Fotolajmi

Franca dhe Britania do të pranojnë refugjatë nga Lindja e Mesme

Franca dhe Britania janë marrë vesh të pranojnë mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme.

Nëse krahasohen  shifrat me numrin e emigrantëve që po vërshojnë në Gjermani  atëherë del që këto dy vende evropiane më së paku do të paranojnë refugjatë përgjatë viteve në vijim.
Presidenti francez, François Hollande tha se vendi i tij do të pranojë 24.000 refugjatë gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa kryeministri britanik David Cameron tha se 20 mijë refugjatë sirianë nga kampet në Turqi, Jordani dhe Siri do të vendosen në Britani gjatë pesë vjetëve. Cameron tha se fëmijëve dhe jetimëve të rrezikuar do t’u jepet përparësi.
Evropa po përballet me krizën më të madhe të emigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që Hungaria është në krye të vendeve që po përpiqen të bllokojnë kalimin e refugjatëve në Gjermani dhe në shtetet skandinave.
Megjithatë, mijëra refugjatë kanë vërshuar në Gjermani, ku autoritetet dhe banorët i kanë mirëpritur me ushqime, ujë dhe lodra për fëmijët.
Gjermania thotë se 800 mijë refugjatë që përpiqen për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë mund të vendosen në vend deri në fund të vitit.