CH-Ballkani

Presheva, qyteza e vogël e pushtuar nga emigrantët

Mijëra emigrantë kanë pushtuar Preshevën, qytezën shqiptare në Jug të Serbisë, që deri para disa muajve ishte e heshtur.

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch, Ilustrim

  • ©albinfo.ch

  • ©albinfo.ch

Janë mbi 3 mijë emigrantë që në çdo 24 orë paraqiten në Qendrën për strehimin e përkohshëm. “Deri tani po vjen duke u shtuar numri i emigrantëve. Ne po pajisim me ata me leje qëndrim të përkohshëm. Ata sapo i marrin këto lejeqëndrime vazhdojnë drejt Beogradit dhe më pas drejt kufirit me Hungarinë”, thotë një polic serb, që qëndron pranë radhëve të gjata të emigrantëve që janë pranë qendrës.

Zona pranë stacionit hekurudhor të kësaj qyteze është stërmbushur me emigrantë, por edhe me mbeturina që po paraqesin kërcënim për ndonjë epidemi.

Aktivistët e UNHCR-së janë pranë emigrantëve, ndërsa ata druajnë se numri i tyre do të rritet gjatë ditëve në vijim.

“Ka shumë emigrantë. Jemi 24 orë në terren dhe se sipas vlerësimeve tona mbi 3 mijë çdo ditë po hyjnë në Serbi përmes Maqedonisë. Ekipet tona po i transportojnë emigrantët e sëmurë dhe fëmijët nga kufiri Tabanoc në drejtim të Preshevës. Ditëve të ardhshme jemi në pritje të fluksit më të madh të emigrantëve”, theksoi aktivistja e UNHCR-së, Biljana Kosiç, e cila kërkon më shumë përkujdesje edhe nga autoritetet vendore të Serbisë.

Kjo organizatë siguron 450 racione ushqime për emigrantët kryesisht për fëmijë dhe gra, ndërsa pjesa tjetër e emigrantëve e siguron vetë ushqimin.

Fyas Aljabi, student nga Damasku i Sirisë thekson se kanë kaluar 8 ditë rrugëtim të vështirë nga Siria dhe se mezi kanë mbërritur në Preshevë.

“Kemi kaluar shumë peripeci deri këtu. Më keq kemi kaluar në Greqi, ku nuk kemi pasur trajtim të mirë. Në Maqedoni kaluam mirë, edhe pse të afërmit e tanë kanë kaluar shumë keq javën e kaluar. Pas shumë kësaj të keqe shpresoj se do mbijetojmë. Unë mendoj të shkojë në Zvicër, sepse atje kam disa të njohur”, theksoi Aljabi, duke shtuar se synon që të vazhdojë shkollimin.

Moufak. K, një mekanik 60 vjeçar nga Mosuli i Irakut bashkë më 10 anëtarë të familjes ka kaluar shumë ditë deri në Preshevë.

“Kemi kaluar shumë keq. Ikëm nga Mosuli sepse erdhi ISIS. Na mori gjithë pronën dhe na kërcënuan se do të na vrasin. Fëmijët kanë përjetuar mundime dhe shumë vuajtje deri këtu. Akoma nuk jemi të sigurt derisa të mbërrijmë atje ku duhet. Deri tani kemi harxhuar mbi 30 mijë euro”, theksoi Moufak.

Një pjesë e emigrantëve janë me probleme shëndetësore dhe plagë në trup.

Ahmed Mahmoud, 50 vjeçari nga Siria thekson se është i plagosur gjatë arratisjes së tij bashkë me familjen. Ai rrëfen se gjatë rrugës ka vuajtur shumë dhe ka pasur probleme shëndetësore. Ahmed ishte i vetëm në Preshevë dhe ai është në kërkim të gruas dhe fëmijëve të tij, që thotë se i kanë mbetur në Maqedoni.

“Jam i trishtuar dhe spo muj më të përballojë gjithë këto vuajtje. Jam ndarë nga familja në Maqedoni, sepse ata nuk arritën të hyjnë në tren. Nuk largohem nga Presheva pa u bashkuar me familjen. Ekipet e UNHCR-së po më ndihmojmë të gjejë familjen time”, rrëfen Ahmed Mahmoud.

Emigrantët nuk ankohen për trajtimin e tyre nga preshevarët. Ata theksojnë se banorët lokal janë shumë human dhe kanë përkujdesje maksimale, për dallim nga banorët e qytetit kufitar të Gjevgjelisë në Maqedoni.

“Këtu janë njerëzit e drejt, nuk bëjnë manipulime dhe mashtrime. Dyqanet dhe lokalet e ndryshme na shesin gjërat me çmimet reale, në shumë raste i dhurojnë ushqime falas fëmijëve. Ndërsa në Gjevgjeli shumica dëshironin të përfitonin. Një shishe ujë na shisnin për 5 deri 10 euro. Varësisht se si na gjenin. Të mos flasim për gjëra tjera. Nuk kishin shumë mëshirë dhe humanizëm”, thekson Ahmed.

Shumë shoqata dhe humanistë individualë po ndihmojnë vullnetarisht emigrantët.

“E dijmë se çfarë do të thotë të lësh shtëpinë dhe të endesh rrugëve si refugjatë. Ne si shqiptarë e kemi përjetuar këtë, andaj po bëjmë çmos për të ndihmuar këta njerëz të vuajtur”, thekson Besim.I, një afarist nga Presheva, i cili thotë se gjatë netëve të kaluara kanë grumbulluar mjete dhe kanë shpërndarë ushqime për emigrantët.

Ditëve të fundit rrugët e qytetit janë të stërmbushur me emigrantë dhe se leverdinë e tyre e kanë edhe bizneset e vogla. Shumë emigrantë furnizohen me ushqime dhe gjësende të tjera të nevojshme.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa thotë se banorët e kësaj ane po tregohen humanë dhe po ndihmojnë sipas mundësive të tyre. Por sipas tij, komuna është në gatishmëri të jap ndihmën e saj në rast se do të kërkohet.

“Si preshevarë, ne sot i kemi zemrat e dyert e hapura për nevojtarët e ikur nga lufta, përkundër një mal problemesh tona që na rëndojnë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Komuna dhe qytetarët e Preshevës, duke i pasur të freskëta kujtimet e së kaluarës sonë jo të largët e të dhimbshme, solidarizohen me refugjatët nga Siria dhe i apelojmë fqinjëve tanë maqedonas që në vend të dhunës dhe trishtimit të mëtutjeshëm të këtyre nevojtarëve, atyre t’iu afrojnë përkrahje dhe mikpritje, përkohësisht, deri sa në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të gjendet zgjidhje adekuate”, theksoi Mustafa, duke apeluar që vetëm Presheva të mos shëndërrohet në një bastion të pritjes së refugjatëve apo shëndërrimin e një “Bllace të dytë”.