta marrim për shembull iniciativën kundër minareve. Islami nuk mund te jetë hall i zviceranëve. Ai nuk e zemëron me të vërtetë askënd. Njerëzit të cilët në vitin 2009 patën votuar pro ndalimit, nuk i kishin në mend 400 mijë myslimanët e Zvicrës. Ka qenë shumë më tepër një vendim i udhëhequr gabimisht kundër fanatikëve religjiozë dhe dhunuesve në Lindjen e Afërme dhe kundër diskriminimit të grave atje. Të huajt dhe ata që janë ndryshe, keqpërdoren dhe instrumentalizohen shpeshherë si objektiva për çështjet vërtet të rëndësishme.
Për shembull?
Njëra nga këto çështje është frika që të mos mund të gjejnë më një banesë të qetë ose ndonjë vend pune “të hajrit”. Mirëpo kjo nuk ka te bëjë me të huajt por me lëvizjet e kamatave të cilat bëjnë që një banesë e caktuar të mos jetë më e pagueshme nga një familje me katër anëtarë ose me rrogë e cila është e vogël. Në këtë mënyrë përfitohet politikisht nga frika e popullit por me siguri nuk zgjidhen problemet e vërteta.
Cilat janë sukseset tuaja më të mëdha në Parlamentin Nacional?
Sukseset politike kanë gjithmonë shumë “etër dhe nëna”. Kjo nuk mund të jetë assesi ndryshe. Por suksesi më i madh në të cilin unë kam dhënë një kontribut thelbësor ka qenë iniciativa për OKB-në. Atëbotë, në vitin 1997 i pata thënë kolegut tim nga parlamenti, Remo Gysin se në vend të iniciativës parlamentare duhej të inicionim një iniciativë të vërtetë popullore. Vetëm populli mund ta korrigjojë një vendim të popullit ndërsa qeveria nuk kishte guxim. Koha e zgjedhur për votimin e popullit, viti 2002, ishte e volitshme. Po të caktohej për pak më vonë, ajo sigurisht do te refuzohej.
Sukses të dytë për nga rëndësia ne të cilin unë kam kontribuar si deputet ka qenë kushtetuta e re federale dhe pengimi që për iniciativat popullore dhe referendumet të lejohen numra më të vegjël nënshkrimesh.
Jeni angazhuar fuqishëm në Këshillin e Evropës. Sa i rëndësishëm është ky institucion?
Këshilli i Evropës nuk bën të nënçmohet. Konventa e të drejtave të njeriut është njëra ndër arritjet më revolucionare që nga Lufta e Dytë Botërore. Ekzistimi i një vendi në të cilin qytetarët mund të mbrohen kundër shtetit të tyre i cili shkel të drejtat e njeriut dhe që madje mund ta detyrojë gjykatën e atij vendi të korrigjojë shkeljet, është kontribut gjigant.
Ju keni bërë mbikëqyrjen e zgjedhjeve në shumë vende. A keni mundur të pengoni mashtrimet zgjedhore?
Azerbaixhani sa i përket mashtrimit zgjedhor bën pjesë ndër vendet më të këqija. Në zgjedhjet e vitit 2005 pata qëndruar në të njëjtin vendvotimi nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë. Drejtuesja e lokalit zgjedhor pastaj pati dhënë një deklaratë të habitshme: “Zoti Gross ka qenë tërë kohën këtu. Ne nuk mund të mashtronim”. Në pjesën kurde të Turqisë kam qëlluar vitin e kaluar në një lokal zgjedhor në të cilin ishin numëruar të gjitha votat edne pa u mbyllur orari i zgjedhjeve. Sipas këtij numërimi, kishin votuar 99% të njerëzve me të drejtë vote dhe 96% të tre i kishin dhënë votën partisë kurde. Unë i pata thënë pastaj përgjegjësit se kandidati kurd duhej të turpërohej për një veprim të këtillë. Krahas këtyre ka edhe efekt parandalues kur njerëzit e dinë se vëzhguesit janë atypari. Natyrisht nuk ka mundësi matjeje se sa herë është arritur të ndalohen mashtrimet zgjedhore në këtë mënyrë.
I keni vëzhguar zgjedhjet në Tunizi. Pranvera Arabe premtonte një sukses demokratik. A mendoni se ka dështuar kjo?
Në Siri dhe në Libi ka pasur dështim total. Egjipti është kthyer në një diktaturë që është pothuaj po aq e keqe sa ajo e Mubarakut. I vetmi shtet në të cilin përkundër vështirësive – ka pasur edhe së terroriste ndaj turistëve – megjithatë situata është përmirësuar, është Tunizia. Askush në Tunizi nuk është penduar pse ndodhi revolucioni.
Domethënë ka shpresë?
Unë shoh paralele interesante në mes të Pranverës Arabe të vitit 2011 dhe pranverës së popujve evropiane të vitit 1848. Edhe atëherë revolucioni pati sukses vetëm në një vend, në Zvicër. Sikur dikush të mos provonte, edhe në Zvicër do të kishte dështim. Në Gjermani janë dashur edhe 100 vjet të tjera deri në stabilizimin e demokracisë. Në këtë kuptim revolucioni arab që ka shkaktuar kaq shumë shkatërrime do të sjellë në afat të mesëm ose të gjatë një ndryshim pozitiv. Të shpresojmë se vendeve si Siria, Iraku Libia nuk do tu nevojiten edhe 100 vjet të tjera sikur Evropës.
“Nuk kemi mundur të vjedhim”
Në zgjedhjet e vitit 2005 pata qëndruar në të njëjtin vendvotimi nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë. Drejtuesja e lokalit zgjedhor pastaj pati dhënë një deklaratë të habitshme: “Zoti Gross ka qenë tërë kohën këtu. Ne nuk mund të mashtronim”.
Andreas Gross nga viti 2014 është edhe kryetar i albinfo.ch
E-Diaspora
-
Raportohet për eskalim gjatë tubimit të Edi Ramës me shqiptarët në Londër, rrahje mes protestuesish Teksa kryeministri Edi Rama mbajti fjalim para shqiptarëve në Londër, në ambientet e tjera të objektit...
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër
Jeta në Zvicër
-
Projeksionet e referendumeve sot në Zvicër Sipas projeksioneve të RSS, zgjerimi i autostradave refuzohet me 52%, ndarja për ligjin e qirasë dhe...
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje