Shkurt.ch

Zvicra merr pjesë në ndarjen evropiane të refugjatëve: Do të strehojë 1500 prej tyre

“Një çelës i shpëndarjes është edhe në interesin tonë”, ka thënë ajo. “Duhet të imagjinojmë një situatë kur Zvicra do të përballej papritur me një fluks të madh të refugjatëve, tha Sommaruga

Zvicra ka pranuar të marrë pjesë në “çelësin” e shpërndarjes së 40 mijë refugjatëve që janë paraqitur për azil në Itali dhe në Greqi. Në këtë kontekst, ajo do të pranojë një kontingjent prej maksimalisht 1500 vetash. Kështu është shprehur presidentja e federatës njeherësh ministre e drejtësisë, Simonetta Sommaruga në një konferencë maratonike për shtyp të mbajtur sot në Bernë.

Sommaruga në kuadrin e kësaj konference ka kritikuar politikën evropiane të azilit. Sipas saj “Evropa po paguan për gabimet e bëra në të kaluarën. Ajo nuk posedon instrumentet e nevojshme për gjendje të jashtëzakonshme çfarë është kjo aktualja, ka thënë presidentja veç tjerash.
Duke folur në emrin e Këshillit Federal, Sommaruga është shprehur se qeveria e Zvicrës është e gatshme për një ndarje solidare të refugjatëve brenda Evropës dhe merr pjesë në ndarjen e tillë. “Një çelës i shpëndarjes është edhe në interesin tonë”, ka thënë ajo. “Duhet të imagjinojmë një situatë kur Zvicra do të përballej papritur me një fluks të madh të refugjatëve… Por është po ashtu edhe çështje etike për Zvicrën që të japë kontributin e saj.”
Ndonëse aktualisht Zvicra nuk është e prekur ende nga fluksi i refugjatëve që ka mësyrë Evropë, një mundësi e tillë nuk përjashtohet. Për këtë arsye Këshilli Federal po përgatit një plan për një situatë të tillë. Ndërkaq, as mbyllja e plotë e kufijve dhe as kontrollimi sistematik në kufij nuk kanë arsyetim faktik dhe as mbështetje në ligj, ka thënë më tutje Sommaruga.
Ajo ka thenë se Këshilli Federal të premten paradite është marrë intensivisht me “krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufa e Dytë Botërore”, thuhet në një komunikatë të Zyrës Federale për Migracion. Zgjerimi kaq i madh i kësaj krize ka të bëjë me faktin se as në Siri dhe as në vendet e saj fqinje nuk mund të sigurohet më tutje përkujdesja elementare për refugjatët. Po ashtu edhe Turqia ka arritur në kufijtë e mundësive të saj.
Për të forcuar ndihmën në vendin e ngjarjes, Këshilli Federal ka vendosur të shtojë ndihmën e planifikuar nga 50 në 70 milionë franga.