Zhvillim
Doktori i shkencave nga Tetova dërgon investime në Drenas
Lumni Ademi, doktori i kimisë nga Tetova, me qëndrim në Zvicër po i motivon afaristët për të investuar në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq: Ai me firmën e tij kryen për ta të gjitha punët. Atyre u mbetet vetëm të investojnë
Ajo që e dallon Lumniun është një diapazon i gjerë jo vetëm në shkencë por edhe në letërsi. Ai ka botuar tashmë disa vepra letrare dhe vazhdon të jetë aktiv në këtë fushë. Ndërsa së fundi, doktori i dyfishtë i shkencave i ka hyrë edhe sfidës së afarizmit.
“Vitin e kaluar kemi themeluar një kompani (flomir gmbh) qëllimi kryesor i së cilës është krijimi i kontakteve me afaristët e diasporës për të ndihmuar të investojnë në prodhimtari, në vendet nga vijnë. Shërbimi që ofrojmë ne u dedikohet fushave të industrisë farmaceutike, kimike, ushqimore dhe ndërtimore”, shpjegon afaristi ende i ri por me disa prova të dhëna me sukses. “Këtu, në Zvicër jemi 5 punëtorë ndërsa kemi përfaqësues edhe në Kosovë, në Maqedoni e në Gjermani”, prezanton shkurtimisht ai kompaninë e re.
Investimi “në paket”
“Ne shkojmë me projekte konkrete dhe ua ofrojmë ato biznesmenëve. Nëse ato e pranojnë një projekt ne ua realizojmë atë nga fillimi deri në fund. Këtë punë e quajmë “shërbim paket”. Është “paket” pasi që ne, përveç që e këshillojmë se në cilën degë të investojë dhe se çka është e dobishme të prodhohet në rajon, i sigurojmë investitorit edhe makinat prodhuese, transportimin dhe instalimin e tyre, testimin dhe në fund edhe infrastrukturën tonë. Domethënë ne ofrojmë një shërbim që investitori të ndjehet i lirë, mjafton që ai vetëm të investojë”.
Duke ndjekur këtë rrugë, kompania e re tashmë ka shënuar suksesin e parë. “Pak kohë pasi që e formuam firmën, arritëm të motivojmë një investitor nga Kosova (Drenasi) i cili jeton në Gjermani, që të investojë në Drenas gjegjësisht në parkun e atjeshëm të biznesit”, thotë tetovari. Ai me këtë rast falënderon autoritetet në Kosovë respektivisht në Drenas.
“Ata ia siguruan investitorit truallin prej 6500 metrash katrorë ku ai ka filluar menjëherë ngritjen e kapacitetit prodhues dhe projektin për prodhim të produkteve ndërtimore e kemi mbaruar në dhjetorin e vitit që shkoi. Fillimisht do të paraqitemi në treg me dhjetë produkte që nevojiten në ndërtimtari. Tani jemi në fazë kur duhet të përcaktohemi se cilat produkte do të prodhohen konkretisht. Pas rreth një muaji do të dalim me produktet e reja dhe do të bëjmë edhe përurimin solemn të fabrikës”, thotë Lumniu pa e fshehur entuziazmin për këtë vepër.
“Është një objekt i madh dhe aty parashihet punësimi i tridhjetë punëtorëve, përfshirë këtu edhe stafin e menaxhmentin”.
Korrupsion nuk ka por ka inkompetencë
Por, ndërkohë që projekti i parë ka marrë udhën e finalizimit, ekipi rreth Lumniut tashmë ka gati edhe projektin e dytë. “Ne po bëhemi gati edhe për projektin e dytë që vjen nga i njëjti investitor. Do të startojë nga muaji gusht dhe do të punësojë 10 deri 15 punëtorë. Edhe ky do të jetë në Drenas. Të dy projektet, të marra së bashku, deri në fund të vitit 2015 do të kenë një numër prej 40 deri 50 punëtorësh”, është i bindur dr. Lumniu.
Lidhur me problemet eventuale, si korrupsioni, telashet me burokracinë etj., ai ka një rrëfim që dallon nga ato të shumë investitorëve ose njerëz që kane provuar të investojnë në Kosovë. “Dua te jem transparent. Deri më tash nuk na është kërkuar asgjë nga ato që përmenden, haraç, “përqindje” etj. E them, edhe mua më duket interesante, por, për fat të mirë, ne e kemi këtë përvojë pozitive deri tash dhe kjo është për t`u përshëndetur. Madje, kam përshtypjen se megjithatë gjërat kohëve të fundit kanë ndryshuar për të mirë. Këtë e tregon edhe vetë fakti se ata dhanë truallin prej 6500 metrash katrorë pa asnjë lloj kompensimi”.
E vetmja vështirësi që ai ka mundur ta identifikojë gjatë kontakteve me autoritetet në Kosovë ka qenë mungesa e kompetencës në disa raste. “Më duhet të them se në institucione të ndryshme me të cilat kemi pasur të bëjmë, nëpunës të caktuar nuk janë kompetentë për punën e tyre. Kjo bën që ne të hasim në vështirësi për marrjen e informacioneve të sakta. Shpesh nevojitet shumë mund për të gjetur personat adekuatë dhe kjo të merr kohë dhe energji. Probleme me transport, me dogana etj. nuk kemi pasur. Ne thjesht, kemi respektuar atë që parashikohet me ligj”.
Motivi patriotik mbi atë fitimprurës
Lumniu bën pjesë në atë lagje afaristësh të cilët përveç sfondit intelektual i dallon edhe një lloj idealizmi në veprime. Kjo shpërfaqet edhe në punën e tij të deritashme në sferën e investimeve.
“Puna ime në këtë sferë mbështetet më shumë mbi motivet patriotike se sa mbi ato biznesore. Qëllim final i angazhimit tim është zhvillimi ekonomik i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Dhe, nisur nga këto dy projekte që i kemi afër përfundimit, po shohim se mund te kemi sukses. Kemi bërë oferta edhe për projekte të tjera në Maqedoni e në Kosovë dhe shpresojmë se deri në fund të vitit do të kemi edhe një investim në Maqedoni dhe ndoshta edhe një tjetër në Shqipëri. Në Kosovë ne po shohim një qasje dhe interesim më të madh për investime nga jashtë se në Shqipëri apo në Maqedoni.
Ne natyrisht kemi bashkëpunim me shume kompani në Kosovë ose kudo ku i zhvillojmë projektet tona. Secila prej tyre kryen punë nga spektri i vet. Ne duam të përfshijmë sa më shumë firma, që sa më shumë njerëz të angazhohen në projektet tona, të përfitojnë prej duke filluar nga punëtorët e deri te inxhinierët”, shpalos bashkëbiseduesi ynë motivin që e ka shtyrë të punojë për nxitjen e investimeve në vendet e prejardhjes të shqiptarëve të Zvicrës e më gjerë.
Edhe “Investimet patriotike” mund të kenë sukses
Qëllim final i angazhimit tim është zhvillimi ekonomik i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Dhe, nisur nga këto dy projekte që i kemi afër përfundimit, po shohim se mund te kemi sukses. Kemi bërë oferta edhe për projekte të tjera në Maqedoni e në Kosovë dhe shpresojmë se deri në fund të vitit do të kemi edhe një investim në Maqedoni dhe ndoshta edhe një tjetër në Shqipëri.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Inflacioni: Kush i përcakton çmimet? Çmimet vazhdojnë të rriten, por më pak se në vitet e mëparshme. Këtë e tregojnë shifrat...
-
Më shumë zyra bosh në Zvicër
-
Ushtria zvicerane shkurton shpërndarjen e uniformave për të kursyer miliona
-
2025 sjellë ndryshime lidhur me pensionet, çka duhet të dini?
-
Mashtruesit vodhën miliona subvencione për transportin publik