Feja

Vandalizohet varreza myslimane në Lozanë

Të dielën varreza e myslimanëve në Montoie ka qenë objekt sulmi vandal, ku janë spërkatur svastika naziste, janë rrëzuar gurrëvareza dhe janë shkulur lule të varrezës.

Rreth dhjetë varre janë përdhosur në Lozanë. Kjo shkelje, d.m.th. prishje e paqes e të vdekurve, ndiqet automatikisht nga organet e rendit. Një hetim penal është hapur kundër autorëve të këtij akti, njoftojnë mediet zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Sipas një lexuesi të “20 Minutes”, “përdhosësit i kanë pasur në shënjestër vetëm të vdekurit myslimanë”.

Policia e Lozanës është kufizuar në pohimin se varreza që ka qenë në shënjestër është ajo e “personave që kanë emër me shqiptim arab”.

Kryetari i Unionit të shoqatave myslimane në Kantonin Vaud (ku po ashtu është anëtare si dhe prezente në bord të saj xhamia shqiptare në Montely Lozanë), Pascal Gemperli, ka shprehur indinjatën e tij karshi “këtij akti jonjerëzor, i cili nuk respekton as të vdekurit”.