Integrimi

I shtohet në 18 vjet dënimi vrasësit të Vigan Morinës

Prokurori kishte kërkuar 20 vjet burg për dorasin ndërsa mbrojtja e tij, 10 vjet burg për vrasje me paramendim

Në një natë të korrikut të vitit 2012 Vigan Morina (23 vjeç) qe vrarë ndërsa vëllai i tij qe plagosur rëndë. Kjo ka ndodhur para lokalit të njohur të Cyrihut “Kaufleute” dhe pati bërë jehonë të madhe. Vrasësi, Shivan M., një kurd i Irakut pas kryerjes së krimit kishte ikur në Suedi, ku pastaj ishte kapur dhe ekstraduar në Zvicër.

Në qershor të vitit 2014, Gjykata e Qarkut e Cyrihut e pati dënuar Shivanin me 16 vjet burg për vrasje të rëndë dhe për tentim vrasjeje me paramendim (albinfo.ch pati raportuar nga gjykimi).
Pas ankesës së bërë nga avokati i palës së dëmtuar dhe nga prokuroria, Gjykata e Lartë e Kantonit të Cyrihut ia ka ngritur dënimin në 18 vjet burg dorasit. Edhe kjo gjykatë ka njohur kualifikimin e veprës të bërë nga gjykata e qarkut por e ka ngritur masën e dënimit për dy vjet. Prokuroria bashkë me gjykatën e lartë ishin të mendimit se dënimi i parë kishte qenë më i ulët se që duhej.

Shivan M., gjatë mbajtjes së dënimit duhet t`i nënshtrohet edhe një terapie ambulatore. Ndërsa prindërve të Viganit, vëllait të tij të plagosur dhe gjithë familjes, gjykata u ka ofruar dëmshpërblimin prej 235 mijë frangash.

Gjykata e Lartë në përshkrimin e veprës thotë se i fajësuari kishte pasur për qëllim të vriste viktimën, duke e therur atë 11 herë me thikë. Ai ka vepruar “me gjakftohtësi, konsekuencë dhe në mënyrë të paskrupullt”, ka thënë kreu i trupit gjykues.

Ndërsa shfajësimin e dorasit se ai vrasjen e ka kryer në vetëmbrojtje, gjyqtarët nuk kanë dashur as ta dëgjojnë.

Prokurori kishte kërkuar 20 vjet burg për dorasin ndërsa mbrojtja e tij, 10 vjet brg për vrasje me paramendim. Veç kësaj, mbrojtja kërkonte që dënimi e burg të shndërrohej në një masë për të rinj të rritur. Por asnjëra nga këto kërkesa nuk u përfill nga trupi gjykues.