Lajme

Një milion përdorues të rinj në vetëm një orë – opsioni i ri i OpenAI që po bën bujë 

OpenAI ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me veglën e re të gjenerimit të imazheve, e cila ka sjellë një rritje masive të përdoruesve brenda një kohe rekord. Vetëm brenda një ore nga lansimi, platforma ka regjistruar mbi një milion përdorues të rinj, duke e vënë në vështirësi sistemin e krijimit të llogarive të reja, përcjell albinfo.ch.

CEO i OpenAI, Sam Altman, e ka quajtur kërkesën për këtë shërbim si “biblike”, duke reflektuar mbi popullaritetin e jashtëzakonshëm të chatbot-it ChatGPT dhe veçorisë së tij të re për krijimin e imazheve. Fillimisht, OpenAI synonte ta ofronte këtë shërbim për të gjithë përdoruesit, pavarësisht nga niveli i abonimit, por interesi i lartë ka sjellë vonesa në aksesimin e versionit falas.

Tani, kompania ka raportuar vështirësi me regjistrimin e llogarive të reja, pasi serverët e saj po përballen me një fluks të paprecedentë përdoruesish. Kjo tregon për interesin e jashtëzakonshëm që ka ky inovacion, duke e kthyer ChatGPT në një nga veglat më të përdorura të inteligjencës artificiale në botë.