Shkurt.ch

Zvicra, aksion ndihmash për viktimat e tërmetit në Nepal

Aksioni fillon nga ora 6 e mëngjesit dhe përfundon rreth mesnatës. Gjatë gjithë kësaj kohe, 500 persona vullnetarë do të marrin zotimet e donatorëve për ndihma

SRG (transmetuesi publik i Zvicrës) së bashku me organizatën humanitare “Glückskette” organizojnë sot (e martë) ditën e grumbullimit të ndihmave për viktimat e tërmetit në Nepal.

Aksioni fillon nga ora 6 e mëngjesit dhe përfundon rreth mesnatës. Gjatë gjithë kësaj kohe, 500 persona vullnetarë do të marrin zotimet e donatorëve që thërrasin në telefonin numër “0800 87 07 07”, të hapur enkas për këtë aksion.

Edhe para aksionit si të tillë, zviceranët deri më tash, në mënyrë spontane kanë dhuruar rreth 6 milionë franga për viktimat e tërmetit në Nepal.

Në tërmetin shkatërrues që ka ndodhur më 25 prill kanë humbur jetën së paku 7200 persona ndërsa dhjetëra mijë të tjerë kanë pësuar lëndime, një pjesë e madhe e të cilëve pret ndihmën ose shpëtimin në regjione të largëta.

Qindra mijë ndërtesa janë rrënuar rrafsh me tokë.

Njerëzit që duan të japin ndihmën e tyre këtë mund ta bëjnë përmes thirrjeve telefonike në studiot televizive në Cyrih, Chur, Lugano dhe Gjenevë.

Aktualisht në zonën e krizës në Nepal janë aktive 13 shoqata zvicerane, mes të cilave edhe Kryqi i Kuq i Zvicrës, Caritasi, ADRA, Mjekët pa kufij, Solidar Suisse, Swisscontact etj.