Kosova

15 vjeçarja me prejardhje nga Kosova u raportua e zhdukur në Francë, ambasada e Shqipërisë njofton rikthimin në familje

Ambasada e Shqipërisë në Francë, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se 15-vjeçarja me origjinë nga Kosova, M. Syla, e cila ditë më parë u raportua e zhdukur, është rikthyer pranë familjes së saj, transmeton albinfo.ch.

“Ambasada e Shqipërisë në Francë sqaron se sot në mëngjes, menjëherë sapo është informuar nga të afërm të personit, është mobilizuar dhe angazhuar për rastin e shtetases franceze me origjinë nga Republika e Kosovës, me banim në Strasburg të Francës, M. Syla (15 vjeç), e cila kishte humbur kontaktet me familjen që prej datës 14 mars. Pas bashkëpunimit të Ambasadës me autoritetet e policisë franceze dhe familjen e vajzës, si dhe pas verifikimeve dhe ndjekjes në terren, njoftojmë se M. Syla është rikthyer në shtëpi pranë familjarëve të saj dhe gëzon shëndet të mirë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasada e Shqipërisë në Francë falënderon autoritetet franceze, familjarët dhe të afërmit e vajzës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin”, përfundon njoftimi.