albinfo.ch
Lajme
Shipkovica në zi, vazhdon kërkimi i i Rinës 6 vjeçare
I gjithë fshati me ekipet e shpëtimit është fokusuar në gjetjen e trupit të 6 vjeçares, Rina Ahmeti, e cila rezulton e zhdukur nga dita e fatkeqësisë
Shipkovica, fshati malor i Sharrit vazhdon të përjetojë dhimbjen dhe pasojat nga fatkeqësia natyrore që ndodhi në fillim të kësaj jave, ku pati 4 viktima, mbi 40 të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.
Përjetimet janë të ndryshme, ndërkohë gjithë fshati me ekipet e shpëtimit është fokusuar në gjetjen e trupit të 6 vjeçares, Rina Ahmeti, e cila rezulton e zhdukur nga dita e fatkeqësisë.
Familja Ahmeti humbi edhe fëmijën e tyre 2 vjeçar, i cili u varros dy ditë më parë, bashkë me 14 vjeçaren e ndjerë Anisa Muharremi dhe 83 vjeçarin Hashim Xhabiri.
Në shtëpinë e kësaj familje nuk është hapur e pamja për shprehjen e ngushëllimeve deri në gjetjen e vajzës së tyre Rinës.
“Këtu jemi pa pikë gjumi. Po kërkojm ditë e natë. Duam ta gjejmë trupin e Rinës. Apelojmë për ndihmë të ekipeve të specializuara”, thotë për Albinfo.ch, Sevdi Ahmeti, xhaxhai i vajzës së zhdukur.
Ai rrëfen përjetimin e rëndë duke theksuar se gjithçka kishte ndodhur për disa minuta dhe nuk kishte shanse për të shpëtuar diçka.
“Nuk e pritëm se kjo do të ndodhë. Për një moment i nxi qielli dhe filluan të vijnë fishkëllima nga mali, që ishin nga gurët që rrokulliseshin bashkë me ujin. E gjithë shtëpia u mbulua me ujë, gurë e dhe. Edhe ne që ishim disa metra larg arritëm mezi të shpëtojmë”, theksoi Sevdi Ahmeti. Sipas tij, përmes një litari ka qenë e mundur që të nxirren nga bodrumi i shtëpisë anëtarët e tjerë të familjes dhe fëmijët dhe gjithë ky tmerr siç rrëfen ai ka ndodhur për një kohë shumë të shkurtër.
Pjesa në qendër të fshatit vazhdon të jetë e mbuluar me dheun dhe gurët masiv, që kanë përpirë makina, traktorë dhe shumë gjësende tjera.
Kërkimet në ditën e tretë, nuk gjendet ende 6 vjeçarja
Kërkimet për gjetjen e vajzës së zhdukur kanë hyrë në ditën e tretë dhe se akoma nuk ka asnjë rezultat. Qytetarë, ushtarë dhe shumë vullnetarë të tjerë të ndërmarrjeve të ndryshme po kërkojnë vajzën e zhdukur.
Familja është në ankth nga pamundësia për të gjetur vajzën 6 vjeçare Rina Ahmeti, për të cilën supozohet se ka humbur jetën dhe gjendet në podrumin e shtëpisë.
Gafurr Sejdia nga shtabi emergjent i fshatit theksoi për Albinfo.ch se ekipet shpëtimtare kanë punuar gjatë tërë natës, por ende nuk kanë arritur të pastrojnë dheun e grumbulluar në shtëpi.
“Kërkimet po vazhdojnë, kurse te banorët e fshatit ka filluar të paraqitet revoltë ndaj paaftësisë së ekipeve shpëtimtare që tani dy ditë nuk ka pasur rezultate”, thekson Gafurri. Në mesin e banorëve janë paraqitur dyshime se trupi i Rinës mund të jetë bartur jashtë shtëpisë.
Si shpëtuan nga vdekja 30 veta që ishin në një lokal
Në orët e tmerrit që përjetuan shipkovicasit, rrëfimet janë të ndryshme. Jusuf Fazlia, dëshmitarë i ngjarjes thotë se atë ditë fatmirësisht kanë shpëtuar mbi 30 banorë të fshatit, të cilët ishin në lokalin pranë rrugës, i cili ishte mbuluar nga uji dhe mbetjet e dheut dhe gurëve. “Kemi qenë në një lokal sipër dhe shpejt kemi ikur në një lokal më poshtë. Por edhe aty vërshoi uji dhe nga një dritare e vogël arritëm që të ngjitemi në katin e dytë të shtëpisë dhe falë Zotit shpëtuam. Ka qenë punë minutash dhe gjithë lokali u mbulua më pas nga uji dhe mbeturinat që u vërshuan në brendi”, rrëfen Jusuf Fazlia.
Sipas fshatarëve, 83 vjeçari i ndjerë Hashim Xhabiri nuk kishte lëvizur nga një lokal tjetër sipër rrugës, dhe ai aty ka mbetur i vdekur.
Edhe Mahi Ismaili, pronari i lokalit që u vërshua nga ujërat rrëfen ditën se si kishte arritur të shpëtojë.
“Në fillim mu duk se lokali im nuk do të preket nga vërshimet, por ndodhi shumë shpejt sa çel e mbyllë sytë. Mysafirët e një lokali tjetër kishin vrapuar në lokalin tim. Por për një moment uji na goditi edhe neve, nuk kishim mundësi të hapnim dyert apo ndonjë dritare të madhe.
Gjithçka u bllokua, dëgjoheshin britma dhe klithma. Arritëm që përmes një xhami të sipërm të thyer të ngjitemi dhe nga aty të ngjitemi në dritaren e katit të dytë të shtëpisë. Nuk kam se si ta përshkruajë këtë situatë shumë të rëndë”, rrëfen Ismaili. Dy anëtarë të familjes së tij janë në Spitalin e Tetovës dhe kanë lëndime trupore.
Tragjedia e njëjtë kishte ndodhur edhe në vitin 1930
Pleqtë e fshatit kujtojnë se një tragjedi e ngjashme por me pasoja më të vogla kishte ndodhur në këtë fshat edhe në vitin 1930. Atëkohë ka pasur dy viktima.
Abdyl Jahja 75 vjeç kujton se kishte mësuar nga babai i tij se një fatkeqësi e rëndë kishte ndodhur edhe në vitin 1930. “Thonë që ka qenë njësoj dhe uji kishte marrë 2 viktima dhe shumë dëme tjera. Por sot është edhe më rëndë. Kjo situatë ka ndodhur sepse po zvogëlohej vazhdimisht shtrati i përroit mbi fshat dhe kjo ka bërë që uji me gurët të shpërthejë dhe të shpërndahet duke krijuar dëme të mëdha”, rrëfen Abdyl Jahja.
Banorët e Shipkovicës thonë se po mundohen t’i kthehen normalitetit, por ata shpjegojnë se institucionet duhet të kthejnë sytë tek këto vendbanime malore dhe të marrin masa preventive, për të mos ndodhur tragjedi të tilla në të ardhmen.
“Shipkovica, por edhe gjithë malësia jonë ishte harruar. Ata që janë përgjegjës vinin vetëm për vota dhe asnjëherë nuk kishin folur për këto rreziqe. Sot nuk duam më politikë, por duam që të rikthehet normaliteti, të krijohen kushtet e jetesës, sepse Shipkovica asnjëherë nuk ka pasur përkujdesjen sa duhet të institucioneve”, thekson Jahja dhe bashkëmoshatarë të tij që përkundër moshës së thyer po pastronin rrugët.
Në fshat po vazhdojnë të mbërrijnë ndihmat humanitare nga vende të ndryshme, ndërsa në pjesët tjera të fshatit banorët theksojnë se i janë rikthyer jetës me porosinë “se është punë e Zotit, s’kemi çfarë të bëjmë, jeta vazhdon”.
Solidarizimi me Tetovën
Me Shipkovicën po solidarizohet edhe tërë Tetova dhe rajoni i gjerë, që prej dje është në ditë zie.
Edhe në pjesët e tjera të qytetit ishte një pamje tmerruese për shkak të vërshimeve që kishin kapluar dhe qytetin, nga dalja e lumit Shkumbin nga shtrati i tij. Mbrëmë vonë u gjet edhe trupi i pajetë i bariut 61 vjeçar Raif Jusufi, nga Liseci i Tetovës. Trupi i tij u gjet në afërsi të pikës pagesore në dalje të Tetovës për Gostivar.
I ndjeri Raif Jusufi në ditën e përmbytjeve ka qenë në bjeshkë bashkë me nipin e tij 7 vjeçar, i cili po ashtu humbi jetën në fatkeqësinë natyrore të së hënës, por trupi i vogëlushit shtatë vjeçar u gjet në fshatin Reçicë e Madhe.
Autoritetet komunale kanë apeluar për ndihmë për Shipkovicën dhe Tetovën. Kryetarja e komunës Teuta Arifi gjatë tërë ditëve të fundit ka qëndruar në terren në zonat e përmbytura.
“Jemi në terren dhe po bëjmë përpjekje maksimale për ta rikthyer normalitetin. Komuna e Tetovës në këto momente ka dhimbje dhe ditë zie. Apelojmë për ndihmë dhe çdo ndihmë do të jetë e mirëseardhur”, deklaroi për albinfo.ch, kryetarja e komunës Teuta Arifi, e cila po ndiqte edhe sot situatën e pastrimit të rrugëve dhe sanimit të dëmeve.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha