Sport

Granit Xhaka pas ndëshkimit me karton të kuq: Vendimi ishte qesharak

22-vjeçari u desh të lirojë fushën në minutat e fundit të ndeshjes, pas marrjes së kartonit të dytë të verdhë.

Granit Xhaka u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen që ekipi i tij Borussia Mönchengladbach e humbi me rezultat 1-2 kundër Werden Bremenit. Pas përfundimit të ndeshjes, futbollisti kosovar ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarit të ndeshjes Felix Zwayer. “Një gjë e tillë ishte qesharake”, ka thënë Xhaka në një intervistë për “Sky”, transmeton albinfo.ch.

“Një simulim i qartë! Ne mund ta shikojmë edhe 500 herë skenën, por jam 1000 për qind i bindur që unë atë nuk e kam prekur fare”, ka thënë Xhaka i zemëruar.

Edhe kapiteni i Werderit, Clemens Fritz, ndaj të cilit Xhaka u ndëshkua me karton të kuq, e pranon se ishte vendim i gabuar i gjyqtarit Zwayer. “Ai nuk më ka prekur”, është shprehur Fritz pas takimit, citon “blick.ch”, njofton albinfo.ch.

Pas tri ndeshjeve të luajtura në bundesligën gjermane, Borussia Mönchengladbach po kalon në një krizë të thellë dhe aktualisht gjendet në fundin e tabelës, pa asnjë pikë të tubuar.