Lajme

Fletëvotimet për diasporën shqiptare shpërndahen nga 15 prilli në Evropë dhe kontinentet e tjera

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, njoftoi sot se fletët e votimit për zgjedhjet e 11 majit do të mbërrijnë në Europë nga data 15 deri më 22 prill.

Ndërkohë, Celibashi informoi se në kontinentet e tjera fletët e votimit do të mbërrijnë nga data 15 deri më 25 prill.

Celibashi ndau në rrjetet sociale një udhëzues mbi procedurën e votimit të shqiptarëve jashtë vendit, ku përfshihen këshillat kryesore mbi hapat që duhen ndjekur.

“Pasi ta merrni, dërgojeni fletën e votimit në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Nuk do të shpenzoni asgjë. Posta paguhet nga KQZ. Mos e vononi, çdo ditë është e rëndësishme që vota juaj të mbërrijë në kohë. Zëri juaj ka rëndësi,” u shpreh Celibashi.

Udhëzuesi i hartuar nga KQZ rekomandon që, pasi të merret zarfi me fletën e votimit, zgjedhësi ta konfirmojë marrjen e zarfit postar në platformën PER.

KQZ rikujton se nuk mund të votohet për një parti apo koalicion dhe njëkohësisht për kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër.

Numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245.935 zgjedhës, ndërkohë që në total, brenda dhe jashtë vendit, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë. Ndër ta, 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.