E-Diaspora
Mobilizohet mërgata shqiptare, kërkojnë një deputet në Parlamentin e Zvicrës
Një grup intelektualësh dhe veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare me banim në kantonin e St. Gallenit u zotuan se do ta mbështesin kandidatin shqiptar të Partisë Socialdemokrate
Ndonëse fushata elektorale për zgjedhjet nacionale të Zvicrës që do të mbahen në tetor ende nuk ka filluar, një grup intelektualësh dhe veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare me banim në kantonin e St. Gallenit sot u zotuan se do ta mbështesin kandidatin shqiptar të Partisë Socialdemokrate, i nominuar për deputet në Parlamentin e Zvicrës.
Kjo iniciativë e ekspertit të migracionit, Isuf Sherifit dhe veprimtarëve Ramadan Avdyli, Agush Buja, Shefqet Dibrani e të tjerë, doli në fund të takimit me një grup pune në mbështetje të kandidaturës së politikanit të ri për zgjedhjet nacionale, Arbër Bullakaj.
Politikani i ri mund të hyjë më 18 tetor në histori si shqiptari i parë që fut këmbën në parlamentin e shtetit, në Bernë, si deputet i Zvicrës. Me ndihmën dhe votën edhe të mërgatës shqiptare që ka të drejtë vote në këtë kanton, Bullakaj ka gjasa reale të radhitet si politikani i tretë i SP-së që do të dërgohet nga St. Galleni në Bernë, vlerësoi iniciatori i këtij takimi, eksperti i migracionit, Isuf Sherifi.
Shumica e të pranishmëve në këtë takim vlerësuan potencialin politik që sjell Bullakaj. Pavarësisht që ka edhe kandidatë të tjerë shqiptarë nga kantoni St. Gallen që garojnë për postin e deputetit të Zvicrës, Arbër Bullakaj ka tërë bagazhim intelektual dhe profesional për të na përfaqësuar denjësisht në Parlamentin e Zvicrës, u vlerësua nga një numër i folësve në këtë takim.
Prandaj, siç u tha mes tjerash, mobilizimi i mërgatës shqiptare të këtij kantoni për ta mbështetur Bullakajn sot u konkretizua me grupe pune të ndarë në tetë zona zgjedhore, duke filluar nga qytetit St. Gallen, në Will, ku Bullakaj jeton dhe është ansamblist i qytetit, në Rorschach, Rheintal, See-Gaster, Toggenburg, Sarganserland dhe Werdenberg.
Këto grupe pune do të koordinohen nga veprimtarët Agush Buja, Sallah Junuzi dhe Demir Avdyli, të cilët bashkërisht me të tjerët që u treguan të gatshëm për ta përkrahur kandidaturën e Bullakajt do të organizojnë takime me bashkatdhetarë në kërkim të votës për Arbërin.
Ndryshe, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate për kantonin St. Gallen, Arbër Bullakaj, është nominuar dhe ka marrë mbështetje të gjerë jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe brenda partisë së tij, si kandidat serioz për të fituar një vend si deputet në Parlamentin e Zvicrës.
Për të flet dhe interesimi i madh e serioz i aktivistëve të hershëm të çështjes kombëtare që vepronin përpara në grupe sipas bindjeve politike, por që sot ishin bashkuar duke lënë anash ndarjet e së kaluarës, në kërkim të formave më të mira të organizimit të fushatës elektorale për kandidatin shqiptar të Partisë Socialdemokrate, Arbër Bullakaj.
Ne si komunitet nuk jemi mbledhur këtu në një garë politike mes shumë kandidatëve, ne kemi vetëm një kandidat dhe ai është Arbëri, tha Nuriman Hasani, i cili ngriti fillimisht pyetjen se a duhet ta votojmë ne shqiptarët apo jo Bullakajn. Të cilës i dha vetë një përgjigje të shkurtë: „Unë them, këtu s’ka diskutim, po. Votat e mia me tetë anëtarë i ke!”
Vetë Bullakaj u shpreh i lumtur për mbështetjen që po i ofrohet nga komuniteti shqiptar. Ai mes shumë angazhimeve të tij si nënkryetar i SP-së në nivel kantonal është kryetar i shoqatës „FAIR” Wil, deputet i këtij qyteti dhe në komisionin e verfikimit buxhetor të qytetit.
Bullakaj mes angazhimeve që ka si politikan dhe biznesmen nominimin e tij për deputet nacional e sheh edhe si një shans të vetë shqiptarëve për ta pasur zërin e tyre në Bernë.
„Ne dihet që kemi shumë politikanë të rinj shqiptarë që janë zgjedhur nëpër ansamble komunale dhe kontonale, por në Parlamentin e Zvicrës nuk kemi, prandaj unë dua ta thyej këtë akull dhe kështu të tregohemi shembull i integrimit përmes angazhimit tonë në jetën politike të shtetit tonë të përbashkët, Zvicrës”, u shpreh në fund të bisedës për albinfo.ch Arbër Bullakaj.
Të ngjashme
Opinione tjera
E-Diaspora
-
Prof.Dr. Cuculi, njeriu në mes të doktorit të zemrës dhe menaxherit Prof. Dr. Florim Cuculi është mjek kryesor për kardiologji dhe drejtor menaxhues i Qendrës Kardio në...
-
Jobsmentor.eu, platforma inovative që ndërton ura karriere mes Europës Lindore dhe Perëndimore
-
Fehmi Fetahi: Bashkatdhetarë, ejani dhe investoni në Kosovë, nuk ka më mirë se në vendin tuaj
-
Pse liderët nga Kosova po organizojnë kaq shumë tubime me diasporën?
-
Hamza nesër tubim në Zvicër: Pa diasporën, Kosova nuk do të ishte këtu ku është
Jeta në Zvicër
-
Klasa politike zvicerane, e ndarë për reformën e paktit të azilit në BE Si rezultat i Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin, Zvicra duhet të adaptojë pesë ligje...
-
Zvicra kishte korrjen më të ulët të grurit në 25 vjet këtë vit
-
Shiu i meteorëve Leonid mund të shihet në Zvicër sonte
-
Ushtria asiston në evakuimin e banorëve nga Brienz
-
“Falë Granit Xhakës, unë jam dikushi”, thotë i riu i hendikepuar, Musa Musiqi