CH-Ballkani
„Kosovarët e kanë gjetur veten në Zvicër”
NZZ: Intervistë me ambasadorin Naim Malaj
Para pavarësimit, kosovarët jetonin fizikisht në Zvicër por me mendje në atdheun e tyre. Tash, integrimi po funksionin më mirë. Këtë bilanc e nxjerr ambasadori i parë i Kosovës, në përfundim të mandatit të tij
NZZ: Zotëri Malaj, ju para rreth shtatë vitesh qetë bërë ambasadori i parë i Kosovës në Zvicër. Tash, po e braktisni plotësisht shërbimin diplomatik. A ka kjo një prapavijë politike?
N. Malaj: Jo, aspak. Posti ka qenë një nderim për mua. Por, pas shtatë vitesh është koha për një ndryshim. Unë jam tashmë pothuaj ambasadori me stazh më të gjatë në Bernë. Madje edhe doajeni i korit diplomatik, përfaqësuesi i Vatikanit, ka ardhur pas meje.
NZZ: Ju mund ta përfaqësonit Kosovën në një vend tjetër?
N. Malaj: Dua që t`i përkushtohem sërish më tepër familjes dhe të tërhiqem në Gjenevë. Unë jam bërë ambasador në Zvicër nga shkaku se e njoh mirë Zvicrën dhe diasporën. Zvicra është tash 25 vjet atdheu im. Unë do të filloj një veprimtari tjetër. Por ende nuk është koha për ta bërë publike këtë.
NZZ: Si e keni mësuar në të vërtetë zejen e diplomatit? Learning by doing? (mësim gjatë të bërit)
N. Malaj: Kam pasur mundësinë, natyrisht, të mësoja nga diplomatët tjerë dhe nga personat kontaktues në EDA (Ministria e Jashtme e Zvicrës). Por unë nuk jam diplomat klasik. Unë përpiqem të zgjidh problemet konkrete me të cilat përballen Zvicra dhe Kosova. Në këtë kontekst ndihmon shumë edhe fakti se kam rrjet të mirë dhe e njoh mentalitetin zviceran.
NZZ: Kur ju filluat në Bernë, kishte kontroversa lidhur me dyshtetësinë tuaj. A është përmbyllur ky debat?
N. Malaj: Nuk ka ekzistuar kurrë një problem i vërtetë me EDA-n. Mediet e kanë krijuar një të tillë. Ka pasur pikëpamje të ndryshme lidhur me interpretimin e një parimi. Unë nuk e njoh askënd që sot do të thoshte se pasaporta ime zvicerane është problem për marrëdhëniet në mes të dy shteteve. Në rastin tim dyshtetësia ka qenë një përparësi e madhe. Unë, veç tjerash gjatë gjithë këtyre viteve në Zvicër jam ndjerë në shtëpinë time.
NZZ: Cila ka qenë sfida më e rëndësishme kur ju u bëtë ambasador?
N. Malaj: Gjithçka ishte e rëndësishme sepse më duhej që të gjitha t`i nisja nga e para. Fillimisht të gjitha mediet dëshironin të dinin se kush jam unë dhe çfarë kam për të thënë. Pastaj, së bashku me një bashkëpunëtor timin e kam ngritur ambasadën. Ne nuk kishim shërbim logjistik çfarë kanë ministritë tjera të jashtme. Ne i blinim vetë mobilet dhe kujdeseshim për instalimin e telefonit. Një sfidë tjetër ka qenë që ne, papritur, duhej të paraqiteshim si përfaqësues të një shteti. Çdo gjë që thosha dhe bëja, tashti ishte zyrtare.
NZZ: Çfarë raportesh kultivoni me diplomatët serbë në Zvicër?
N. Malaj: Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me ambasadorin serb. As që e kam kërkuar një kontakt të tillë, pasi që kam menduar se kjo do ta sillte atë në një situatë të pakëndshme. Diplomatët serbë kanë një urdhëresë të prerë: Ata nuk e njohin Kosovën dhe, si rrjedhojë, nuk i njohin as diplomatët kosovarë.
NZZ: Por tashmë, përfaqësuesit e të dy vendeve janë takuar në nivelin më të lartë.
N. Malaj: Po. Është diçka për t`u vënë re që ambasadorët në Bernë nuk kanë kontakte, në një kohë kur presidentët dhe kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës bisedojnë mes vete. 108 shtete, në mesin e tyre 22 anëtare të BE-së, na kanë njohur. Mbase, për shkaqe të politikës së brendshme në Serbi vazhdon të luhet kjo lojë. Serbia do ta njohë shpejt Kosovën. Ndryshe ajo nuk mund të hyjë në BE. Nuk ka më kthim mbrapa.
NZZ: Në Zvicër jetojnë 200 mijë kosovarë. Përse vetëm një numër i vogël i tyre janë kthyer në atdhe pas arritjes së pavarësisë?
N. Malaj: Shumë zviceranë mendojnë se shumica e kosovarëve në Zvicër kanë ardhur si refugjatë. Por kjo nuk qëndron. Refugjatët, para së gjithash ata nga vitet e vona të nëntëdhjeta, në pjesën më të madhe të tyre janë kthyer. Të tjerët janë këtu pjesërisht nga vitet gjashtëdhjetë, kur kanë ardhur si sezonierë. Diaspora është e lidhur fuqishëm me Kosovën por edhe me Zvicrën. Ka linja fluturimesh të përditshme nga Cyrihu, Bazeli dhe Gjeneva për në Prishtinë.
NZZ: Niveli arsimor i kosovarëve në Zvicër është i ulët. Gjysma e tyre kanë të mbaruar maksimalisht arsimin e detyruar. A mund të konstatoni hapa përparimi në këtë fushë?
N. Malaj: Po, madje hapa të mëdhenj. Por kjo nuk ndodh me sot e me nesër. Ashtu nuk ka ndodhur as te italianët, spanjollët ose portugezët. Diaspora kosovare, deri në realizimin e pavarësisë ka pasur një problem politik: gjatë kohës se shtypjes dhe të luftës kosovarët, ndonëse fizikisht jetonin në Zvicër, me mendime ishin në atdheun e tyre. Ata shikonin televizionin shqiptar. Si sezonierë ata nuk u bënë kurrë vendës. Kjo pengonte integrimin. Tash, kosovarët kanë gjetur veten në Zvicër.
NZZ: Ju keni qenë për katër vite i burgosur politik, para se të vinit në Zvicër. A patët ardhur me mendimin për t`u kthyer sa më shpejtë që te ishte e mundur?
N. Malaj: Unë nuk do të kisha menduar kurrë se do të mbetesha 25 vjet këtu. Sot unë u bëj thirrje pjesëtarëve të diasporës që të marrin pjesë në jetën publike, të angazhohen në politikë. Në Gjenevë, Lucern dhe në Schaffhausen ka tashmë parlamentarë me rrënjë kosovare. Sportistë si Xherdan Shaqiri janë simbole. Ata janë shumë të rëndësishëm për të motivuar të tjerët. Por ka po ashtu edhe shumë arkitektë, mjekë, inxhinierë dhe ndërmarrës.
NZZ: Dhjetëra mijë njerëz e kanë braktisur Kosovën gjatë muajve të fundit, në drejtim të Gjermanisë. A do të jetë së shpejti edhe Zvicra një vend i synuar prej tyre?
N. Malaj: Unë nuk konsideroj ashtu. Zvicra e klasifikon Kosovën si një vend të sigurt. Nuk ka më ndjekje politike. Shanset për të fituar azilin janë minimale. Njerëzit që aktualisht ikin drejt Gjermanisë, bien në duar të trafikantëve kriminelë të cilët u premtojnë azil ose punë. Ky është një kurth.
NZZ: Qeveria kosovare ka qenë për një kohë në kryelajme për shkak të raporteve lidhur me tregtinë me organe, gjatë luftës. A i ngarkon kjo edhe më tutje marrëdhëniet me Zvicrën?
N. Malaj: Jo, aspak. Raporti i Dick Marty-t ka qenë një raport i Këshillit të Evropës dhe jo i Zvicrës zyrtare. Ai përmbante akuza të rënda, Por deri më sot nuk janë gjetur dëshmi për tregtinë me organe. Raporti i prokurorit special Clint Williamson tashmë e ka vërtetuar këtë. Kosova ka qenë vendi i vetëm në Ballkan që gjithmonë ka bashkëpunuar me autoritetet ndjekëse ndërkombëtare. Të gjithë të akuzuarit janë dorëzuar vullnetarisht dhe pastaj janë shpallur të pafajshëm.
Nga burgu në ambasadë
Naim Malaj ka kaluar katër vite në burg për aktivitetet e tij politike kundër regjimit të Millosheviçit, para se, si 22 vjeçar, të braktiste vendin. Në vitin 1990 ai fitoi azilin në Zvicër ndërsa në Gjenevë mbari një arsimim si punëtor social. Në vitin 2004 ai ka marrë shtetësinë zvicerane. Malaj është angazhuar gjithë kohën për UÇK-në, e ka përfaqësuar atë nga viti 1999 në OKB, në Gjenevë dhe në vitin 2008, nga shefi i qeverisë Hashim Thaçi u emërua përfaqësues në Zvicër, fillimisht si ushtrues detyre e në vitin 2009 si ambasador.
albinfo.ch & NZZ
Më poshtë, linku i artikullit në gjuhën gjermane
http://www.nzz.ch/schweiz/physisch-in-der-schweiz-gedanklich-in-kosovo-1.18537696
Të ngjashme
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch