Integrimi

Tubim elektoral në mbështetje të Arbër Bullakajt

Tubimi ishte organizuar nga komiteti mbështetës See-Gaster i fushatës zgjedhore të Arbër Bullakajt për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 18 tetor të këtij viti

 

 

Të dielën në Jona – Raperswill të kantonit St. Gallen u mbajt një tubim zgjedhor në mbështetje të kandidaturës së Arbër Bullakajt për zgjedhjet nacionale të tetorit në Zvicër.

Salla në Neuhof 9, të qytetit Jona, ishte mbushur përplot me mysafirë që kishin ardhur si përkrahës të Arbër Bullakajt.

Moderatorja Albulena Kqiku në fillim ia ka dhënë fjalën koordinatorit të komitetit përkrahës të fushatës zgjedhore për pjesën See – Gaster, Ilmi Cakolli, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ka njoftuar mbi rrjedhat e këtij organizimi, duke i falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë në mbështetje të kësaj fushate.

Ai mes të tjerash njoftoi mbi rrjedhat e fushatës në kuadër të See – Gaster, e që përfëshin Raperswill, Jona, Eschenbach, Schmerikon, Kaltbrun, Schänis dhe Amdem.

​Më pas nga moderatorja u ftua koordinatori i fushatës për kantonin e St. Gallenit, Agush Buja, i cili elaboroi mbi rrjedhat e gjithë fushatës në kuadër të kantonit.

“Ne do të angazhohemi që ta kemi një përfaqësues tonin në parlamentin zviceran, sepse është nevojë dhe detyrë jona për të gjithë ata që kanë të drejtë vote, pse jo ta kemi edhe ne një pjesëtar tonin në rrjedhat politike”, tha Buja.

Ai mes të tjerash ka folur për mënyrën e votimit që, sipas tij, nuk është edhe aq vështirë.

“Mostrat e fletëvotimit i keni në tavolina para jush, vetëm se kërkohet angazhimi dhe vullneti ynë”, theksoi Buja.

Në fund kandidati i SP-së për kantonin e St.Gallenit, Arbër Bullakaj, përshëndeti të pranishmit duke bërë një rezyme të rolit dhe funksionit të shqiptarëve dhe angazhimit të tij në politikë në Zvicër.

“Ne që jetojmë e punojnë këtu, ne që kemi lindur këtu deshëm apo nuk deshëm duhet të inkuadrohemi në rrjedhat politike, sepse tashmë është nevojë e domosdoshme për gjeneratat që po vijnë”, tha Bullakaj.

Ai nuk ka hezituar të shpjegojë në detaje për formën dhe mënyrën e votimit për të gjithë votuesit me të drejtë vote.

“Ky është guximi ynë që ne të ballafaqohemi karshi vendësve, edhe pse edhe ne jemi natyralizuar me zviceranët, por megjathatë ka vendës që na radhisin në rangun e dytë, dhe përkundër kësaj ne duhet të angazhohemi edhe më shumë në integrimin e komunitetit tonë sa më shumë, në mënyrë që të ngjitemi edhe ne në rrejdhat politike, edhe në nivelin nacional”, tha Bullakaj.

Më pas pasuan pyetje dhe përgjigje, për dhe rreth fushatës, me çka u debatua nga shumë bashkatdhetarë për problemet e natyralizimit, mandej problemet e diskriminimit të disave në forma të ndryshme, për çka Bullakaj ka bërë përpjekje që t’i japë disa shembuj nga problematikat e tilla, me çka shoqëria zvicerane po has me të huajt.

Gjithë elaborimin e tij e bëri edhe në gjuhën gjermane për hirë të mysafirëve të tjerë që nuk kuptojnë gjuhën shqipe.

Krejt në fund, të vegjëlit e SHKA “Dardania” në udhëheqjen e kryetarit të tyre, Shefqet Cakolli, kishin përgatitur një program me valle me rastin e këtij tubimi mbështetës për Arbër Bullakajn.