Zhvillim
Prishtina nuk ka qenë gjithmonë nga betoni – Muzeu Etnologjik, hyrje në një botë tjetër
Para 150 vjetësh Prishtina nuk ishte kryeqytet apo një nga qendrat kryesore të rajonit. Më shumë ishte një qytezë e vogël zejtare me çarshi të mbyllur, me lagjen hebrenje, rrugë me kalldrëm dhe shtëpi njëkatëshe me oborr.
Është shumë vështirë që sot të paramendohet një Prishtinë e tillë. Është vështirë që tash kur betoni ka pushtuar horizontin e qytetit të zhurmshëm, me shume pak gjelbërim, të paramendohen lagje të tëra me shtëpi dykatëshe, me oborre të mëdha të gjelbëruara. Vende ku ndërtesa më e lartë ka qenë minarja e xhamisë apo sahat kulla.
Mirëpo për të gjithë ata që e kanë vështirë ta paramendojnë këtë, pas tri luftërave qëkur perandoria otomane është larguar nga Kosova, ka mbetur një copë e vogël e asaj Prishtine. Pas ecjes nëpër rrugët me pluhur dhe përskaj ndërtesave të shëmtuara, të ndërtuara pa respekt për njëra tjetrën, kalohet përskaj argjendarive të shumta, përgjatë pazarit të gjelbër dhe arrihet te shtëpia e Emin Gjikut. Emini tashmë nuk është në mesin tonë mirëpo shtëpia e tij ka mbetur në formën e muzeut etnologjik. Ky Muze është edhe atraksioni turistik më i dëshiruar në faqen tripadvisor, ku ka më së shumti komente në mesin e të gjitha atraksioneve të tjera të Prishtinës paraqitura aty.
Kompleksi “Emin Gjiku”, ndër shembujt më të mirë të shtëpive të fillimit të shek. XIX
E ndërtuar në fillim të shekullit XIX shtëpia e Emin Gjikut është një ekzemplar i një shtëpie të një familjeje mjaft të pasur në Prishtinë.
Ekspertët kosovarë të trashëgimisë kulturore shtëpinë e përshkruajnë kështu: “Kompleksi përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë e me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e mysafirëve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik”.
“Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Është një njëkatëshe e mbuluar me kulm guri, dikur dyqan farkëtari e aktualisht qendër e artit kontemporan e quajtur “Stacion”.
Oborret janë të rrethuara me mure të larta, 55 cm të trasha, të ndërtuara me qerpiçë dhe hatulla nga druri. Shtëpitë dhe stalla pasqyrojnë harmoni arkitekturale të proporcioneve dhe të elementeve. Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dy shekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit.
Por si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX. Kompleksi “Emin Gjiku” është pronë e Muzeut të Kosovës i cili ka për detyrë ta lehtësojë qasjen në ndërtesat e kompleksit, koleksionin, programet dhe shërbimet për të gjithë vizitorët”.
Gjatë viteve 1990-të, ky kompleks është përdorur si muze i natyrës. Në vitin 2003 renovimi i kompleksit ka filluar me ndihmën e donatorëve ndërkombëtar për ta shndërruar atë në muze etnologjik.
Tregues i laramanisë etnologjike të Kosovës
Përveç shtëpisë e cila është thesar në vete dhe të kthen në një kohë të kaluar, arkitektura e të cilës është fshirë me ndërtime betoni, aty vizitori mund të shohë edhe gjëra të tjera që përshkruajnë jetën e asaj kohe. Krahas pajisjeve dhe veshjeve qytetare, kuratorët në këtë shtëpi kanë vendosur edhe veshje të tjera që vinë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Aty janë ekspozuar edhe veshje të etnive të tjera që jetojnë në Kosovë.
Vizita e shtëpisë së Emin Gjikut është një përvojë e veçantë që të tregon për laramaninë etnologjike të Kosovës. Me vlerë të madhe është edhe stafi i muzeut që të lë një përshtypje shumë të mirë. Ata nuk qëndrojnë kot aty. Derisa ju shikoni eksponatet, stafi shpjegon në mënyrë aktive për gjërat në muze. Një gjë e rrallë edhe në muzetë në perëndim ku këto shërbime duhet të rezervohen enkas.
Kuratorimi
Muzeu është i ndërtuar duke treguar ciklin e jetës: Lindja – Jeta – Vdekja – Trashëgimia
Në kuadër të këtij cikli prezantohen temat në vijim: Familja dhe mënyra e jetës; Ritualet e lindjes; Arti folklorik dhe ritualet; Oda dhe funksioni i saj; Mënyra e jetës; Martesa; Veshjet folklorike; Ritualet e vdekjes; Trashëgimia; Muzika etnike.
Vendi: Prishtinë – afër pazarit të gjelbër, te depot e RTK-së
Koha e aktivitetit: 1 orë
Tema: Kulturë
Çmimi 2 euro (mund te ndryshojë ndërkohë)
Kontakti: [email protected]
https://www.facebook.com/Muzeuetnologjik
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha